Beselidhja e VjeterIsaia: Gjyqi i Zotit
- 1 Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papërshkueshme, le të galdojë shkretëtira e të lulëzojë si lili!
- 2 Le të bulëzojë e le të lulëzojë, le të gazmojë, në hare të shpërthejë! Iu dhurua lavdia e Libanit, e Karmelit stolia dhe e Saronit! Do ta shohin lavdinë e Zotit, shkëlqimin e Hyjit tonë!
- 3 Përtëritni në fuqinë e duarve të lodhura, fuqi jepuni gjunjëve të marrakotur!
- 4 Thuajuni atyre që i ka lëshuar zemra: Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behu shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t`ju shëlbojë!
- 5 Atëherë sytë do t`u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë;
- 6 atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri rngjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkretëtirë.
- 7 Toka e shkrumbuar liqen do të bëhet, vendi i thatë mbushur me burime!Në strofull ku strukej çakalli, do të rritet kallam e xunkth.
- 8 Do të ketë shteg e do të ketë udhë, do të quhet Udha e shenjtë: i papastërti n`për të s`do të kalojë, për ta do të jetë udhë e drejtë, që të marrët të mos enden nëpër të.
- 9 Luanë në të nuk do të ketë, bishë grabitqare n`për të s`do të kalojë as në të kurrë më s`do të gjendet, andej do të bien vetëm të çliruarit,
- 10 do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit.Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi, do t`u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm, do t`i shoqërojë gëzimi e hareja, do të zhduket trishtimi e dënesa.