Beselidhja e VjeterIsaia: Lutje falënderimi
- 1 O Zot, ti je Hyji im! Do të të lartësoj, Emrit tënd unë do t`i këndoj, sepse i çove në vend synimet e mrekullueshme, të sendërtuara tani sa mot, të njëmendta e të vërteta.
- 2 Sepse grumbull gurësh e bëre qytezën, qytetin e fortifikuar e bëre rrënojë: kalaja e krenarëve më nuk është qytezë, për këtë jetë më s`do të ndërtohet.
- 3 Prandaj lavde të këndon populli i fortë, të nderon qyteti i fiseve të forta.
- 4 Se ti u bëre fuqia e të dobëtit, fuqia e të varfërit në nevojë të tij, strehim në stuhi e hije në vapë: sepse teket e tiranitjanë porsi stuhia në dimër.
- 5 Porsi vapa mbi tokë të djegur ua përul krenarinë krenarëve, porsi vapa në hije të resë shuhet kënga e tiranëve.Gostia mesianike
- 6 Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme, me mish të majmë plotë me palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti.
- 7 Në këtë mal ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte fytyrën të gjithë popujve, mbuluesin që i mbulonte të gjithë popujt.
- 8 Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë.
- 9 Dhe do të thuhet po atë ditë: Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi! Ky është Zoti, në Të shpresuam: le të gëzojmë, të galdojmë për shpëtimin që na e solli,
- 10 sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon! E për tokë do të shqelmohet në vend të vet Moabi, siç shqelmohet kashta në gropë të plehut,
- 11 në mes të saj ai duart do t`i shtrijë, siç i shtrin notuesi kur bën not, do të përulet krenaria e tij megjithëse do të rropatë duart.
- 12 Kullat e forta të mureve të tua Ai i thyen, rrafsh i bën, i shtron përdhe.