Beselidhja e VjeterEzekieli: Vegimi i mëkateve të Jerusalemit
- 1 Ishte viti i gjashtë, muaji i gjashtë e dita e pestë e muajit, unë isha në shtëpinë time e te unë ndodheshin pleqtë e Judës dhe, ja, dora e Zotit Hyj aty ra mbi mua.
- 2 Unë shikova dhe, ja, pashë diçka në përngjasim të njeriut. Prej asaj që dukej se ishin ijët e tij e poshtë: zjarr, kurse prej ijëve të tij e përpjetë, një pamje e shkëlqyeshme si e metalit të skuqur.
- 3 Ai shtriu një gjësend në përngjasim të dorës e më kapi për kaçurrela të kokës sime: një shpirt më ngriti mes tokës e qiellit e më çoi në vegime hyjnore në Jerusalem, në hyrje të derës së brendshme që shikon drejt veriut, ku ishte i vendosur idhulli i mendjes së zezë për të ngacmuar mendjen e zezë.
- 4 Dhe ja, aty ishte edhe lavdia e Hyjit të Izraelit, po me atë pamje me të cilën e kisha parë në luginë.
- 5 Ai më tha: Biri i njeriut, çoji sytë e tu në drejtim të veriut! Unë i lartësova sytë në drejtim të veriut, dhe ja, në anën e veriut të derës së lterit idhulli i mendjes së zezë, pikërisht në hyrje!
- 6 Atëherë vazhdoi: Biri i njeriut, a po sheh se çfarë po bëjnë këta? A po i sheh turpësitë e mëdha që po i bën këtu shtëpia e Izraelit që unë të largohem nga Shenjtërorja ime? Por ti do të shohësh ende turpësi të tjera edhe më të mëdha.
- 7 Atëherë më çoi te dera e tremes dhe pashë një vrimë në mur.
- 8 Më tha: Biri i njeriut, theje murin! Kur e theva murin, atëherë u pa një hyrje.
- 9 Vazhdoi e më tha: Hyr e shikoji turpësitë e tmerrshme që këtu i bëjnë ata!
- 10 Hyra e pashë çdo lloj zvarraniku e kafshësh të neveritshme e të gjithë idhujt e popullit të Izraelit të pikturuar gjithreth e rreth në mur.
- 11 Në këmbë para atyre pikturave qëndronin shtatëdhjetë pleqtë e shtëpisë së Izraelit e Jezonia, biri i Safanit, në mes, secili kishte në dorë kemoren, prej së cilësh ngrihej re tymi të erëndshëm.
- 12 Atëherë më tha: A po sheh, biri i njeriut, çfarë bëjnë të parët e shtëpisë së Izraelit në errësirë, secili në dhomën e idhullit të vet? Ata thonë: `Zoti ne nuk na sheh, Zoti e ka braktisur vendin`.
- 13 Pastaj më tha: Por ti do të shohësh turpësi edhe më të mëdha që i bëjnë këta.
- 14 Atëherë më çoi te dera e shtëpisë së Zotit që shikon kah veriu, dhe ja, aty rrinin gra, duke vajtuar Tamucin.
- 15 Më tha: Shiko, pra, biri i njeriut! Por do të shohësh turpësi edhe më të mëdha se këto!
- 16 Atëherë më çoi në tremen e brendshme të Tempullit; dhe ja, në derën e Tempullit të Zotit, ndërmjet tremes e lterit, ishin reth njëzet e pesë burra, me shpina të kthyera kundër Tempullit të Zotit e me fytyrë kah lindja, dhe me fytyrë përdhe adhuronin diellin!
- 17 Ai më tha: A po sheh, biri i njeriut? Po a nuk është kjo e tepërt për shtëpinë e Judës, që i bëjnë të gjitha këto turpësi këtu? Ata e mbushën vendin me fajësi dhune, ata gjithnjë e ngacmojnë zemërimit tim. Ja, si i vënë gemat në hundë!
- 18 Ja, pra, edhe vetë do të sillem me zemërim: syri im s`do të ketë dhimbje, mëshirë s`do të kem, kur me zë të fortë do t`u lëshojnë kushtrim veshëve të mi: s`do t`ua dëgjoj lutjen!