Beselidhja e VjeterEzekieli: E shtuna dhe hëna e re
- 1 Kështu tha Zoti Hyj: Dera e tremes së brendshme që shikon në lindje, le të rrijë mbyllur gjashtë ditët e punës. Le të hapet të shtunave. Le të hapet edhe ditën e hënës së re.
- 2 Princi le të hyjë nëpër treme të derës përjashta, le të ndalet në shkallë të derës. Priftërinjtë le ta kryejnë flinë e shkrumbimit të tij dhe flitë pajtimore të tij; ai le të adhurojë mbi pragun e derës e pastaj le të kthehet jashtë. Dera të mos kyçet deri në mbrëmje.
- 3 Në hyrje të kësaj dere populli i vendit le të adhurojë të shtunave e për hënat e reja para Zotit.
- 4 Flia e shkrumbimit që do t`ia kushtojë princi Zotit duhet të jetë: ditën e shtunë gjashtë qengja pa të meta dhe një dash pa të metë,
- 5 kushtimore një ef për dash, kurse për qengj, sipas mundësisë e një hin vaj për ef.
- 6 Ditën e hënës së re një mëzat pa të metë e gjashtë qengja e një dash;të jenë të gjithë pa të meta
- 7 e një ef për mëzat, po ashtu edhe një ef për dash le të jetë fli kushtimore, kurse për qengja sipas mundësisë, edhe një hin vaj për çdo ef.Rregullore të ndryshme
- 8 Kur mbreti do të hyjë, le të hyjë nëpër derën e tremes e nëpër të le të dalë.
- 9 E kur populli i vendit ditëve të festave shkon përpara Zotit, ai që hyn nëpërmjet derës së veriut, për të adhuruar, le të dalë nëpërmjet derës së jugut, kurse ai që të ketë hyrë nëpër derën e jugut, le të dalë nëpër derën e veriut: të mos kthehet nëpër atë derë, nëpër të cilën ka hyrë, por nëpër derën që e ka përballë.
- 10 Edhe princi duhet të jetë mes tyre: le të hyjë si hyjnë ata e le të dalë si dalin ata.
- 11 Në të kremte e në festa le të flijohet si fli kushtimore një ef për mëzat e një ef për dash, kurse për qengj sipas mundësisë, dhe një hin vaj për një ef.
- 12 Kur princi mendon të kushtojë fli shkrumbimi vullnetare ose fli pajtimi vullnetare për nder të Zotit, le t`i hapet dera që shikon në lindje e le ta kushtojë flinë e vet të shkrumbimit e të pajtimit, siç kushtohet rëndom të shtunave, pastaj le të dalë jashtë e lë të kyçet dera.
- 13 Çdo ditë kushtoja Zotit si fli shkrumbimi nga një qengj vjetak pa të meta: këtë bëje gjithmonë në mëngjes.
- 14 Bëje si fli kushtimi mbi të çdo mëngjes të gjashtën e efit dhe vaj një të tretën e hinit që të stërpiket enëza e miellit; kjo le të jetë kushtim i përditshëm për nder të Zotit, ligj i përhershëm.
- 15 Le të kushtohet, pra, çdo ditë në mëngjes qengji, flia e kushtimit e vaji: është flia e shkrumbimit të përditshëm.
- 16 Kështu tha Zoti Hyj: Nëse princi do t`ia japë si dhuratë ndonjërit ndër të bijtë nga tra shëgimi i vet, ajo gjë do të jetë pronë e të bijve: do ta kenë pronë të trashëgimit.
- 17 Por, në qoftë se nga prona e tij i dhuron ndonjë shërbëtori të vet, ajo gjë do t`i takojë atij deri në vitin e kthimit, atëherë do t`i kthehet princit: pronën e princit mund ta trashëgojnë vetëm të bijtë.
- 18 Princi nuk guxon të përvetësojë asgjë nga prona e popullit e t`i dëbojë ata prej pronës, por pronën e vet do t`ua lërë bijve të vet, që populli të mos shpëdahet, i dëbuar nga prona e vet.
- 19 Atëherë më priu nëpër hyrjen që është pranë derës, në kthinat e shenjta të priftërinjve që shihnin në veri. Dhe, ja: atje në skaj, në anë të perëndimit, një dhomë.
- 20 Ai më tha: Ky është vendi, ku priftërinjtë do të ziejnë flitë e shpërblimit e për mëkate, ku do të ziejnë kushtimoret për të mos i qitur në oborrin e jashtëm e për të mos e shenjtëruar popullin.
- 21 Atëherë më çoi në tremen e jashtme dhe më kaloi nëpër katër këndet e tremes, dhe ja, në çdo kënd të tremes një treme e vogël.
- 22 Këto treme të vogla në këndet e tremes ishin dyzet kute të gjatë e tridhjetë të gjerë: të katërtat ishin me të njëjtën masë.
- 23 Të katërtat ishin të rrethuara me mur e rrëzë murit ishin të punuara furra gjithkund përreth.
- 24 Atëherë më tha: Këto janë furrat në të cilat do të ziejnë e do të pjekin shërbestarët e Tempullit të Zotit flitë e popullit.