Beselidhja e VjeterEzekieli: Kundër bjeshkëve të Izraelit
- 1 Atëherë më qe drejtuar fjala e Zotit. Më tha:
- 2 Biri i njeriut, sillu me fytyrë drejt bjeshkëve të Izraelit e profetizo kundër tyre.
- 3 Thuaj: Malet e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit Hyj! Kështu u thotë Zoti Hyj maleve, kodrave, luginave e vërrive: Ja, unë do ta çoj kundër jush shpatën dhe do t`i rrafshoj lartësitë tuaja;
- 4 do t`i rrënoj lterët tuaj, do të copëtohen shenjtëroret tuaja e të vrarët tuaj do t`i përplas para idhujve tuaj.
- 5 Do t`i plandos trupat e bijve të Izraelit para tempujve tuaj dhe eshtrat tuaja do t`i shkapërderdh para lterëve tuaj.
- 6 Në të gjitha vendbanimet tuaja qytetet tuaja do të shkretohen, lartësitë do të shkatërrohen që të rrënohen e të zhduken lterët tuaj, që të thërmohen e të zhduken idhujt tuaj, të rrafshohen tempujt tuaj e të shpartallohen veprat tuaja.
- 7 Të vrarët do të bien në mesin tuaj e do ta dini se unë jam Zoti.
- 8 Prapëseprapë do t`i kursej disa prej jush, që do të shpëtojnë prej shpatës, të cilët unë do t`i tres ndër paganë.
- 9 Atëherë, të mbeturve gjallë prej jush, do t`u bjerë ndër mend për mua ndër paganë, ku do t`i çoj në skllavëri, sepse do t`ua copëtoj zemrën e tyre të pabesë që u largua prej meje dhe sytë e tyre që bënë lavirësi me idhujt e tyre. Vetvetja do t`u neveritet për shkak të fajësive që bënë në të gjitha turpësitë e veta.
- 10 Atëherë do ta dinë se unë Zoti nuk fola kot se do t`ua çoj këto të këqija.Mëkatet e Izraelit
- 11 Kështu thotë Zoti Hyj: Rrahi shuplakat, bjeri tokës me këmbë e thuaj: Vaj! Për shkak të të gjitha turpësive të zeza shtëpia e Izraelit po shfaroset nga shpata, uria e murtaja!
- 12 Kush është larg, do të vdesë nga murtaja, kush është afër, do të bjerë nga shpata e kush i rrethuar të mbesë gjallë, do të vdesë nga uria, sepse do ta çoj në vend furinë time kundër tyre.
- 13 Do ta dini se unë jam Zoti, kur trupat e tyre do të mbesin rrah ndër idhujt e tyre, përreth lterëve të tyre, në çdo kodër të lartësuar, në majat e maleve e nën çdo pemë të gjelbër, nën çdo qarr shatorr -vend ku u kushtuan kem të erëndshëm të gjithë idhujve të vet!
- 14 Do ta shtrij dorën time mbi ta e do ta bëj vendin të shkretë e të përmbysur që nga shkretëtira e deri në Reblë, kudo të banojnë! Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti.