Beselidhja e VjeterDalja: Petkat e kryepriftit
- 1 Me pëlhurën ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur punuan petkat liturgjike për shërbesë në Shenjtërore. Punuan petkat e shenjta të Aronit, sikurse Zoti i ka urdhëruar Moisiut.Shpinorja
- 2 Shpinoren e punuan prej arit, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur.
- 3 Punuan pllaka ari dhe i prenë në fije të holla që të mund t`i gërshetojnë me mjeshtri në pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe në li të dredhur.
- 4 Për shpinoren i punuan krahëzat që ishin të lidhura me të në dy skajet e tyre.
- 5 Rrypi që ishte mbi të dhe e mbante të shtrënguar, ishte i të njëjtit punim dhe një cope me të, i punuar me ar, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të tjerrë, po ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.
- 6 I punuan edhe dy gurë oniksi, të ndryer në rrathë ari me emrat e bijve të Izraelit të gdhendur në ta me mjeshtri të gdhendjes së gurëve të paçmueshëm.
- 7 I venduan në krahëzat e shpinores që të jenë gurë përkujtues të bijve të Izraelit, po ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.Parzmorja
- 8 E punuan edhe parzmoren me punim mjeshtror si shpinoren prej arit, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e me li të tjerrë,
- 9 katror, të dyfishtë, një pëllëmbë gjatë e gjerë.
- 10 Në të vunë katër radhë margaritarësh: në rreshtin e parë ishte: rubini, topazi e smeraldi;
- 11 në të dytin: karbunkulli, safiri e jaspisi;
- 12 në të tretin: hiacinti, ahati e ametisti;
- 13 në të katërtin: krisoliti, oniksi e berili: ishin të rrethuar me ar sipas radhës së tyre.
- 14 Dhe në dymbëdhjetë gurët ishin të gdhendur emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit: secili gur nga një emër, të secilit fis.
- 15 Në parzmore punuan vargje si teje të gërshetuar me mjeshtri, prej arit të kulluar.
- 16 I punuan pastaj edhe dy rrathë të artë edhe aq unaza të arta. Dy unazat i vunë në dy skajet e parzmores;
- 17 dy vargjet e arta i mbërthyen në dy unazat, që ishin në dy skajet e parzmores.
- 18 Dy majët e dy vargjeve i lidhën në dy buzët e krahëzave të shpinores në pjesën e saj të përparme.
- 19 I punuan edhe dy unaza ari dhe i vunë në dy skajet e parzmores në buzën e saj të brendshme kundër shpinores, po ashtu siç i urdhëroi Zoti Moisiut.
- 20 Punuan edhe dy unaza të tjera të arta, e i vunë në dy krahëzat e shpinores poshtë në krahun e saj të përparmë përbri vendit ku lidhet mbi rrypin e shpinores.
- 21 Atëherë e shtrënguan parzmoren me unazat e saja për unazat e shpinores me shirit purpure ngjyrë vjollce, kështu që parzmorja rri mbi rrypin e shpinores që të mos mund të ndahet prej shpinores, po ashtu si i urdhëroi Zoti Moisiut.Guna
- 22 E punuan edhe gunën e shpinores, vepër e mjeshtrit të pëlhurës, prej pëlhurës ngjyrë vjollce
- 23 e në mes të saj, lart, grykën për të qitur kokën, si gryka në pancir; buzën e grykës e qepën që të mos shqyhet guna.
- 24 Në fund të gunës, te këmbët, gjithkund përreth, i punuan prej pëlhure ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe prej lirit të tjerrë shega,
- 25 kurse prej arit krejt të kulluar punuan kumbonëza, që i vunë ndërmjet të shegave në pjesën e fundme të gunës gjithkund përreth,
- 26 kështu që të jetë një kumbonëz ndërmjet të secilës shegë: një kumbonëz e një shegë e prapë një kumbonëz e një shegë; kryeprifti i stolisur me to ecte, kur ushtronte shërbesën, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.Petkat e priftërinjve
- 27 I punuan edhe këmishat e linjta me mjeshtri pëlhure për Aronin e për bijtë e tij;
- 28 punuan edhe kësulën prej lirit të tjerrë dhe stolitë për kësula prej lirit të tjerrë, edhe të linjtat prej lirit të tjerrë,
- 29 brezin liri të tjerrë , ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur, me mjeshtri robaqepësi, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.Keza;shenja e shugurimit
- 30 E punuan edhe paftën;kezën e shugurimit, prej arit krejt të pastër. Shkruan në të me mjeshtri të gdhendësit I shuguruar Zotit
- 31 dhe e shtrënguan përmbi në kësulë me shirit ngjyrë vjollce, sikurse Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.
- 32 Kështu u kryen të gjitha punimet e Banesës dhe të Tendës së takimit. Bijtë e Izraelit kryen gjithçka sikurse Zoti i kishte urdhëruar Moisiut: bënë pikërisht ashtu.Dorëzimi i veprave të kryera Moisiut
- 33 Atëherë ia sollën Moisiut Banesën: Tendën, e të gjitha pjesët përkatëse të saja, komçet, dërrasat, shtagat, shtyllakët, bazat,
- 34 mbulesën me lëkura deshësh të regjura dhe mbulesën me lëkura delfinësh, koltrinën;
- 35 Arkën e Dëshmisë, shtagat, pajtimoren;
- 36 Tryezën, të gjitha pjesët përbërëse të saja, bukët e kushtimit;
- 37 Shandanin prej arit të kulluar, dritëzat në rendin e tyre dhe pjesët përkatëse të tyre, vajin e ndriçimit;
- 38 Lterin e artë, bagmin, temjanin me erëra të mira, koltrinën për në hyrje të Tendës;
- 39 Lterin bronzi, skarën e tij bronzi, shtagat e enët e tija të gjitha; Legenin dhe fundësorin e tij;
- 40 Koltrinat e tremes, shtyllakët me bazat e tyre, koltrinën për në hyrje në treme, litarët e saj e kunjat. Nuk mungoi asgjë prej enëve për shërbesë në Banesë, për Tendën e takimit;
- 41 Petkat liturgjike për të kryer shërbesën në shenjtërore priftërinjtë, petkat e shenjta të Aronit prift edhe petkat e bijve të tij,
- 42 i sollën bijtë e Izraelit, pikë për pikë siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.
- 43 Moisiu, pasi i pa se të gjitha ishin kryer si duhet, i bekoi.