Beselidhja e VjeterZakaria: Grishje për kthim
- 1 Kjo fjalë e Zotit i qe drejtuar në të tetinmuaj, në të dytin vit të Dariut, profetit Zakari, birit të Barakisë, të birit të Ados:
- 2 Zoti është zemëruar shumë kundër etërve tuaj.
- 3 Prandaj, thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kthehuni kah unë -thotë Zoti i Ushtrive, e edhe unë vetë do të kthehem kah ju;është fjala e Zotit të Ushtrive.
- 4 Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve u thoshin profetët e mëparshëm: `Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kthehuni nga udhët tuaja të këqija e nga synimet tuaja të këqija.` Por, ata s`dëgjuan as s`qenë në kujdes për mua, thotë Zoti.
- 5 Ku janë etërit tuaj? Po profetët a thua përgjithmonë do të jetojnë?
- 6 Fjalët e mia e urdhrat që ua dhashë shërbëtorëve të mi profetëve, a thua, vallë, nuk u plotësuan mbi etërit tuaj? Ata u kthyen e thanë: `Zoti i Ushtrive u soll me ne ashtu siç kishte vendosur të bëjë, sipas udhëve tona e mënyrës së sjelljes sonë. `Vegimi i parë: kalorësit
- 7 Kjo fjalë e Zotit i që drejtuar ditën e njëzetekatërt të muajit të njëmbëdhjetë, që është muaji Sabat, në vitin e dytë të Dariut, profetit Zakari, birit të Barakisë, birit të Ados.
- 8 Pata një vegim natën. Dhe, ja, një njeri mbi kalë të kuq. Qëndronte ndër merta që ishin në fund të luginës; pas tij ishin kuaj të kuq, të kuqrremtë e të bardhë.
- 9 Unë pyeta: Çka janë këta, Imzot? M`u përgjigj engjëlli që fliste me mua: Unë do të të dëftoj se çka janë këta.
- 10 U përgjigj ai burri që qëndronte ndër merta e tha: Këta janë ata që Zoti i dërgoi ta marrin dheun në sy.
- 11 Ata iu drejtuan engjëllit të Zotit që qëndronte ndër merta e thanë: E përshkuam tokën dhe, ja, mbarë toka është e banuar e në qetësi.
- 12 Atëherë mori fjalën engjëlli i Zotit e tha: O Zoti i Ushtrive, deri kur nuk do të kesh dhimbje për Jerusalemin e për qytetet e Judës, kundër të cilave je ndezur në hidhërim? Ky është tashmë i shtatëdhjeti vit!
- 13 Zoti iu përgjigj engjëllit që fliste me mua fjalë të mira, fjalë ngushëlluese.
- 14 Atëherë engjëlli që fliste me mua, më tha: Bërtit e thuaj: Kështu tha Zoti i Ushtrive: Kam një dashuri tejet ziliqare për Jerusalemin e për Sionin,
- 15 dhe flakë jam ndezur në zemërim kundër kombeve krenare, sepse unë u hidhërova pak, e ata bashkëvepruan për së tepërmi në të keqe.
- 16 Prandaj, kështu thotë Zoti: Po kthehem përsëri në Jerusalem me mëshirë. Në të do të ndërtohet Tempulli -thotë Zoti i Ushtrive;dhe plumçi do të shtrihet përsëri përmbi Jerusalem.
- 17 Bëje edhe këtë shpallje: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Qytetet e mia prapë do të mbushen me të mira. Zoti prapë do ta ngushëllojë Sionin, përsëri do ta zgjedhë Jerusalemin!