Beselidhja e VjeterDalja: Arka
- 1 Beseleeli e punoi Arkën prej drurit të akacies: dy kutë e gjysmë të gjatë, të gjerë një kut e gjysmë, të lartë po ashtu një kut e gjysmë; e veshi me ar të kulluar përbrenda e përjashta.
- 2 Përreth i punoi një brez ari.
- 3 I shkriu për të katër rrathë ari dhe i mbërtheu në katër këmbët e Arkës: dy rrathë në njërin krah e dy në krahun tjetër.
- 4 I punoi edhe dy shtaga prej drurit të akacies, të cilat i veshi me ar
- 5 dhe i futi në rathët që janë në krahët e Arkës, për ta mbartur Arkën.
- 6 E punoi edhe Pajtimoren prej arit të kulluar: të gjatë dy kutë e gjysmë e të gjerë një kut e gjysmë.
- 7 I punoi edhe dy kerubinë prej arit të rrahur në dy skajet e Pajtimores:
- 8 njëri kerubin në njërin skaj e tjetri në tjetrin skaj. Kerubinët në të dy anët i punoi një cope me Pajtimoren.
- 9 Kerubinët i kishin krahët të shtrirë përmbi dhe e mbronin me krahë Pajtimoren, me shikim të drejtuar në njëri-tjetrin dhe mbi Pajtimoren.Tryeza e bukëve të kushtimit
- 10 E punoi edhe një tryezë prej drurit të akacies të gjatë dy kutë, të gjerë një kut e të lartë një kut e gjysmë.
- 11 E rrethoi me ar të pastër e përreth ia punoi një brez të artë.
- 12 Ia punoi edhe buzën katër gishta të gjerë rreth e rreth e mbi të një brez të artë rreth e rreth.
- 13 I shkriu edhe katër rrathë të artë, të cilët i mbërtheu në katër këndet te këmbët e tryezës
- 14 përbri buzës; në ta i përshkoi shtagat, që të mund të mbaret tryeza.
- 15 Shtagat i punoi prej drurit të akacies dhe i rrethoi me ar.
- 16 I punoi edhe enët për përdorime të ndryshme të tryezës: mashtka, gota, enë e kupa për t`i njomur kushtet; të gjitha prej arit të pastër.Shandani
- 17 E punoi prej arit të pastër të rrahur edhe një shandan me bazën e me shtizën e tij. Po edhe gotat, burbuqet dhe fletët i shkriu një me të:
- 18 në të dy anët gjashtë krahë, tre në njërën anë e tre në anën tjetër.
- 19 Në njërin krah tri gota në trajtën e lules së bajames si dhe burbuqet e fletët po edhe tri gota në trajtën e lules së bajames në krahun e dytë si dhe burbuqet e fletët. Po i njëjti punim ishte i gjashtë krahëve që dilnin nga shtiza e shandanit.
- 20 Në vetë shtizën e shandanit ishin katër gota në trajtën e lules së bajames po dhe burbuqet e fletët;
- 21 çdo gotë nën krahët binjakë në tri vende që të gjithë së bashku bëjnë gjashtë krahë që dalin nga një shtizë e vetme.
- 22 Gotat, pra, dhe krahët ishin një me të; të gjitha prej arit të pastër të farkuar.
- 23 Punoi edhe shtatë dritëza me lotëpresësit e tyre dhe me lotëmbajtës ku bien lotët, prej arit tejet të pastër.
- 24 Shandani me të gjitha pjesët përkatëse të tij peshonte një talent ari të kulluar.Lteri i kemimit. Bagmi e erërat e mira
- 25 E punoi edhe lterin e kemimit prej drurit të akacies katror nga një kut gjatë e një kut gjerë dhe lart dy kutë; nga këndet e tyre dilnin brirët.
- 26 E veshi me ar të kulluar me skarë, brinja dhe brirë.
- 27 Ia punoi edhe brezin ari rreth e rreth dhe dy rrathë ari nën brezin e artë në të dy anët që të përshkohen nëpër ta shtagat që të mund të mbartet lteri.
- 28 Kurse shtagat i punoi prej drurit të akacies dhe i veshi me pllaka ari.
- 29 Përgatiti edhe vajin për bagmin e shugurimit dhe temianin prej erërave të pastra të kemimit.