Beselidhja e VjeterJeremia: Vegshi i thyer dhe rragatja me Fasurin
- 1 Kështu thotë Zoti: Shko e bleje një katrovë argjile, merri disa vetë nga pleqtë e popullit e pleqtë e priftërinjve
- 2 dhe shko në luginën Benenom, që është në hyrje të Derës së poçarëve. Atje shpalli fjalët që unë do të t`i them.
- 3 Thuaj: Dëgjojeni fjalën e Zotit, mbretër të Judës e banorë të Jerusalemit! Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë po sjell mbi këtë vend një mjerim të tillë, saqë kushdo të dëgjojë për të, veshët do t`i ushtojnë.
- 4 Sepse ata më kanë braktisur dhe e tëhuajën këtë vend duke u kushtuar zotave të huaj, të cilët nuk i kanë njohur ata vetë as etërit e tyre as mbretërit e Judës. E kanë mbushur këtë vend me gjakun e të pafajshëmve.
- 5 Ndërtuan lartësira për nder të Baalit për t`i djegur si fli shkrumbimi në nder të Baalit fëmijët e vet: çka unë kurrë nuk e kam urdhëruar, as s`e kam thënë as nuk më ka shkuar nëpër mend.
- 6 Për këtë arsye, ja, po vijnë ditët;është fjala e Zotit;dhe ky vend nuk do të quhet më Tofet as Lugina Benenom, por Lugina e Vrasjes.
- 7 Unë do ta çoj kotsynimin e Judës e të Jerusalemit në këtë vend. Do t`i bëj të sharrojnë prej shpatës ndër sy të armiqve të tyre me dorën e atyre që ua kërkojnë jetën. Kufomat e tyre do t`ua jap për ushqim shpendëve të qiellit e bishave të malit.
- 8 Do ta kthej këtë qytet në shkretëtirë e në tallje, kushdo të kalojë nëpër të do të mbetet shtang nga habia e do të fërshëllejë mbi të gjitha plagët e tij.
- 9 Do t`i bëj të hanë mishin e bijve e të bijave të veta. Njëri-tjetrin do ta hanë gjatë rrethimit e ngushticës, në të cilën do t`i mbyllin armiqtë e tyre dhe ata që kërkojnë t`ua marrin jetën.
- 10 Atëherë thyeje katrovën në sytë e atyre burrave që do të vijnë me ty
- 11 e thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kështu do ta thyej këtë popull e këtë qytet, siç po thyhet ena e poçarit që më s`mund të ndreqet. Asohere edhe në Tofet do të varrosen, sepse s`do të ketë tjetër vend për të varrosur.
- 12 Kështu do t`i bëj këtij vendi;thotë Zoti;dhe banorëve të tij. Këtë qytet do ta bëj të ngjashëm me Tofetin:
- 13 Shtëpitë e Jerusalemit e shtëpitë e mbretërve të Judës do të jenë të papastërta porsi Tofeti: të gjitha shtëpitë, mbi pullazet e të cilave iu kushtua kem mbarë ushtrisë qiellore dhe u njomën fli njomjeje hyjnive të huaja.
- 14 Kur Jeremia u kthye nga Tofeti, ku e kishte dërguar Zoti të profetizojë, zuri vend në tremen e Shtëpisë së Zotit dhe i tha mbarë popullit:
- 15 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë do të sjell mbi këtë qytet e mbi qytezat e tij të gjitha të këqijat, me të cilat i jam kërcënuar, sepse ngurën zverkun e vet e nuk i dëgjuan fjalët e mia.