Beselidhja e VjeterLevitiku: Ndalime në jetën seksuale
- 1 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 2 Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:Unë jam Zoti, Hyji juaj!
- 3 Mos veproni si veprohet në dheun e Egjiptit ku keni jetuar dhe mos bëni siç bëhet në dheun e Kanaanit, ku unë do t`ju çoj: ruhuni se i ndiqni doket e tyre!
- 4 Zbatoni rregullat e mia, mbani ligjet e mia, jetoni sipas urdhërimeve të mia.Unë jam Zoti, Hyji juaj:
- 5 mbani ligjet e urdhërimet e mia. Ai njeri që do t`i zbatojë, do ta gjejë jetën në to.Unë jam Zoti.
- 6 Askush të mos i afrohet farefisnorit të vet të afërm për t`i zbuluar lakuriqësinë e tij.Unë jam Zoti.
- 7 Mos e zbulo lakuriqësinë e babait e të nënës sate: ajo është nëna jote: mos e zbulo lakuriqësinë e saj.
- 8 Mos e zbulo lakuriqësinë e gruas së babait tënd: sepse është lakuriqësia e babait tënd.
- 9 Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës sate qoftë prej babait e qoftë prej nënës, qoftë e lindur në shtëpi apo jashtë.
- 10 Mos e zbulo lakuriqësinë e bijës së birit tënd as lakuriqësinë e bijës së bijës sate: sepse lakuriqësia e tyre është lakuriqësia jote.
- 11 Mos ia zbulo lakuriqësinë vajzës së gruas së babait tënd, që ia lindi babait tënd: është motra jote.
- 12 Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës së babait tënd, sepse është mishi i babait tënd.
- 13 Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës së nënës sate, sepse është mishi i nënës sate.
- 14 Mos e zbulo lakuriqësinë e ungjit tënd! D. m. th. mos iu afro gruas së tij! Sepse është gruaja e ungjit tënd.
- 15 Mos e zbulo lakuriqësinë e resë sate! Ajo është gruaja e djalit tënd! Mos e zbulo lakuriqësinë e saj!
- 16 Mos e zbulo lakuriqësinë e gruas së vëllait tënd, sepse është lakuriqësia e vëllait tënd.
- 17 Mos e zbulo lakuriqësinë e ndonjë gruaje e të bijës së saj. Mos u marto me vajzën e birit të saj as me vajzën e vajzës së saj për t`ua zbuluar lakuriqësinë e tyre, sepse janë mishi i saj: është punë e turpshme!
- 18 Mos e merr për grua motrën e gruas sate sa të jetë gruaja gjallë që të mos nxitësh mendjen e zezë duke i zbuluar lakuriqësinë e saj.
- 19 Mos iu afro gruas që vuan nga pastrimi mujor dhe mos ia zbulo ndytësinë e saj.
- 20 Mos bjer me gruan e të afërmit tënd që të mos dangosesh me përzierjen e farës.
- 21 Nuk guxon të japësh ndonjë fëmijë t`i flijohet Molokut, nuk guxon ta çnderosh emrin e Hyjit tënd. Unë jam Zoti!
- 22 Mos bjer me mashkull siç bihet me femër! Është vepër e tmerrshme!
- 23 Mos fëlliqëso me bagëti, mos u përdhos me të! Gruaja të mos fëlliqësojë me bagëti! Do të ishte një përdhosje e çoroditur.
- 24 Me asnjë prej këtyre mos u përdhosni! Me këto janë fëlliqur popujt, që unë do t`i zhduk para fytyrës tuaj!
- 25 Me to edhe toka u bë e papastër. Këndej edhe unë do ta ndëshkoj paudhësinë esaj. Ajo i volli banorët e vet!
- 26 Kurse ju, ju mbani ligjet e mia e urdhëresat e mia dhe mos e bëni asnjë prej këtyre fëllqësive, as ju vendasit as i huaji që banon ndër ju!
- 27 Të gjitha këto mbrapshti i bëri gjindja e vendit që ishte para jush dhe e fëlliqi dheun.
- 28 Ruajuni, pra, që edhe ju të mos ju vjellë toka, nëse e fëlliqni atë, ashtu si i volli popujt që qenë këtu para jush!
- 29 Secili që do ta bëjë njërën ose tjetrën prej këtyre mbrapshtive, do të zhduket prej gjirit të popullit të vet!
- 30 Mbani urdhërimet e mia! Ruhuni se ndiqni ndonjë prej këtyre zakoneve mos, o Zot, më zi! që i ushtruan ata që qenë para jush, që të mos përdhoseni me to. Unë jam Zoti, Hyji juaj!