Beselidhja e VjeterEzekieli: Bijve të Izraelit
- 1 Ai më tha: Biri i njeriut, haje ç`të është vënë përpara! Haje këtë rrotull dhe nisu e folu bijve të Izraelit!
- 2 Unë e hapa gojën, ai më bëri ta ha rrotullën
- 3 e më tha: Biri i njeriut, ushqehu dhe ngihu me këtë vëllim që unë po ta jap. Unë e hëngra dhe për gojën time qe i ëmbël si mjalti.
- 4 Atëherë më tha: Biri i njeriut, shko te shtëpia e Izraelit dhe thuaju fjalët e mia.
- 5 Nuk po dërgohesh te një popull me të folur të pakuptueshëm e me gjuhë të panjohur, po dërgohesh te shtëpia e Izraelit;
- 6 s`po të dërgoj ndër popuj të mëdhenj me të folur të pakuptueshëm e me gjuhë të panjohur, të cilëve nuk do të ishe në gjendje t`ua kuptoje të folurit; po të dërgoheshe edhe ndër ta, ata do të të dëgjonin!
- 7 Por shtëpia e Izraelit nuk do të të dëgjojë, sepse nuk duan të më dëgjojnë mua, sepse mbarë shtëpia e Izraelit është kokëfortë e zemërgur.
- 8 Shko: unë po e bëj fytyrën tënde më të fortë se fytyrën e tyre e ballin tënd më të ngurtë se ballin e tyre;
- 9 porsi diamant, më të fortë se gurgacën po e bëj fytyrën tënde: mos i druaj as mos ia ki frikën fytyrës së tyre, sepse janë shtëpi mëkatarësh!
- 10 E shtoi: Biri i njeriut, të gjitha fjalët që po t`i them, pranoji në zemër e dëgjoji me veshë!
- 11 Shko te të mërguarit, njerëzit e popullit tënd, fol me ta e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj, si të dëgjojnë si të mos dëgjojnë.
- 12 Ndërkaq shpirti më ngriti lart e pas meje dëgjova ushtimën e një krisme të madhe ndërsa po çohej lart nga vendi i vet lavdia e Zotit:
- 13 ishte ushtima e krahëve të gjallesave që rraheshin njëri për tjetrin, rropama e rrotëve që ndiqnin gjallesat, zëri i një potere të madhe!
- 14 Atëherë një shpirt më ngriti e më mori; shkoja me zemër plot trishtim e hidhërim: sepse dora e Zotit ishte mbi mua e rëndë.
- 15 Dhe ia beha ndër të mërguarit, në Telabib, ndër ata që banonin bri lumit Kobar, zura vend atje ku ata banonin, ndenja mes tyre atje për shtatë ditë porsi i shituar zanash.Profeti porsi rojtar
- 16 Si kaluan këto shtatë ditë, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
- 17 Biri i njeriut, të kam bërë rojën e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, duhet t`i vësh në dijeni nga ana ime.
- 18 Nëse unë i them keqbërësit: `Ti do të vdesësh!`, e ti nuk e njofton e nuk i flet që të kthehet nga udha e tij e mbrapshtë e të jetojë, keqbërësi do të vdesë për shkak të keqbërësisë së vet, por unë do ta kërkoj gjakun e tij prej teje.
- 19 Por, në qoftë se ti do ta qortosh keqbërësin e ai nuk do të kthehet prej paudhësisë së vet dhe nga sjellja e tij e mbrapshtë, ai vetë do të vdesë në mbrapshtinë e vet, porse ti do ta shpëtosh jetën tënde.
- 20 Kështu edhe, nëse i drejti e lë drejtësinë e vet dhe bën mëkat, unë do t`i vë lakun dhe do të vdesë pse ti nuk e qortove: do të vdesë për shkak të mëkatit të vet dhe s`do t`i merren parasysh veprat e drejtësisë që ka bërë; porse gjakun e tij do ta kërkoj prej teje.
- 21 Por, në qoftë se ti do ta qortosh të drejtin që të mos mëkatojë, dhe ai s`do të mëkatojë, ai do të jetojë pse ti e qortove, kurse ti e shpëtove jetën tënde.I. PARA RRETHIMIT TË JERUSALEMITEzekieli bëhet i pagojë
- 22 Atëherë ra mbi mua dora e Zotit e Zoti më tha: Çohu e shko në luginë; atje dua të flas me ty.
- 23 U ngrita e shkova në luginë dhe, ja, aty qëndronte lavdia e Zotit porsi lavdia që e pashë në brigjet e lumit Kobar, dhe rashë me fytyrë përdhe.
- 24 Në mua depërtoi një shpirt, më ngriti në këmbë dhe më tha: Shko e mbyllu në shtëpinë tënde.
- 25 Biri i njeriut, mbi ty do të vihen litarë, me ta do të të lidhin e nuk do të dalësh mes njerëzve.
- 26 Unë do ta ngjes gjuhën tënde për qiellëz e do të mbetesh i pagojë dhe do të pushosh së qortuari, sepse është shtëpi mëkatare.
- 27 Por, kur unë kam për të folur me ty, do ta zhdërvjell gjuhën dhe ti atëherë thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj. Kush të dëgjojë, le të dëgjojë, e kush të mos dëgjojë, le të mos dëgjojë, sepse janë pjellë e keqe.