Beselidhja e VjeterDalja: Lteri i flive të shkrumbimit
- 1 E punoi edhe lterin e flive të shkrumbimit prej drurit të akacies katror pesë kutë me pesë e të lartë tre kutë.
- 2 Në katër këndet e tij i punoi brirët që ishin një tërësi me të. E mbuloi me pllaka bronzi.
- 3 Dhe për përdorimin e tij punoi enë të ndryshme bronzi: kusi, vegsha, kupëza, tërfurq dhe enë për të mbajtur zjarrin.
- 4 E punoi skarën e tij në trajtë të rrjetës, prej bronzit, nën buzën e lterit për fund të saj e deri në gjysmë të lterit.
- 5 I shkriu katër rrathë për aq këndet e skarës, për të futur shtagat për mbartje.
- 6 Edhe shtagat i punoi prej drurit të akacies dhe i mbuloi me pllaka bronzi,
- 7 i futi në rrathë në të dy anët e lterit. Lterin e punoi prej dërrasash, bosh nga brenda.Legeni
- 8 E punoi edhe legenin prej bronzit me fundësorin e tij të punuar nga pasqyrat e grave që shërbenin në derë të Tendës së takimit.Ndërtimi i tremes
- 9 E punoi edhe tremen . Në anën e jugut të tremes ishin koltrinat pëlhure liri të tjerrë njëqind kutësh;
- 10 shtyllakët bronzi njëzet me aq baza bronzi, kurse komçet dhe thuprat e tyre prej argjendi.
- 11 Po ashtu edhe në anën e veriut, koltrinat, shtyllakët, bazat, komçet e thuprat e shtyllakëve, ishin po të njëjtës masë, punimi e metali.
- 12 Kurse në atë anë që shikon në drejtim të perëndimit, koltrinat ishin pesëdhjetëkutshe, dhjetë shtyllakë me bazat e tyre si dhe komçet e thuprat e shtyllakëve ishin argjendi.
- 13 Kurse në anën e lindjes i punoi koltrinat pesëdhjetë kutshe,
- 14 prej të cilave njëri krah kishte pesëmbëdhjetë kutë, tre shtyllakë me bazat e tyre,
- 15 kurse në krahun tjetër;sepse ndërmjet këtyre dy anëve e punoi hyrjen;po ashtu koltrinat ishin pesëmbëdhjetëkutshe, shtyllakë kishte tre e po aq baza.
- 16 Të gjitha koltrinat e tremes rreth e rreth ishin prej lirit të përpunuar.
- 17 Bazat e shtyllakëve ishin prej bronzit, kurse komçet e tyre dhe thuprat e tyre ishin prej argjendit, majët e tyre i veshi me argjend dhe të gjithë shtyllakët e tremes ishin të rrethuar me thupra argjendi.
- 18 E në hyrjen e saj e punoi koltrinën;me mjeshtri të qendisur;prej pëlhure të linjtë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur; ishte e gjatë njëzet kutë, e lartë pesë kutë, sipas masës që kishin të gjitha koltrinat e tremes .
- 19 Shtyllakët e hyrjes ishin katër me bazat e tyre prej bronzit. Komçet ishin sermi. Majët e shtyllakëve ishin të veshura me argjend po ashtu edhe thuprat ishin prej argjendi.
- 20 Të gjithë kunjat brenda Banesës ishin prej bronzit rreth e rreth.Llogaria e metaleve të përdorura
- 21 Ky është shënimi i gjërave të Banesës;Banesës së Dëshmisë, që u bë me urdhër të Moisiut me shërbesën e Levitëve nën drejtimin e Itamarit, birit të Aronit prift.
- 22 I punoi të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut Beseleeli i Uri Hurit të fisit të Judës,
- 23 i shoqëruar nga Ooliabi i Asihamekut të fisit Dan, që ishte mjeshtër gdhendjeje, robaqepësie dhe qendisjeje për pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe për li të tjerrë.
- 24 I gjithë ari që u shpenzua në punime të Shenjtërores dhe që u dha si ndihmesë;ja: njëzet e nëntë talenta dhe shtatë qind e tridhjet sikla, në sikla të shenjtërores.
- 25 E argjend, i mbledhur me rastin e regjistrimit të bashkësisë, ja: njëqind talenta e njëmijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë sikla, në sikla të shenjtërores,
- 26 ose një Beka, d. m. th. një gjysmë sikli për kokë me peshën e siklit të shenjtërores, dha secili që e kapi regjistrimi, prej njëzet vjetësh e përpjetë. Ishin: gjashtëqind e trimijë e pesëqind e pesëdhjetë të regjistruar.
- 27 Njëqind talentat e argjendit u shpenzuan për fundësoret e Shenjtërores dhe të koltrinave: për çdo fundësor nga një talent.
- 28 Me njëmijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë sikla i punoi komçet për shtyllakë, i veshi majët e tyre dhe i punoi thuprat për ta.
- 29 Edhe bronz u kushtua shtatëdhjetë talenta e dy mijë e katërqind sikla.
- 30 Me të punoi bazat për hyrje në Tendën e takimit dhe lterin e bronzit me skarën e tij e me të gjitha enët e tija përkatëse,
- 31 dhe fundësoret e tremes si për rrethin ashtu edhe për hyrjen e saj dhe kunjat e Banesës dhe të tremes rreth e rreth.