Beselidhja e VjeterLevitiku: Urdhëresa morale e kultuale
- 1 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 2 Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju:Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj!
- 3 Secili prej jush le ta druajë t`ëmën e të atin e vet! Mbani të shtunat e mia! Unë jam Zoti, Hyji juaj!
- 4 Mos u ktheni kah hyjnitë e rreme dhe mos bëni për vete trupore idhujsh! Unë jam Zoti, Hyji juaj!
- 5 Kur t`i kushtoni Zotit fli pajtimi, bëni ashtu që t`i jeni të pëlqyeshëm.
- 6 Le të hahen atë ditë që të jenë kushtuar e të nesërmen; kurse, çkado që të teprojë për të pasnesërmen, le të digjet në zjarr.
- 7 Nëse do të hahet gjë prej saj të tretën ditë, do të ishte çnderim i gjësë së shenjtë dhe flia nuk do të pranohej.
- 8 Kush do ta hante, do ta mbarte mbi vete peshën e fajit që e përdhosi gjënë e shenjtë të Zotit: dhe i tilli do të zhduket prej popullit të vet.
- 9 Kur të korrësh prodhimet e tokës sate, mos e korr deri në skajin e arës sate dhe mos i mblidh kallinjtë që kanë rënë.
- 10 Kështu as në vreshtin tënd mos i mblidh vilet dhe kokrrat e rëna, por lëri t`i mbledhin skamnorët dhe udhëtarët. Unë jam Zoti, Hyji juaj.
- 11 Mos vidhni! Mos rreni! Askush mos ta gënjejë të afërmin e vet!
- 12 Mos u përbe rrejshëm me emrin tim e kështu ta përdhosësh emrin e Hyjit tënd. Unë jam Zoti.
- 13 Mos iu shpif të afërmit tënd dhe mos e rrëmbe.Fitimin e mëditësit mos e mbaj ti deri në mëngjes.
- 14 Mos e shaj të shurdhin e mos i qit para pengesës të verbërit, por druaje Hyjin tënd. Unë jam Zoti.
- 15 Mos bëni padrejtësi në gjyqe. Mos i mbaj krahun të varfërit as mos e përkrah të fortin: gjykoje me drejtësi të afërmin tënd.
- 16 Mos shpërpall shpifje në popullin tënd dhe mos bashkëpuno në gjakderdhjen e të afërmit tënd. Unë jam Zoti.
- 17 Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij.
- 18 Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti.
- 19 Ruani ligjet e mia!Mos lejo të mbarësohen kafshët e tua me kafshë të llojit tjetër. Arën tënde mos e mbill me farëra të ndryshme. Mos e vesh petkun që është i përbërë prej dy lloj pëlhurash.
- 20 Kush të bjerë me gruan që është skllave, por e fejuar për tjetërkë, porse ajo nuk është e shpërblyer me çmim dhe nuk i është dhënë liria, le të ndëshkohen të dy, por të mos vriten, sepse ajo nuk ka qenë e lirë.
- 21 Por, ai le ta sjellë në hyrje të Tendës së takimit një dash për fli shpërblimi në nder të Zotit:
- 22 kur prifti ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes me anë të dashit të shpërblimit në praninë e Zotit për mëkatin e bërë, atëherë asaj do t`i falet mëkati.
- 23 Kur të hyni në Tokën e premtuar e të mbillni pemë frutore të ndryshme, mbani frutat e tyre si të parrethprera: për tri vjet le të jenë për ju të parrethprera e të papastra: mos i hani!
- 24 Të katërtin vit të gjitha frutat e tyre le t`i kushtohen Zotit në një festë në lavdi të tij.
- 25 Vetëm të pestin vit filloni t`i hani frutat e tyre dhe vilni për vete prodhimet e tyre. Unë jam Zoti, Hyji juaj.
- 26 Mos hani asgjë me gjak.Mos ushtroni as shorti as magji.
- 27 Mos i qethni rrumbullak anët e flokëve tuaj e mos e shkurtoni mjekrrën.
- 28 Mos bëni prerje në trup për shkak të ndonjë të vdekuri dhe mos shkruani asfarë figurash në lëkurën tuaj. Unë jam Zoti.
- 29 Mos e çndero e mos e jep në lavirësi vajzën tënde që të mos fëlliqet toka e të mos mbushet me kobësi.
- 30 Mbani të shtunat e mia e kini nderim për Shenjtëroren time. Unë jam Zoti.
- 31 Mos u ktheni kah shortarët e dijetarët që të mos bëheni të papastër me anën e tyre. Unë jam Zoti, Hyji juaj.
- 32 Ngrehu në këmbë para flokthinjurit e nderoje njeriun e vjetër, druaje Hyjin tënd. Unë jam Zoti.
- 33 Nëse jeton me ty i huaji në tokën tuaj, mos e shtypni;
- 34 por le të jetë ndër ju si vendas dhe duaje si vetveten: edhe ju keni qenë të huaj në dheun e Egjiptit. Unë jam Zoti, Hyji juaj.
- 35 Mos bëni padrejtësi në gjyqe, në masa të gjatësisë, në peshore e në vëllim.
- 36 Masat kini të sakta: peshore të sigurta, efin e drejtë dhe hin-in. Unë jam Zoti, Hyji juaj, që ju kam nxjerrë nga dheu i Egjiptit.
- 37 Mbani të gjitha urdhërimet e mia e të gjitha vendimet e mia dhe kryeni ato. Unë jam Zoti.