Beselidhja e VjeterJeremia: Ikja në Egjipt
- 1 Atëherë të gjithë oficerët, d. m. th. Johanani, biri i Kareesë, Jezania, biri i Osajasë, edhe mbarë vegjëlia, prej më të voglit e deri në më të madhin, u paraqitën
- 2 dhe i thanë profetit Jeremi: Deh të të pëlqejë lutja jonë! Lute për ne Zotin, Hyjin tënd, për këtë tepricë, sepse prej një shumice të madhe kemi mbetur, siç po sheh, një pakicë.
- 3 Le të na e dëftojë Zoti, Hyji yt, udhën që duhet të marrim dhe ç`duhet të bëjmë.
- 4 Atëherë profeti Jeremi u tha: Ju mora vesh! Ja, unë po i lutem Zotit, Hyjit tuaj, ashtu si ju po kërkoni; çdo fjalë që Zoti, Hyji juaj, do të më përgjigjet, unë do t`jua tregoj dhe asgjë nuk do t`ju fsheh.
- 5 Ata i thanë Jeremisë: Dëshmitar të vërtetë dhe besnik e paçim Zotin kundër nesh, në qoftë se nuk do të bëjmë ashtu si Zoti, Hyji yt, të të thotë të veprojmë me anën tënde.
- 6 Si në na pëlqeftë, si në mos na pëlqeftë, do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Hyjit tonë, tek i cili po të dërgojmë, që të na sillet mbarë pse do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Hyjit tonë.
- 7 Kur u mbushën dhjetë ditë, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë.
- 8 Atëherë ai e thirri Johananin, birin e Kareesë, dhe të gjithë oficerët që ishin me të, si edhe të gjithë popullin prej më të voglit e deri në më të madhin.
- 9 U tha:Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, tek i cili më dërguat që t`i shtroj uratët tuaja para tij:
- 10 Nëse do të vazhdoni të banoni në këtë vend në qetësi, unë do t`ju ndërtoj e nuk do t`ju shkatërroj, do t`ju mbëltoj e nuk do t`ju çrrënjos, sepse më vjen keq për të këqijat që jua kam bërë.
- 11 Mos e druani mbretin e Babilonisë, para të cilit të frikësuar dridheni. Aspak mos e kini frikë;është fjala e Zotit;sepse unë jam me ju që t`ju shpëtoj e t`ju nxjerr nga dora e tij.
- 12 Unë do të bëj që ju të gjeni hir para tij dhe ai do të ketë dhimbje për ju e do t`ju lërë të jetoni në tokën tuaj.
- 13 Por, bëtë e thatë: `Nuk do të banojmë në këtë vend`, dhe nëse s`do ta dëgjoni zërin e Zotit, Hyjit tuaj
- 14 e thoni: `Assesi, por do të shkojmë në tokën e Egjiptit, ku nuk do të shohim luftë as s`do të dëgjojmë zërin e borisë, ku s`do ta sprovojmë urinë: atje do të banojmë`;
- 15 atëherë, mirë, për këtë gjë;dëgjojeni fjalën e Zotit;Teprica e Judës! Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Nëse vërtet mendoni të shkoni në Egjipt, dhe nëse shkoni atje për të jetuar,
- 16 atëherë shpata që e druani do t`ju gjejë atje në tokën e Egjiptit, po edhe uria, së cilës po ia keni drojën, do t`ju ngjeshet në Egjipt, dhe atje do të vdisni.
- 17 Të gjithë ata që do të vendosin të shkojnë në Egjipt për të jetuar atje si endacakë, do të vdesin atje nga shpata, uria e murtaja: askush prej tyre s`do të shpëtojë as s`do të mund t`i shmanget të keqes që do ta çoj mbi ta.
- 18 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Siç u zbraz furia ime dhe zemërimi im mbi jerusalemas, po ashtu do të zbrazet zemërimi im mbi ju, kur të keni hyrë në Egjipt: do të bëheni mallkim, emnesë, nëmë e turp dhe kurrën e kurrës më s`do ta shihni këtë vend.
- 19 Fjala e Zotit mbi ju, Tepricat e Judës! Ruajuni se shkoni në Egjipt! Mirë ta dini se unë jam sot dëshmitar kundër jush!
- 20 Ju vetë po e vini në rrezik jetën tuaj! Sepse ju më çuat te Zoti, Hyji ynë, e më thatë: `Lutu për ne te Zoti, Hyji ynë, dhe gjithsesi të ketë thënë Zoti, Hyji ynë, ashtu ti na trego e ne do ta zbatojmë.`
- 21 Unë sot ju vura në dijeni, por ju s`e dëgjuat zërin e Zotit, Hyjit tuaj, s`dëgjoni asgjë prej atyre që më dërgoi t`jua them.
- 22 Tashti mund të jeni të sigurt se do të vdisni nga shpata, uria e murtaja në atë vend që deshët të hyni e të jetoni të strehuar.