Beselidhja e VjeterLevitiku: Rituali i të kremteve të vitit
- 1 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 2 Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:Këto janë të kremtet e Zotit, të cilat quani takime të shenjta.Ja të kremtet e mia:A. E shtuna
- 3 Gjashtë ditë punoni; e shtata ditë është e shtuna e pushimit të plotë: takimi i shenjtë. Mos bëni kurrfarë pune.Është ditë pushimi në nder të Zotit kudo që të banoni.
- 4 Dhe, ja, të kremtet e Zotit, takimet e shenjta që ju do t`i kremtoni në ditët e caktuara:B. Pashkët e Tëpabrumet
- 5 Të parin muaj, të katërmbëdhjetën ditë të këtij muaji në mbrëmje, janë Pashkët në nder të Zotit.
- 6 Të pesëmbëdhjetën ditë po të këtij muaji është e kremtja e Të pabrumeve në nder të Zotit. Për shtatë ditë hani bukë të pabrumë.
- 7 Ditën e parë le të jetë për ju takimi i shenjtë. Atë ditë mos punoni asnjë punë të rëndë;
- 8 për shtatë ditë çdo ditë kushtoni në nder të Zotit flinë e djegies. Po edhe e shtata ditë le të jetë për ju takimi i shenjtë. As atë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë.C. Dorëza e parë
- 9 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 10 Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:Kur të keni hyrë në tokën që unë do t`jua jap e t`i keni korrur të mbjellat, çojeni te prifti dorëzën e parë të korrjes tuaj.
- 11 Ai le ta lartësojë dorëzën para Zotit, që të jetë e pëlqyer për ju. Të nesërmen pas të shtunës prifti le ta kushtojë si fli paraqitjeje.
- 12 Po atë ditë kur ta kushtoni si fli paraqitjeje dorëzën, kushtojani Zotit një qengj vjetak, mashkull, të pa të metë fli shkrumbimi.
- 13 Përveç kësaj le të jetë edhe flia kushtimore bimore: dy të dhjetat e efit më të mirit miell të përzier me vaj si fli djegieje për erë të mirë në nder të Zotit dhe si njomje me verë: e katërta pjesë e hin-it.
- 14 Mos hani as bukë, as kokrra të fërguara, as kallinj të njomë prej të mbjellave para ditës në të cilën t`ia çoni këtë dhuratë Zotit. Është ligj i përhershëm ndër të gjitha breznitë tuaja kudo që të banoni.Ç. E kremtja e javëve
- 15 Të nesërmen e të shtunës kur ta keni sjellë dorëzën e lartësimit, numëroni shtatë javë të plota,
- 16 deri të nesërmen e ditës së plotësimit të shtatës javë, d. m. th. pesëdhjetë ditë. Atëherë kushtoni Zotit një fli të re.
- 17 Sillni prej banesave tuaja nga dy bukë për ritin e lartësimit, të përgatitura nga dy të dhjetat e efit të më të mirit miell të mbrume të pjekura: janë fryti i parë në nder të Zotit.
- 18 Bashkë me bukët kushtoni edhe shtatë qengja të pa të metë, vjetakë e, prej bagëtive të trasha, një mëzat, edhe dy desh si fli shkrumbimi në nder të Zotit bashkë me flinë kushtimore bimore dhe me njomjet e tyre si erë të këndshme në nder të Zotit.
- 19 Kushtoni edhe cjapin fli mëkatimi si edhe dy qengja vjetakë si fli pajtimi.
- 20 Prifti pasi t`i ketë kushtuar me ritin e lartësimit bashkë me bukët, frytet e para në nder të Zotit, bashkë me të dy qengjat: edhe kjo është gjë e shenjtë dhe le t`i përkasin priftit.
- 21 Po në këtë ditë thirreni takimin: le të jetë për ju takimi i shenjtë: këtë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë. Është ligj i përhershëm për ju brez pas brezi kudo që të banoni.
