Beselidhja e VjeterIsaia: Sëmundja dhe shërimi i Ezekisë
- 1 Ndër ato ditë u sëmur Ezekia për vdekje. Isaia profet, biri i Amosit, shkoi ta shohë e i tha: Kështu thotë Zoti: `Jepi porositë e fundit familjes sate, se do të vdesësh e nuk do të jetosh.`
- 2 Atëherë Ezekia u soll me fytyrë prej murit, iu lut Zotit
- 3 e tha: Po të lutem, o Zot, deh të bie në mend se kam ecur në praninë tënde në besnikëri e me zemër të përsosur, se kam bërë atë që është e mirë para syve të tu. Dhe Ezekia ia plasi thekshëm vajit.
- 4 Atëherë i qe drejtuar fjala e Zotit Isaisë profet:
- 5 Shko e thuaji Ezekisë: `Kështu thotë Zoti, Hyji i tyt eti Davidit: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tu, dhe, ja, unë po ua shtoj ditëve të tua edhe pesëmbëdhjetë vjet,
- 6 dhe do të të shpëtoj prej dorës së mbretit të asirianëve ty dhe këtë qytet e unë do ta mbroj këtë qytet.`
- 7 Dhe ja shenja prej Zotit për ty se Zoti do ta plotësojë fjalën që tha:
- 8 Ja, unë po bëj të kthehet hija e shkallëve për dhjetë shkallë prapa që bashkë me diell ka zbritur në orën e Akazit. Dhe dielli u kthye dhjetë shkallë prapa nëpër shkallë që kishte zbritur.Himni i Ezekisë
- 9 Kënga e Ezekisë, mbretit të Judës, kur u sëmur dhe u shërua nga sëmundja e vet:
- 10 Unë thosha: Në gjysmën e ditëve të mia unë po shkoj në dyert e Nëntokës; u luta për tepricën e viteve të mia.
- 11 Thashë: S`do ta shoh më Zotin Hyj në tokën e të gjallëve, nuk do të shoh më askënd ndër banorët e kësaj bote.
- 12 Tenda ime qe zhgrehur e u hodh larg meje porsi tenda e barinjve, si vektari ma mbështolli jetën, e prej shulit po më këput.Prej mëngjesit deri në mbrëmje po më jep fund!
- 13 Përmbys klith deri në mëngjes, porsi luani kështu m`i copëton të gjitha eshtrat: prej mëngjesit deri në mbrëmje po më jep fund!
- 14 Cicërij si dallëndyshja, rngjëmoj porsi pëllumbesha; sytë m`u këputën lart duke shikuar! Ndore tënde, o Zot, se jam shumë keq!
- 15 Çka t`i them e ç`do të më përgjigjet? Është puna e tij! Do t`i jap fund krejt jetës sime në mjerimin e shpirtit tim.
- 16 O Zot, në ty shpresoftë zemra ime, u gjallëroftë shpirti im: më shëro e më përtërij në jetë,
- 17 ja, sëmundja ime u kthye në shëndet!Ti shpëtove shpirtin tim nga gropa e asgjësimit, sepse i hodhe pas shpinës sate të gjitha mëkatet e mia.
- 18 Sepse banesa e të vdekurve nuk të lavdëron, Vdekja ty lavde s`të këndon; ata që zbresin në gropë nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde.
- 19 I gjalli, vetëm i gjalli, të lavdëron siç po bëj edhe unë sot; babai ua mëson fëmijëve besnikërinë tënde.
- 20 Më shpëto, o Zot, e ne do të të këndojmë me harpë në të gjitha ditët e jetës sonë në Shtëpinë e Zotit.
- 21 Atëherë Isaia dha urdhër të sillet një bukëfike, t`ia vënë përmbi çiban e të shërohet.
- 22 Atëherë tha Ezekia: Cila do të jetë shenja se njëmend do të mund të ngjitem në Shtëpinë e Zotit?