Beselidhja e VjeterDanieli: Danieli e priftërinjtë e Belit
- 1 Mbreti Astiagj qe varrosur përbri etërve të vet e Ciri persian ia trashëgoi mbretërinë.
- 2 Danieli jetonte me mbretin, i cili e çmonte më tepër se çdo mik tjetër.
- 3 Babilonasit kishin një idhull që quhej Bel. Për çdo ditë shpenzonin për të dymbëdhjetë artabë të më të mirit miell, dyzet dele dhe gjashtë masa verë.
- 4 Gjithashtu edhe mbreti e nderonte dhe çdo ditë shkonte për ta adhuruar. Danieli adhuronte Hyjin e vet. Mbreti i tha: Pse nuk e adhuron Belin?
- 5 Danieli iu përgjigj: Unë nuk i adhuroj idhujt e punuar me dorë, por vetëm Hyjin e gjallë, që krijoi qiellin e tokën e që ka pushtet mbi çdo gjallesë.
- 6 E mbreti i tha: Pse, a nuk të duket se Beli është hyj i gjallë? Pse a nuk sheh sa ha e pi çdo ditë?
- 7 Danieli iu përgjigj me buzë në gaz: Mos gabo, o mbret, sepse ai përbrenda është prej bote e përjashta është i artë: ai kurrë as s`ka ngrënë as s`ka pirë.
- 8 Mbreti, i zemëruar, i thirri priftërinjtë e Belit e u tha: Në mos më tregofshi se kush i ha këto ushqime, do t`ju vras!
- 9 Po në qoftë se ma vërtetoni se këto i ha Beli, do të vdesë Danieli, sepse blasfemoi kundër Belit. Danieli i tha mbretit: U bëftë sipas fjalës sate! Priftërinjtë e Belit ishin shtatëdhjetë pa numëruar gratë dhe fëmijët.
- 10 Mbreti erdhi me Danielin në tempullin e Belit.
- 11 Priftërinjtë e Belit i thanë: Ja, ne po dalim jashtë. Ti, o mbret, silli ushqimet e verën e përzier: pastaj mbylle derën e vulose me unazën tënde.
- 12 Kur të hysh në mëngjes, nëse nuk i gjen të gjitha të ngrëna nga Beli, na vra ne ose Danielin, i cili rrejti kundër nesh.
- 13 Ata s`e druanin vdekjen, sepse kishin punuar nën tryezë një hyrje të fshehtë e nëpër të hynin çdo ditë e i përlanin ushqimet.Danieli zbuloi dredhinë
- 14 Pasi ata dolën, mbreti i vendosi ushqimet para Belit. Danieli i urdhëroi shërbëtorët e vet e ata i sollën hi dhe e shpëdanë nëpër mbarë tempullin në prani vetëm të mbretit. Pastaj dolën jashtë, e mbyllën derën, e vulosën me unazën e mbretit dhe shkuan.
- 15 E priftërinjtë hynë natën, siç e kishin zakon, edhe gratë e fëmijët e tyre, i hëngrën dhe i pinë të gjitha.
- 16 Po edhe mbreti u ngrit në mëngjes shumë herët, e edhe Danieli bashkë me të.
- 17 Mbreti e pyeti: Daniel, a janë vulat shëndoshë e mirë?;Shëndoshë e mirë janë, o mbret;iu përgjigj Danieli.
- 18 Menjëherë, posa e hapi derën, si ia lëshoi hodhi sytë tryezës, mbreti brohoriti me zë të lartë: I madh je, o Bel, e me ty nuk ka kurrfarë dredhie!
- 19 Danielit i shpërtheu gazi, e mbajti mbretin të mos hynte brenda e tha: Shikoje truallin e mendo gjurmët e kujt janë këto!
- 20 Mbreti tha: Po shoh gjurmë trimash, grash e fëmijësh. Mbreti u hidhërua.
- 21 I kapi priftërinjtë, gratë e fëmijët e tyre, kurse ata i treguan hyrjen e fshehtë, nëpër të cilën hynin e hanin së bashku gjithçka ishte në tryezë.
- 22 Mbreti i vrau ata e Belin ia dha Danielit t`i bëjë atij çka të dojë. Ai e rrënoi atë dhe tempullin e tij.Danieli mbyt gjarprin
- 23 Ishte një kuçedër e madhe e babilonasit i jepnin nderim.
- 24 Mbreti i tha Danielit: S`ke si thua se ky nuk është një hyj i gjallë? Pra, adhuroje!
- 25 Danieli iu përgjigj: Unë adhuroj Zotin, Hyjin tim, sepse ai është Hyj i gjallë.
- 26 E ti, o mbret, më jep leje e unë do ta vras gjarprin pa shpatë e pa shkop. Mbreti i tha: Lejen e ke.
- 27 Atëherë Danieli mori peshkve, dhjamë e qime e i zjeu së bashku, bëri me to lëmsha dhe ia futi në gojë gjarprit e, pasi i hëngri, gjarpri plasi. Danieli tha: Shikoni se çka adhuronit!Danieli në shpellën e luanëve
- 28 Kur morën vesh babilonasit, të zemëruar sa s`ka, u bashkuan kundër mbretit e thanë: Mbreti u bë çifut: e shkatërroi Belin, e mbyti gjarprin e i vrau priftërinjtë!
- 29 Atëherë shkuan para mbretit e i thanë: Na e dorëzo Danielin, pëdryshe do të të vrasim ty dhe familjen tënde.
- 30 Pa mbreti se ishin sulur kundër tij me tërbim e, i shtrënguar prej ngushticës, ua dorëzoi Danielin.
- 31 Ata e hodhën në shpellën e luanëve e ndenji aty gjashtë ditë.
- 32 Në shpellë ishin shtatë luanë. Për çdo ditë u jepnin dy kufoma e dy dele. Asohere nuk u dhanë asgjë me qëllim që ta përpinin Danielin.
- 33 Profeti Abakuk ishte në Jude: kishte përgatitur një mëlmesë, në enë kishte përsheshur bukën e po nisej në fushë për t`ua çuar korrtarëve.
- 34 Por engjëlli i Zotit i tha Abakukut: Sillën që e ke në dorë, çoja Danielit në Babiloni. Është në shpellën e luanëve.
- 35 Abakuku iu përgjigj: Zotëri, Babiloninë s`e kam parë kurrë e shpella s`di se ku është.
- 36 Engjëlli e kapi në majë të kokës e, duke e mbartur për floku me fuqinë e shpirtit të vet e lëshoi në Babiloni përmbi shpellë.
- 37 Abakuku thirri e tha: Daniel, o Daniel, merre drekën që ta dërgoi Hyji.
- 38 Danieli tha: Të ka rënë ndër mend për mua, o Hyj; ti nuk i lëshon dore ata që të duan.
- 39 Danieli u çua e hëngri drekë, kurse engjëlli i Hyjit menjëherë e ktheu Abakukun në vendin e vet.
- 40 Të shtatën ditë mbreti erdhi që ta vajtojë Danielin. Kur arriti te shpella, shikoi brenda, dhe ja, Danieli po rrinte ndenjur.
- 41 Atëherë mbreti bërtiti me sa zë që kishte e tha: I madh je, o Zot, Hyji i Danielit, përveç teje Zot tjetër nuk ka!
- 42 Atëherë dha urdhër që ta nxjerrin Danielin nga shpella e i hodhi në shpellë ata që kishin kërkuar vdekjen e tij: luanët menjëherë i përlanë para syve të tij.