Beselidhja e VjeterEzekieli: Historia simbolike e Izraelit
- 1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
- 2 Biri i njeriut, njoftoja Jerusalemit të gjitha turpësitë e tij!
- 3 Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj kundër Jerusalemit: Prejardhja jote dhe vendlindja jote nga toka Kanaan. Yt atë amorreas e nëna jote hetite.
- 4 Ti kur linde, ditën e lindjes sate, nuk të qe prerë kërthiza, nuk të lanë në ujë për t`u pastruar as s`qe kripur me kripë as s`qe mbështjellë me shpërgënj.
- 5 Asnjë sy s`pati dhembshuri për ty që ta bëjë ndonjërën nga këto gjëra, as s`pati mëshirë, por ditën e lindjes sate të përbuzur të hodhën përmbi faqen e dheut.
- 6 Ndërsa unë po kaloja të pashë duke u zhgërryer në gjakun tënd e të thashë ndërsa ishe ende në gjakun tënd: Jeto! Të thashë;po them atëherë kur ishe në gjak: Jeto!
- 7 E bëra që të rritesh porsi bari në arë. Ti u rrite, u bëre e madhe, arrite moshën e të përmuajshmeve. Parzmat e tua u ngufatën, flokët t`u rritën; por ishe lakuriq dhe e mbuluar me turp.
- 8 Kalova përbri teje e të pashë; mosha jote, ja, ishte mosha e dashurimit. E hodha mbi ty mallotën time dhe e mbulova lakuriqësinë tënde; atëherë unë t`u përbetova dhe lidha besëlidhjen me ty;thotë Zoti Hyj;e ti u bëre imja.
- 9 Unë atëherë të lava me ujë dhe ta pastrova gjakun dhe të leva me vaj.
- 10 Të vesha me petka të larme, në këmbë t`i mbatha sandalet prej më të mirës lëkurë, të ngjesha me li të përpunuar e të vesha me mëndafsh.
- 11 Të stolisa me stoli, të vura në duar mëdorëzat, gjerdan në fytin tënd.
- 12 Me unazë të zbukurova hundën, me vathë veshët e tu e me kurorën e shkëlqimit kokën tënde!
- 13 U stolise me ar e me argjend, u veshe me li të përpunuar e me mëndafsh shumëngjyrësh. U ushqeve me më të mirin miell, me mjaltë e me vaj. U bëre shumë e bukur, tejet e hijshme, e denjë për mbretëreshë.
- 14 Zëri yt i mirë u hap ndër popuj për shkak të bukurisë sate, sepse ishe e përsosur në stolinë time që ta kisha dhënë;thotë Zoti Hyj.
- 15 Por ty t`i mori mendtë bukuria jote dhe e shfrytëzove zërin e mirë tëndin për të bërë fëlligështi dhe lute me fëlligështinë tënde gjithkënd, të gjithë kalimtarët.
- 16 More petkat e tua dhe i stolise lartësitë lara-lara ku ti lavirësoje ashtu si nuk ka ndodhur kurrë as s`do të ndodhë.
- 17 I more edhe stolitë e arta e të argjendta me të cilat unë të kisha stolisur e me to punove përfytyrimet e meshkujve dhe lavirësove me to.
- 18 More edhe petkat shumëngjyrëshe të tuat e me to i mbulove; vajin tim dhe kemin tim i kushtove para tyre.
- 19 Po edhe bukën time që ta dhashë, më të mirin miell, vaj e mjaltë, me të cilët të ushqeva, i kushtove përpara tyre në erë të erëndshme. Po, ashtu bëre!;është fjala e Zotit Hyj.
- 20 Pastaj i more bijtë e bijat e tua, që m`i linde, dhe ua kushtove atyre që t`i përpijnë! A thua punë e vogël të duket fëlligështia jote?
- 21 I there bijtë e mi dhe ua dhe atyre si kusht!
- 22 E pas të gjitha këtyre turpësive e fëlligështive as ndër mend nuk të ranë ditët e rinisë sate, kur ishe lakuriq e të mbulonte turpi e zhgërryheshe në gjakun tënd!
