Beselidhja e VjeterJeremia: Blerja e një are, peng i të ardhmes së lumtur për Judën
- 1 Kjo fjalë i qe drejtuar Jeremisë prej Zotit në të dhjetin vit të Sedecisë, mbretit të Judës, d. m. th. në të tetëmbëdhjetin vit të Nabukodonozorit.
- 2 Asohere ushtria e mbretit të Babilonisë e mbante në rrethim Jerusalemin dhe profeti Jeremi ishte i burgosur në oborrin e pallatit të mbretit të Judës.
- 3 Sedecia, mbreti i Judës, e kishte burgosur me këto fjalë: Pse profetizon e thua: `Kështu thotë Zoti: Ja, unë do ta lëshoj këtë qytet në duart e mbretit të Babilonisë dhe ai do ta pushtojë.
- 4 As Sedecia, mbreti i Judës, nuk do t`u shpëtojë duarve të kaldenjve, por do të bjerë në duar të mbretit të Babilonisë dhe do të bisedojë me të gojë për gojë dhe do ta shikojë sy ndër sy.
- 5 Sedecinë do ta çojë në Babilon dhe atje do të qëndrojë derisa unë t`i shkoj në pasi;është fjala e Zotit. Por, edhe në qoftë se do të luftoni kundër kaldenjve, s`do të keni kurrfarë suksesi!`?
- 6 Jeremia i tha: Kështu më qe drejtuar fjala e Zotit:
- 7 Ja, Hanameeli, biri i Salumit, djali i ungjit tënd, po vjen te ti e do të thotë: `Bleje arën time që është në Anatot; sepse ty të takon ta blesh pasi je kushëriri`.
- 8 Kushëriri im Hanameeli erdhi tek unë ashtu siç ishte fjala e Zotit. Erdhi te dera e oborrit të burgut e më tha: `Bëje pronë tënden arën time që e kam në Anatot, në tokën e Beniaminit, sepse ty të takon trashëgimi, dhe ti je më i afërmi që i takon ta shpaguajë.` E kuptova se ishte fjala e Zotit
- 9 dhe e bleva arën prej Hanameelit, djalit të ungjit tim, që është në Anatot, dhe ia peshova argjendin: shtatëmbëdhjetë sikla të argjendta.
- 10 E shkrova kontratën e shitblerjes, e nënshkrova, mora dëshmitarët dhe e peshova argjendin në peshore.
- 11 Atëherë e mora dokumentin e blerjes të vulosur;sipas rregulloreve të përpikta.
- 12 Dokumentin e pronësisë ia dhashë Barukut, birit të Neriut, birit të Maasisë, ndër sy të Hanameelit, kushëririt tim, ndër sy të dëshmitarëve, që nënshkruan në dokumentin e shitblerjes dhe ndër sy të të gjithë judenjve, që ndodheshin në oborrin e burgut.
- 13 Ndër sy të tyre Barukut i dhashë këtë urdhër:
- 14 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Merri këto dokumente, këtë dokument të blerjes të vulosur, si dhe këtë dokumentin tjetër që është i hapur, shtjeri në enë argjile, që të mund të qëndrojnë për kohë të gjatë.
- 15 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Edhe pas kësaj dite do të blehen shtëpi, ara dhe vreshta në këtë vend!
- 16 Pasi ia dorëzova kontratën e blerjes Barukut, birit të Neriut, iu luta Zotit e thashë:
- 17 Ah, o Zot, Hyj, ti e përftove qiellin e tokën me fuqinë tënde të madhe e me krah të shtrirë! Për ty asgjë s`është e vështirë!
- 18 Ti ke mëshirë për mijëra, por edhe e ndëshkon fajësinë e etërve mbi bijtë e tyre pas tyre! O Hyj i madhërishëm, i gjithëpushtetshëm! Zot i Ushtrive është emri i tij:
- 19 i madhërueshëm në synime, i gjithëpushtetshëm në vepra. Sytë e tij rrinë hapur mbi sjelljet e bijve të Adamit, për ta shpërblyer gjithcilin sipas sjelljes dhe sipas fryteve të veprave të secilit.
- 20 Ti bëre shenja e mrekulli në tokën e Egjiptit deri në ditën e sotme në Izrael e mes njerëzve dhe e madhërove emrin tënd siç mund ta shohim sot!
- 21 Ti e nxore popullin tënd Izraelin nga toka e Egjiptit me shenja e me mrekulli të mëdha me krah të shtrirë e me tmerr të madh.
- 22 Ti ua dhe këtë tokë, për të cilën u qe betuar etërve të tyre se do t`ua japësh, këtë tokë që rrjedh qumësht e mjaltë.
- 23 Ata hynë dhe e pronësuan, por nuk e dëgjuan zërin tënd dhe nuk ecën sipas Ligjit tënd: nuk bënë gjithçka ti i kishe urdhëruar të bëjnë, prandaj ti i çove përmbi ta të gjitha këto të vështira.