- 22 Kur të kori të mbjellat e tokës tuaj, mos e kori deri në anë të arës dhe mos i mblidhni kallinjtë që mbesin, por lëreni për skamnorë e për shtegtarë. Unë jam Zoti, Hyji juaj.D. Dita e parë e të shtatit muaj
- 23 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 24 Thuaju bijve të Izraelit:I shtati muaj, dita e parë e muajit, le të jetë ditë pushimi; ditë përkujtimore e shpallur me trumbetë, ditë takimi e shenjtë.
- 25 Atë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë; kushtoni në nder të Zotit një fli të djegur në zjarr.DH. Dita e Shpërblimit
- 26 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 27 Kurse të dhjetën ditë të këtij muaji të shtatë është dita e Shpërblimit dhe për ju të jetë ditë takimi të shenjtë: atë ditë agjëroni dhe kushtoni në nder të Zotit një fli të djegur në zjarr.
- 28 Shih këtë ditë mos bëni asfarë pune: është dita e Shpërblimit kur mbi ju do të kryhet riti i zgjidhjes para Zotit, Hyjit tuaj.
- 29 Çdo njeri që nuk do të agjërojë atë ditë, do ta zhduk prej popullit të tij;
- 30 dhe atë që të bëjë ndonjë punë atë ditë, do ta zhduk prej popullit të tij.
- 31 Pra, mos bëni asnjë punë atë ditë: është ligj i përhershëm për të gjitha breznitë tuaja kudo që të banoni.
- 32 Le të jetë për ju pushim shtunor. Agjëroni! Të nëntën ditë mbajeni këtë pushim shtunor prej mbrëmjes e deri në mbrëmje të së nesërmës.E. E kremtja e Tendave
- 33 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 34 Thuaju bijve të Izraelit:Të pesëmbëdhjetën ditë të këtij muaji të shtatë do të jetë festa e Tendave që zgjat shtatë ditë në nder të Zotit.
- 35 Të parën ditë kini takimin e shenjtë dhe atë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë.
- 36 Shtatë ditë kushtoni flinë e djegies në nder të Zotit. Të tetën ditë kini takimin e shenjtë dhe kushtoni në nder të Zotit flinë e djegies. Është ditë bashkimi: mos bëni asnjë punë të rëndë.Përfundimi
- 37 Këto janë të kremtet e Zotit që do t`i quani: takime të shenjta dhe kushtoni në to flinë e djegies në nder të Zotit, flitë e shkrumbimit dhe flinë kushtimore bimore, flinë e pajtimit dhe flinë e njomjes sipas ritualit të veçantë të secilës ditë,
- 38 përveç të shtunave të Zotit dhe përveç dhuratave të veçanta, përveç dhuratave kushtimore e vullnetare që i kushtoni Zotit.Përsëri për festën e Tendave
- 39 Porse, të pesëmbëdhjetën ditë të muajit të shtatë, kur t`i keni mbledhur frytet e tokës, kremtoni festën e Zotit për shtatë ditë: dita e parë e dita e tetë le të jenë pushim.
- 40 Të parën ditë meri fruta më të mira pemësh, gema palmash, rremba lëndësh plot gjethe të gjelbëra dhe gema shelqesh dhe gëzohuni në praninë e Zotit, Hyjit tuaj.
- 41 Kremtojeni këtë festë shtatë ditë për çdo vit: Ligj i përhershëm për breznitë tuaja. Kremtojeni festën në muajin e shtatë
- 42 dhe jetoni në tana për shtatë ditë; të gjithë që janë të gjakut të Izraelit, le të jetojnë nën tana,
- 43 që ta dinë pasardhësit tuaj se si kam bërë që izraelitët të jetojnë në tenda, kur i nxora nga dheu i Egjiptit. Unë jam Zoti, Hyji juaj.
- 44 E kështu Moisiu ua tregoi bijve të Izraelit të kremtet e Zotit.