Beselidhja e VjeterIsaia: Kundër Egjiptit
- 1 Profeci mbi Egjiptin.Ja, Zoti kalëron mbi re të shpejtë, në Egjipt po hyn! Para Tij rroposen idhujt e Egjiptit, në kraharor zemra u fiket egjiptianëve!
- 2 Do t`i nxis egjiptianët kundër egjiptianëve, do të luftojë vëllai me vëllanë miku me mikun e vet, qyteti kundër qytetit, mbretëria kundër mbretërisë.
- 3 Mendësh do të merren egjiptianët, kotdo t`ua çoj synimet e tyre.Idhuj e shortarë, do të pyesin, thirrës shpirtrash e magjistarë.
- 4 Egjiptianët do t`i lëshoj në dorë të një zotërie të pashpirt, do t`i sundojë një mbret i ashpër, thotë Zoti, Hyji i Ushtrive.
- 5 Do të shterë uji i detit, do të shterë e do të thahet lumi,
- 6 kanalet do të qelbësohen, përrenjtë e Egjiptit do të shteren, pa ujë do të mbesin, do të vyshket kallam e zunkth,
- 7 shogët do të mbesin brigjet e Nilit, bima e Nilit mbarë do të thahet, do të thahet e nuk do të jetë.
- 8 Do të trishtohen peshkatarët, do të ankohen të gjithë ata që në lumë hedhin grepin, mjerimi do t`i mbulojë ata që në ujë hedhin rrjetat.
- 9 Do të turpërohen punuesit e lirit, lënurësit e vegjëtarët e pëlhurës.
- 10 Në mjerim do të bien mjeshtrat e tij, të gjithë mëditësit do të sharrojnë.
- 11 Oh sa të marrë princat e Tanesit! Të faraonit këshilltarët më të urtët, i dhanë këshilla krejtësisht të marra! Si mund t`i thoni faraonit: Jam bir i të urtëve, nxënës mbretërish të lashtë?
- 12 Ku janë tani dijetarët e tu? Le të lajmërojnë e le të tregojnë ç`synim ka Zoti i Ushtrive të ndërmarrë kundër Egjiptit?
- 13 Janë bërë të marrë krerët e Tanesit, janë në gabim krerët e Memfisit, e bënë ta lërë rrugën Egjipti, Gurët e këndit të fiseve të tij.
- 14 Zoti trutë ua qet të bullarit bëjnë të gabojë Egjipti në çdo veprim, si i dehuri që zhgërryhet në të vjellat e veta.
- 15 Asnjë gjë s`do t`i vlejë Egjiptit çfarë do të bëjë kokë e bisht, palmë e kallam.Kthimi i Egjiptit
- 16 Atë ditë egjiptianët do të bëhen si gra, do të dridhen e do të tremben nga sjellja e dorës së Zotit të Ushtrive, kur Ai ta çojë dorën mbi ta.
- 17 Toka e Judës do të jetë tmerr për Egjiptin. Kushdo që ta kujtojë, do të pushtohet nga frika për shkak të synimit të Zotit të Ushtrive që ka vendosur ta kryejë mbi të.
- 18 Atë ditë do të jenë pesë qytete në Egjipt që do të flasin gjuhën e Kanaanit e do të jenë të lidhur me përbetim me Zotin e Ushtrive. Njëri do të quhet Qyteti i Diellit.
- 19 Atë ditë do të jetë në mes të dheut të Egjiptit lteri i Zotit e në skajin e kufirit të tij një gugul në nder të Zotit.
- 20 Do të jetë një shenjë e një dëshmi në tokën e Egjiptit në nder të Zotit të gjithëpushtetshëm. Kur, përballë kundërshtarëve, do ta thërrasin në ndihmë Zotin, Ai do t`u dërgojë shpëtimtarin dhe mbrojtësin që do t`i shpëtojë.
- 21 Zoti do t`u dëftohet egjiptianëve edhe egjiptianët do ta pranojnë atë ditë Zotin. Do ta adhurojnë me fli e me dhurata, do t`i kushtohen Zotit e do t`i kryejnë kushtet.
- 22 Zoti do ta godasë me shuplakë të rënda Egjiptin, por edhe do ta shërojë; ata do të kthehen kah Zoti e Ai do të ketë mëshirë për ta e do t`i shërojë.
- 23 Atë ditë do të jetë një rrugë nga Egjipti në Asiri; asiriani do të shkojë në Egjipt e egjiptiani në Asiri. Egjiptianët do t`i shërbejnë Zotit bashkë me asirianët.
- 24 Atë ditë Izraeli do të jetë i treti bashkë me Egjiptin e me Asirinë. I tillë do të jetë në mesin e tokës bekimi,
- 25 që do ta japë Zoti i Ushtrive e do të thotë: Qoftë bekuar populli im Egjipti, edhe vepra e duarve të mia, Asiri, dhe trashëgimi im, Izraeli.