Beselidhja e VjeterIsaia: Thirrja e profetit
- 1 Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Perëndia juaj!
- 2 Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithini atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.
- 3 Një zë lëshon kushtrimin: Në shkretëtirë përgatiteni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tenzot.
- 4 Le të ngritet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpira le të bëhet e rrafshtë:
- 5 do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!
- 6 Një zë kumton: Shpall! Pyeta: Çfarë të shpall? Çdo njeri është bar, e tërë lavdia e tij porsi lulja e fushës;
- 7 thahet bari, vyshket lulja kur fryma e Zotit bie mbi të.Vërtet populli është si bari!
- 8 Thahet bari e bie lulja: kurse fjala e Zotit qëndron për amshim.Lajmërim hyjdëftimi
- 9 Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell sihariqin Sionit; ngrite me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell sihariqin Jerusalemit! Klith me të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: Ja, Hyji juaj,
- 10 ja, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij!
- 11 Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, n`përqafim i mbart; i shikon me kujdes pëllejat.Madhëria e Zotit
- 12 Kush me grusht e ka matur ujët e detit e me pëllëmbë përmasat e qiellit? Kush e mati me babune pluhurin e tokës, e i peshoi me peshore malet dhe me kandar kodrat?
- 13 Kush e drejtoi shpirtin e Hyjit? Ose si këshilltar i ka dhënë këshilla?
- 14 Me kë u këshillua dhe e mësoi atë, ia mësoi udhën e drejtësisë, e thelloi atë në urtësi, ia tregoi udhën e dijes?
- 15 Ja, popujt janë një pikë uji e kovës, çmohen si një kokërr pluhur në peshore, sa një kokërr pluhuri peshojnë ishujt.
- 16 Libani është i vogël për turrë të druve, fli shkrumbimi s`dalin kafshët e tij.
- 17 Asgjë s`janë para Tij të gjithë popujt, për asgjë e kotësi Ai i mban.
- 18 Kë të gjeni që t`i përngjajë Hyjit? O ç`shembëllesë mund t`i vini përbri?
- 19 Farkëtari e shkrin idhullin, arëtari e përaron, argjendari i bën vargje sermi.
- 20 Skamnori i madh gjen dru të pakalbshme: kërkon për vete mjeshtër të ditur t`ia punojë truporen e palëvizshme.
- 21 Pse a s`e dini? Pse a s`dëgjuat? Pse a s`ju qe thënë që moti? S`e dalloni Themeluesin e tokës?
- 22 Ai rri në fron mbi rrethin e botës, banorët e së cilës janë porsi karkaleca; Ai i shtrin porsi pola qiejt, i ngreh porsi tendën për të banuar;
- 23 Ai i kthen në asgjë princat, një asgjë i bën gjykatësit e dheut.
- 24 Janë si lëndët që posa u mbollën, posa u vunë, posa trupi u lëshoi rrënjë në dhe: nëse u fryn, ata thahen, i mbart era porsi byk!
- 25 Po me kë do të më krahasoni, që të jem unë i njëjtë me të? pyet Shenjti.
- 26 Çoni lart sytë tuaj e shikoni: kush i krijoi trupat qiellorë? Ai që të gjithë i qet në rresht të luftës e secilin e thërret për emër! Kaq e madhe është fuqia e tij, kaq e fortë energjia e tij kështu që asnjë s`ka si të mungojë!Provania e gjithëpushtetshme
- 27 Përse thua, o Jakob, përse flet, o Izrael: Udha ime është e fshehtë për Zotin, s`kujdeset për të drejtën time Hyji im?
- 28 Pse a s`e di? Pse a s`ke dëgjuar? Hyji është Zot i amshueshëm, Krijuesi i botës skaj më skaj.Ai nuk lodhet, ai s`moliset, e pashqyrtueshme është dija e tij.
- 29 Ai të lodhurit i jep fuqi, të pamundshmit ia shton fuqitë.
- 30 Lodhen të rinjtë edhe meken, marrin në thua të rriturit e rrëzohen,
- 31 kurse ata që shpresojnë në Zotin, përtëriten në fuqi, marrin krahë porsi shqiponja, vrapojnë e nuk lodhen kurrë, ecin edhe kurrë nuk meken.