Beselidhja e VjeterEzekieli: Dhomat e priftërinjve
- 1 Atëherë më qiti në oborrin e jashtëm në drejtim të veriut. Më çoi në dhomën që është përballë hapësirës së lirë, përballë godinës, në veri.
- 2 Në krahun e veriut e kishte gjatësinë njëqind kute, kurse gjerësia pesëdhjetë kute.
- 3 Përballë njëzet kuteve të tremes së brendshme dhe përballë truallit të shtruar me gurë të oborrit të jashtëm, godina ngritej pjesë pjesë në tre kate.
- 4 Përpara kthinave ishte rrugina dhjetë kutesh e gjerë që shpiente në brendësi. E gjatë ishte njëqind kute. Derën e kishin të kthyer kah veriu.
- 5 Kthinat e larta ishin më të vogla se të mesmet e të poshtmet, sepse i ngushtonin rruginat.
- 6 Ishin tre katesh, por nuk kishin këmbë guri, siç ishin shtyllat e oborrit. Kështu shkallë;shkallë prej truallit në më të ultat, nëpër të mesmet, ndërtohej godina.
- 7 Muri i jashtëm, përgjatë kthinave, përgjatë oborrit të jashtëm, përpara kthinave, ishte i gjatë pesëdhjetë kute.
- 8 Sepse gjatësia e kthinave të oborrit të jashtëm ishte pesëdhjetë kute, kurse e atyre përpara Shenjtërores ishte njëqind kutesh.
- 9 Poshtë nën këto kthina ishte një hyrje në lindje për ata që hynin nga oborri i jashtëm,
- 10 në krye të murit të oborrit. Përballë lindjes, në krahun e pjesës së lirë, kishte edhe kthina të tjera para godinës
- 11 po edhe në krahun e tyre, porsi kthinat në veri. Sipas gjatësisë e gjerësisë së tyre, ishin po ashtu edhe daljet e tyre, renditja dhe dyert e tyre ishin të barabarta.
- 12 Kështu ishin edhe dyert që ishin me pamje në jug: një derë ishte në krye të rruginës, gjatë murit gjegjës, në lindje të atij që hynte.
- 13 Ai më tha: Dhomat në veri e dhomat në jug, përballë hapësirës së lirë, janë odat e shenjta, ku priftërinjtë, që i shërbejnë Zotit hanë gjërat e shenjta: aty i vendosin gjërat më të shenjta, kushtet, flitë pendestare e të shpërblimit, sepse ky vend është i shenjtë.
- 14 Kur priftërinjtë të kenë hyrë, nuk do të dalin nga Tempulli në oborrin e jashtëm, por aty do t`i heqin petkat me të cilat kanë kryer shërbesën liturgjike, sepse janë të shenjta; pastaj do të vishen me petka të tjera e kështu do të dalin te populli.Përmasat e oborrit
- 15 Pasi e kreu të maturit e Tempullit përbrenda, më qiti prej derës që shikonte nga lindja dhe aty mati gjithkund përreth.
- 16 Me kallamin matës e mati anën e lindjes: pesëqind kallama matës me kallamin e matjes së rëndomtë.
- 17 Mati edhe anën e veriut: pesëqind kallama matës përreth.
- 18 Mati edhe anën e jugut: pesëqind kallama matës të masës së rëndomtë përreth.
- 19 U soll edhe anës së perëndimit e mati: pesëqind kallama të masës së rëndomtë.
- 20 E mati murin në të katër anët rreth e rreth: ishte pesëqind i gjatë e pesëqind i gjerë. Ky e ndante vendin e shenjtë nga ai jo i shenjtëruar.