Beselidhja e VjeterIsaia: Paqja e përhershme
- 1 Vegimi që pa Isaia, biri i Amosit, në lidhje me Judën e Jerusalemin.
- 2 Do të ndodhë në kohën e ardhshme: mali i Shtëpisë së Zotit do të vendoset mbi majën e maleve, e do të ngallitë përmbi kreshta dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai.
- 3 Tek ai do të shkojnë shumë popuj e do të thonë: Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit që të na i mësojë udhët e tije të ecim shtigjeve të tij, sepse nga Sioni do të dalë Ligji dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit.
- 4 Ai do të jetë gjykatësi i popujve dhe do t`i gjykojë fiset e shumta, shpatat e veta do t`i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj.Një popull nuk do të ngrejë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s`do të ushtrohen për luftë.
- 5 Eja, o shtëpia e Jakobit, të ecim në dritën e Zotit!Shkëlqimi e madhëria e Zotit
- 6 Po, ti e përbuze popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, sepse janë plot me shortarë të lindjes e me fallxhorë porsi filistenjtë dhe ua shtrijnë dorën të huajve.
- 7 Toka e tij është plot me argjend e me ar, visaret e tij janë të pambarim.
- 8 Vendi i tij është plot me kuaj, të panumërta janë karrocat e tij.Plot është vendi i tij me idhuj: adhurojnë veprat e duarve të veta, që i punuan gishtat e tyre.
- 9 U përul vdekatari, për dhe u përvujtërua burri: Ti falje mos u jep!
- 10 Futu në shpellë, fshehu në pluhur para fytyrës së tmerrshme të Zotit e para shkëlqimit të madhërisë së tij,
- 11 Sytë krenarë të njeriut do të përvujtërohen, do të kërruset madhështia e njerëzve: atë ditë do të lartësohet vetëm Zoti.
- 12 Po, ajo do të jetë dita e Zotit të Ushtrive, për të përulur çdo krenar e madhështor, kundër çdo madhështie për ta përulur;
- 13 kundër çdo cedri të lartë e të madh të Libanit, kundër të gjithë lisave të Basanit,
- 14 kundër të gjitha bjeshkëve të larta kundër të gjitha kreshtave të mprehta,
- 15 kundër çdo pirgu të lartë, kundër çdo muri të forcuar,
- 16 kundër të gjitha anijeve të Tarsisit dhe kundër të gjitha anijeve luksoze.
- 17 Do të përulet krenaria njerëzore, do të përulet madhështia e të mëdhenjve: vetëm Zoti atë ditë do të lartësohet,
- 18 copë e grimë idhujt do të bëhen.
- 19 Do të hyjnë ndër zgavrra tani e do të struken nëpër shpella të tokës para fytyrës së tmerrshme të Zotit e para lavdisë së tij kur të çohet ta dridhë tokën.
- 20 Atë ditë njeriu do t`ua flakë idhujt e vet të argjendtë e idhujt e artë që i punoi për vete për t`i adhuruar, minjve e lakuriqëve,
- 21 e do të hyjë në biga të qetave e në shpella të shkëmbinjve para fytyrës së tmerrshme të Zotit e para shkëlqimit të madhërisë së tij, kur të çohet ta dridhë tokën.
- 22 Pushoni së shpresuari në njeriun, rnjeta e të cilit është vetëm një frymë në vrimat e hundës.Ç`vlerë mund të ketë pra, ai?