Beselidhja e VjeterDanieli: Luftimi i dashit e i cjapit
- 1 Të tretin vit të mbretërimit të mbretit Baltazar, unë Danieli, pata një vegim, pas atij që më ishte dukur më parë.
- 2 Unë po shikoja vegimin e, ndërsa po shikoja, më dukej se isha në kështjellën Suzë, që është në krahinën Elam; por në vegim pashë se isha në brigjet e lumit Ulaj.
- 3 I ngrita sytë e mi e shikova, dhe ja, një dash po qëndronte përbri lumit. Kishte dy brirë: brirët i kishte të mëdhenj, por njëri ishte më i lartë se tjetri e më i larti ishte rritur më vonë.
- 4 Pashë se dashi me brirë gjuante në perëndim, në veri e në mesditë. Asnjë kafshë nuk ishte në gjendje t`i bënte ballë, gjë e gjallë s`mund t`i shpëtonte. Bënte si donte vetë e u bë i madhërueshëm.
- 5 Unë po vëreja: dhe ja, nga perëndimi po ia beh një cjap përmbi sipërfaqen e tokës e këmbët nuk ia preknin tokën! Cjapi kishte ndërmjet syve një bri të mrekullueshëm.
- 6 Ia behu te dashi me brirë që e pashë se po qëndronte në breg të lumit dhe, me gjithë fuqinë që kishte, u sul kundër tij.
- 7 Pasi iu afrua dashit, pashë se u sul me tërbim kundër tij, i ra dashit e ia theu të dy brirët e dashi s`mundi t`i qëndrojë. Pasi e hodhi përtokë, e shkelmoi dhe askush s`mundi ta shpëtojë dashin prej tij.
- 8 Cjapi atëherë erdhi e u bë shumë i madh. Kur u bë i madh, iu thye briri i madh e, në vend të tij, lindën katër brirë në drejtim të katër erërave të qiellit.
- 9 Nga njëri prej tyre doli një bri i vogël, por u bë i madh në drejtim të mesditës, të lindjes e të vendit të fuqishëm.
- 10 U bë i madh deri në fuqitë qiellore, i flaku përtokë disa nga fuqitë qiellore e yjet dhe i shkelmoi.
- 11 U lartësua deri në Prijësin e Ushtrisë, ia mori flinë e përditshme dhe ia rrënoi Vendin e shenjtë.
- 12 Për shkak të mëkateve ushtria u ngrit kundër flisë së përditshme, përtokë u zhgërrye e vërteta: briri përparoi në gjithçka që ndërmori.
- 13 Dëgjova një shenjt duke folur dhe një shenjt i tha një tjetri, s`di se kujt, atij që po fliste: Deri kur do të vazhdojë kjo pamje: flia e përditshme e ndaluar, mëkati shkatërrues që po bëhet, Shenjtërorja dhe vendi i fuqishëm që po shkelmohet me këmbë?
- 14 Ai iu përgjigj: Edhe dy mijë e treqind mbrëmje e mëngjese e Shenjtërorja do të pastrohet.Engjëlli Gabriel shtjellon vegimin
- 15 Ndërsa unë, Danieli, kisha këtë vegim dhe mundohesha që ta kuptoja, ja, para meje qëndroi dikush si njeri.
- 16 Dëgjova zërin e një burri që prej Ulajt thërriste e thoshte: Gabriel, shtjelloja këtij vegimin!
- 17 Ai erdhi ku isha unë. Kur arriti, nga tmerri, rashë me fytyrë përdhe. Ai më tha: Biri i njeriut, merre vesh mirë, ky vegim është për kohën e fundit!
- 18 Ndërkohë që ai po fliste, unë rashë me fytyrë përdhe, por ai më preku e më çoi në këmbë.
- 19 Atëherë më tha: Ja, unë po të zbuloj çka do të ndodhë në mbarim të mallkimit, sepse mbarimi e ka kohën e caktuar.
- 20 Dashi që e pe se ka dy brirë: janë mbretërit e medëve e të persianëve,
- 21 kurse cjapi është mbreti i grekëve. Briri i madh, që e kishte ndërmjet syve, është mbreti i parë.
- 22 Çka pe se u thye briri e në vend të tij dolën katër të tjerë: janë katër mbretëritë që do të dalin prej popullit të tij, por s`do ta kenë fuqinë e tij.
- 23 Pas mbretërisë së tyre, kur t`i ketë mbuluar paudhësia, do të ngrihet një mbret i pafytyrë e dinak.
- 24 Fuqia e tij do të rritet, por jo prej fuqisë së vet. Do të shkaktojë rrënime sa s`mund të besohen, do t`i shkojnë punët për së mbari, do t`i vrasë të fortët edhe popullin e shenjtë.
- 25 Në saje të dinakërisë së tij, dredhia do të përparojë në duart e tij, do të krenohet në zemrën e vet dhe me dredhi do të bëjë të vriten me shumicë. Do të çohet edhe kundër princit të princave, do të zhduket pa i vënë kush dorë!
- 26 I vërtetë është vegimi i mbrëmjeve e i mëngjeseve, për të cilin u fol, por t`i vulose vegimin, sepse do të vërtetohet pas shumë ditëve.
- 27 Unë, Danieli, u meka dhe për disa ditë mbeta i sëmurë. Pastaj u çova e vijova të kryej punët që m`i kishte ngarkuar mbreti. Vegimi më kishte lënë të habitur, sepse s`ishte kush në gjendje që ta kuptonte.