- 23 Ja që, pas të gjithë kësaj paudhësisë sate,;Vaj, vaj për ty!;është fjala e Zotit Hyj
- 24 ti punove nga një shenjtërorëze e nga një lartësirë në çdo shesh.
- 25 Në çdo kryerrugë punove lter dhe e çnderove bukurinë tënde duke ua dhuruar trupin tënd secilit kalimtar dhe i shumëzove fëlligështitë e tua.
- 26 Bëre fëlligështi me bijtë e Egjiptit, fqinjët e tu gjymtyrëmëdhenj dhe i shumëzove fëlligështitë e tua për të më ngacmuar mua.
- 27 Ja, unë e lartësova dorën time mbi ty dhe ta mungova sasinë e ushqimit tënd, dhe të dhashë në dorë të atyre që të urrejnë;bijave të palestinezëve që deri ato skuqen për sjelljen tënde të paturp.
- 28 Ti bëre fëlligështi me bijtë e asirianëve dhe nuk u ngive; edhe pasi bëre fëlligështi, prapë nuk u ngope.
- 29 Atëherë i shumëzove lavirësitë e tua deri edhe me njerëzit e tokës së kaldenjve tregtarë; por as kështu nuk u ngive.
- 30 Po me çka ta pastroj zemrën tënde;thotë Zoti Hyj;kur i bën të gjitha këto vepra të një gruaje lavire të pafytyrë?!
- 31 Në çdo kryeudhë ia punove vetes shenjtërorëzen e në çdo shesh lartësirën; por jo porsi laviret e tjera, sepse ti e përbuze shpagimin.
- 32 Gruaja kurorëshkelëse në vend të burrit pranon një njeri tjetër.
- 33 Të gjitha lavireve u paguhet çmimi, kurse ti i paguaje dashnorët e tu dhe u jepje dhurata që të hynin te ti nga çdo anë për të bërë fëlligështi me ty.
- 34 Ti ishe lavire e pashoqe: ndodhi me ty çka s`ndodh me laviret e tjera: askush s`vrapoi pas teje për të bërë fëlligështi: me atë që ti jepje shpërblim e nuk merrje, kaq ti kishe rënë poshtë!
- 35 Prandaj, o lavire, dëgjoje fjalën e Zotit:
- 36 Kështu thotë Zoti Hyj: Pse e shpërdorove pasurinë tënde, pse ua zbulove veten dashnorëve të tu në fëlligështitë e tua dhe idhujve të tu të urryeshëm, për gjakun e bijve të tu që ua kushtove idhujve,
- 37 ja, pra, unë do t`i bashkoj të gjithë dashnorët e tu, të cilët i kënaqe, të gjithë ata që i deshe së bashku me të gjithë ata që i urreve; prej ngado do t`i bashkoj të gjithë kundër teje, do ta qes në dritë turpësinë tënde ndër sy të tyre dhe do ta shikojnë të gjithë marren tënde.
- 38 Do të të gjykoj ashtu si gjykohen kurorëshkelëset e vrastaret: do të të lë në dorë të zemërimit e mendjes së zezë gjakësore.
- 39 Do të të lë në duar të tyre: do ta rrënojnë shenjtërorëzen tënde, do t`i rrafshojnë lartësirat e tua, ty do të të zhveshin nga petkat e tua, do t`i heqin stolitë e tua dhe do të të lënë lakuriq e të mbuluar me turp.
- 40 Rreth teje pastaj do të bashkojnë fundërrinën e njerëzve, do të të godasin me gurë e do të të grimcojnë me shpatat e veta.
- 41 Shtëpitë e tua do t`i djegin me zjarr e ty do të të dënojnë ndër sy të një shumice grash. Do të bëj të mos lavirësosh më e më të mos japësh dhurata për fëlligështi.
- 42 Në ty do ta shfryj zemërimin tim dhe do të më shkojë mendja e zezë për ty. Do të qetësohem e nuk do të zemërohem më.