- 24 Ja, u rrethuan veprat e rrethimit kundër qytetit që të pushtohet dhe kalaja u la në duart e kaldenjve që po luftojnë kundër saj me shpatë, me uri e me murtajë. Gjithçka ti ke thënë, ja, po ndodh siç po sheh edhe ti vetë.
- 25 E pra, ti, o Zot Hyj, më thua: Bleje arën me para e thirri dëshmitarët, kurse qyteti tashmë është lënë në duar të kaldenjve!
- 26 Atëherë iu drejtua fjala e Zotit Jeremisë dhe i tha:
- 27 Ja, unë jam Zoti Hyji i çdo qenieje të gjallë! Pse, vallë, për mua do të jetë ndonjë gjë e pamundshme?!
- 28 Prandaj kështu thotë Zoti: Ja, unë po e lë në duar të kaldenjve këtë qytet dhe në duart e mbretit të Babilonisë: ai do ta pushtojë.
- 29 Do të hyjnë kaldenjtë që luftojnë kundër tij, do ta djegin me zjarr, do t`i bëjnë shkrumb shtëpitë, mbi taracat e të cilave u kushtonin fli Baalit dhe u kushtonin fli njomjeve hyjnive të tjera me qëllim që të më ngacmonin.
- 30 Sepse bijtë e Izraelit e bijtë e Judës, që nga rinia e tyre, bënin të keqen ndër sytë e mi; bijtë e Izraelit s`ditën të bëjnë tjetër deri në ditën e sotme, pos të më ngacmojnë me veprat e duarve të veta;është fjala e Zotit.
- 31 Vërtet ky qytet, që kur u ndërtua, s`më qe për tjetër, por për hidhërim e zemërim deri në ditën e sotme që do të zhduket prej pranisë sime,
- 32 për shkak të keqësisë së bijve të Izraelit e të bijve të Judës, që e bënë me qëllim që të më zemërojnë ata dhe mbretërit e tyre, prijësit e tyre, priftërinjtë e profetët e tyre, judenjtë banorët e Jerusalemit.
- 33 Shpinën ma sollën e jo fytyrën; unë i mësoja me kujdesin më të madh, por ata s`donin të më dëgjonin për ta marrë mësimin.
- 34 Vendosën idhujt në Shtëpinë, mbi të cilën u thirr Emri im për ta dhunuar atë.
- 35 Ndërtuan lartësi për nder të Baalit në luginën Benenom për t`i kaluar nëpër zjarr bijtë e bijat e veta për nder të Molokut;gjë që unë kurrën e kurrës nuk e kisha urdhëruar, as nëpër mend nuk më kishte shkuar ta bënin një poshtërsi të tillë dhe Judën ta shpinin në mëkate.
- 36 Megjithatë, e po për të njëjtën arsye, kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për këtë qytet, për të cilin ju thoni se me shpatë, me uri e me murtajë do t`i lihet në dorë mbretit të Babilonisë:
- 37 `Ja, unë do t`i bashkoj nga të gjitha vendet në të cilat i pata tretur;në zemërimin tim, në hidhërimin tim e në zemërimin tim të madh: unë do t`i kthej në këtë vend e do të bëj të banojnë krejtësisht të sigurt.
- 38 Këta do të jenë populli im dhe unë do të jem Hyji i tyre.
- 39 Unë do t`u jap një zemër të vetme dhe një udhë të vetme që të më druajnë mua vazhdimisht, që të jenë mirë ata dhe bijtë e tyre pas tyre.
- 40 Unë do të lidh me ta një besëlidhje të amshueshme: nuk do të pushoj duke u bërë mirë e në zemrën e tyre do ta fus frikën time që të mos largohen prej meje.
- 41 Kënaqësi për mua do të jetë t`u bëj mirë. Do të bëj thellë të lëshojnë rrënjë në këtë vend me gjithë besnikërinë time, me gjithë zemrën time e me gjithë shpirtin tim.
- 42 Sepse kështu thotë Zoti: Sikurse mbi këtë popull solla një të keqe kaq të madhe, kështu do të sjell përmbi ta çdo të mirë që ua premtoj.
- 43 Do të blihen ara në këtë vend, për të cilin ju thoni se është shkretëtirë, sepse në të nuk mbeti njeri as s`mbeti kafshë, por u la në dorën e kaldenjve.
- 44 Arat do të blihen me para, do të shkruhen në vërtetimin e pronësisë, do t`u vihet vula e do të vërtetohen me dëshmitarë në tokën e Beniaminit, në rrethet e Jerusalemit, në qytetet e Judës, në qytetet malore, në qytetet e Sefelës dhe në qytetet e mesditës, sepse do ta shndërroj fatin e tyre;është fjala e Zotit.