Beselidhja e VjeterJeremia: Jeremia në ubël.
- 1 Por dëgjuan Safatia, biri i Matanit, Gedalia, biri i Fasurit, Jukali, biri i Selemisë dhe Fasuri, biri i Malkisë për fjalët që Jeremia ia thoshte mbarë popullit:
- 2 Kështu thotë Zoti: Kushdo që të qëndrojë në këtë qytet, do të vdesë nga shpata, uria e murtaja, ndërsa kush të ikë te kaldenjtë, do të jetojë; do të jetë i lumë që e ka shpëtuar kokën e do të jetojë.
- 3 Sepse kështu thotë Zoti: Me siguri ky qytet do të bjerë në duar të mbretit të Babilonit dhe ai do ta pushtojë!
- 4 Atëherë paria i thanë mbretit: Kërkojmë që të vritet ky njeri: me qëllim po ua humb guximin luftëtarëve që qëndrojnë në këtë qytet dhe mbarë popullit duke u thënë fjalë të tilla, sepse ky njeri nuk kërkon të mirën e këtij populli, por të zezën.
- 5 Mbreti Sedeci tha: Ja, ai është në duart tuaja; mbreti s`ka se si t`ju mohojë ndonjë gjë!
- 6 Kështu, pra, e morën Jereminë dhe e hodhën në një steë të Malkisë, birit të mbretit, që ishte në oborr të burgut. Në steë Jereminë e lëshuan me litarë. Në ubël nuk kishte ujë, por baltë. Kështu Jeremia u zhyt në baltë.
- 7 Por dëgjoi Abdemeleku etiopas, një oborrtar në pallatin e mbretit, se e kishin hedhur Jereminë në ubël. Mbreti ishte ndalur te dera e Beniaminit;
- 8 Abdemeleku doli nga pallati mbretëror dhe foli me mbretin. I tha:
- 9 Imzot, o mbret, kanë vepruar keq ata njerëz gjithçka kanë bërë kundër profetit Jeremi: e kanë hedhur në ubël që të vdesë aty prej urisë, sepse në qytet nuk ka më bukë!
- 10 Atëherë mbreti i dha Abdemelekut etiopas këtë urdhër: Merri me vete prej këtu tre burra dhe nxirre profetin Jeremi nga ubla para se të vdesë!
- 11 Abdemeleku, si i mori me vete njerëzit, hyri në shtëpinë e mbretit, në odën që ishte nën thesar, i mori disa zhele prej petkave të vjetra, i shqeu dhe i lëshoi me litarë te Jeremia në ubël.
- 12 Atëherë Abdemeleku etiopian i tha Jeremisë: Vëri këto peca e këto zhele nën sqetull e mbi to litarin! Jeremia bëri ashtu.
- 13 Me litarë e nxorën Jereminë dhe e hodhën përjashta ublës. Jeremia u ndal në oborrin e burgut.Kuvendimi i fundit i Jeremisë me Sedecinë
- 14 Mbreti Sedeci dërgoi dhe bëri të sillet tek ai profeti Jeremi te dera e tretë që ishte në Shtëpinë e Zotit. Mbreti i tha Jeremisë: Dua të të pyes një fjalë, mos më fsheh asgjë!
- 15 E Jeremia iu përgjigj Sedecisë: A nuk më vret nëse ta shpall? Por në qoftë se të këshilloj, ti s`do të më dëgjosh!
- 16 Prandaj mbreti Sedeci iu përbetua fshehtazi Jeremisë: Pasha Zotin e gjallë, që na e jep këtë jetë, nuk do të të vras as nuk do të të lëshoj në duar të njerëzve që e kërkojnë kokën tënde.
- 17 Atëherë Jeremia i tha Sedecisë: Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Nëse del e u dorëzohesh oficerëve të mbretit të Babilonisë, ti do ta shpëtosh kokën, ky qytet nuk do të digjet, ti dhe familja jote do të shpëtoni.
- 18 Por, në qoftë se nuk do të dalësh t`u dorëzohesh oficerëve të mbretit të Babilonisë, ky qytet do t`u lihet në dorë kaldenjve. Ata do ta djegin me zjarr dhe ti s`do të shpëtosh prej duarve të tyre.
- 19 Atëherë mbreti Sedeci i tha Jeremisë: Jam shumë i brengosur për shkak të judenjve që kanë kaluar te kaldenjtë: kam frikë se ndoshta më lëshojnë në duar të tyre e ata më përqeshin!
- 20 Por Jeremia iu përgjigj: S`do të të dorëzojnë! Dëgjoje, po të lutem, fjalën e Zotit, që unë po ta them dhe do të jetë mirë për ty dhe do të të shpëtojë jeta.
- 21 Por, në qoftë se s`do të duash të dalësh, ja se ç`më ka dëftuar Zoti:
- 22 Ja, të gjitha gratë që ende qëndrojnë në pallatin e mbretit të Judës, do t`i çojnë te oficerët e mbretit të Babilonisë dhe do të thonë:`Të kanë ngashnjyer e të kanë tradhtuarnjerëzit që ti u besoje;në llom po të zhyten këmbët, kurse ata të lanë e shkuan.`
- 23 Po, se të gjitha gratë e tua e të gjithë fëmijët e tu do t`i çojnë te kaldenjtë. Po as ti nuk do t`u shpëtosh duarve të tyre, por do të biesh në dorën e mbretit të Babilonit, kurse këtë qytet do ta djegë.
- 24 Atëherë Sedecia i tha Jeremisë: Askush të mos i dijë këto fjalë, pëdryshe do të vritesh.
- 25 Por, në qoftë se do ta marrin vesh dinjitarët se kam folur me ty e në qoftë se vijnë te ti e të pyesin: ` Na trego çka ke biseduar me mbretin, mos na fsheh gjë e nuk do të të vrasim, si edhe çka ka biseduar me ty mbreti`,
- 26 thuaju:` I bëra lutje mbretit të mos urdhërojë të më kthejnë në shtëpinë e Jonatanit që të mos vdes atje. `
- 27 Vërtet shkuan të gjithë dinjitarët te Jeremia dhe e pyetën. Ai u tha të gjitha fjalët që ia kishte urdhëruar mbreti. Kështu ata e lanë në qetësi, sepse gjë s`u mor vesh prej asaj bisede.
- 28 Jeremia mbeti në oborrin e burgut deri ditën që u pushtua Jerusalemi.