- 43 Pasi nuk u kujtove për ditët e rinisë sate e me të gjitha këto më ngacmove, prandaj edhe vetë mbi kokën tënde do ta sjell sjelljen tënde;thotë Zoti Hyj. Prapë, nuk u solla me ty sipas paudhësive të tua në të gjitha turpësitë e tua.
- 44 Ja, secili që në popull i përdor fjalët e urta do ta thotë këtë në lidhje me ty: `Si e ëma, ashtu e bija!`
- 45 Bija e sat`ëme je ti, që e përbuzi burrin e vet e fëmijët e vet! Ti je motra e motrave të tua, që i përbuzën burrat e vet e fëmijët e vet! Nëna juaj qe hetite e babai juaj amorreas!
- 46 Motra jote e madhe Samaria, ajo e bijat e saja që banon në të majtën tënde. Motra jote, më e vogël se ti, që banon në të djathtën tënde, Sodoma e bijat e saj.
- 47 Por, mjerisht, as udhëve të tyre nuk ece, as s`i bëre vetëm paudhësitë e tyre: do të kishte qenë pothuajse pak, por ti bëre punë shumë më të këqija se ato në të gjithë sjelljen tënde!
- 48 Pasha jetën time;thotë Zoti Hyj;nuk bëri Sodoma, motra jote e bijat e saja, siç bëre ti e bijat e tua!
- 49 Ja, cili qe faji i Sodomës, motrës sate: krenaria, mbushullim buke, papunësia e prunjtë si për të ashtu edhe për bijat e saj dhe nuk u ndihmonin nevojtarëve e skamnorëve:
- 50 u krenuan dhe bënë çka është e urryeshme para syve të mi dhe i çrrënjosa siç ke parë.
- 51 E Samaria nuk e bëri gjysmën e mëkateve të tua, por i tejkalove me kobësitë e tua motrat e tua dhe me të gjitha kobësitë e tua që i bëre, bëre të duken të drejta motrat e tua.
- 52 Prandaj merre mbi vete turpin e fajeve të tua me të cilat i bëre të shfajësuara motrat e tua, pasi mëkatove më kobësisht se ato: ato duken të shfajësuara krahasuar me ty. Prandaj, turpërohu dhe mbarte kobësinë tënde ti, që i shfajësove motrat e tua.
- 53 Unë do ta përmirësoj fatin e tyre. Fatin e Sodomës e të bijave të saj edhe fatin e Samarisë e të bijave të saj; edhe fatin tënd do ta ndërroj në mesin e tyre,
- 54 që ta mbartësh turpin tënd e të të vijë turp për çka ke bërë që t`i ngushëllosh.
- 55 Motra jote Sodoma e bijat e saj do të kthehen në gjendjen e parë të tyre, Samaria e bijat e saj do të kthehen në gjendjen e parë të tyre edhe ti e bijat e tua do të ktheheni në gjendjen tuaj të mëparshme.
- 56 Pse a s`e vije në bisht të lahutës motrën tënde Sodomën në ditët e krenarisë sate
- 57 para se të zbulohej kobësia jote? Ti tani je bërë përqeshje për bijat e Sirisë e të gjithave përreth teje e të bijave të palestinezeve që të zgërdhihen përreth.
- 58 Mbaji, pra, turpësitë e tua e kobin tënd ti vetë;është fjala e Zotit.
- 59 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Unë do të sillem me ty sikurse edhe ti u solle, ti që e theve besën me përbetim, sa që e theve deri edhe besëlidhjen.
- 60 Por unë do ta kujtoj besëlidhjen time që e lidha me ty në ditët e rinisë sate e do të caktoj në të mirën tënde një besëlidhje të përhershme.
- 61 Ti prej anës sate do t`i kujtosh udhët e tua e do të të vijë turp kur t`i marrësh motrat e tua;më të mëdha e më të vogla;e t`i jap për bija, por jo në fuqi të besëlidhjes sate.
- 62 Unë do të bëj besëlidhje me ty e do ta dish se unë jam Zoti,
- 63 që të kujtohesh e të turpërohesh e të mos guxosh kurrë më ta çelësh gojën tënde prej turpit kur unë të kam falur gjithçka ke bërë;thotë Zoti Hyj.