Beselidhja e VjeterNumrat: Kemoret
- 1 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 2 Urdhëroj Eleazarit, birit të Aronit prift, që t`i nxjerrë kemoret prej zjarrit e ta derdhë andej e këndej zjarrin prej tyre, sepse janë të shuguruara
- 3 me vdekjen e mëkatarëve. Le të bëjë prej tyre pllaka dhe le ta veshë lterin, sepse janë të shuguruara pasi qenë sjellë në praninë e Zotit. Le të jenë shenjë përkujtuese për bijtë e Izraelit.
- 4 Eleazari prift i mori kemoret bronzi në të cilat kushtuan ata që i përpiu zjarri, punoi prej tyre rrasëza dhe ia veshi lterit,
- 5 që bijtë e Izraelit ta kenë për më vonë për qortim: që të mos afrohet ndonjë laik, që nuk është prej barkut të Aronit, për t`i kushtuar Zotit kemin, nëse nuk do ta gjejë çka e gjeti Koreun e mbarë shoqërinë e tij, si i tha Zoti Moisiut.Ndërmjetësimi i Aronit
- 6 Të nesërmen mbarë bashkësia e izraelitëve nynykati kundër Moisiut e Aronit: Ju e mbytët popullin e Zotit!
- 7 Tani, ndërsa bashkësia po mblidhej kundër Moisiut e Aronit dhe po drejtoheshin drejt Tendës së takimit, atë e mbuloi Reja dhe u dëftua Lavdia e Zotit.
- 8 Moisiu e Aroni shkuan te Tenda e takimit.
- 9 Zoti i tha Moisiut:
- 10 Shmanguni prej mesit të kësaj bashkësie, sepse do ta shqym që të mbetet si shembull! Ata ranë me fytyrë përdhe.
- 11 Moisiu i tha Aronit: Kape kemoren, mbushe me zjarr prej lterit, qiti kem dhe vrapo te populli e kryeje mbi të ritin e zgjidhjes, sepse tashmë ka plasur hidhërimi i Hyjit dhe shuplaka filloi.
- 12 Aroni bëri ashtu dhe vrap u lëshua në mes të bashkësisë, që tashmë po e shkretonte vdekja. E flijoi timiamën dhe e kreu ritin e zgjidhjes mbi popull.
- 13 Qëndroi në këmbë ndërmjet të gjallëve e të vdekurve dhe vdekja pushoi.
- 14 Të goditurit prej shuplakës së Zotit qenë katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind vetë pos atyre që sharruan në kryengritjen e Koreut.
- 15 Aroni u kthye te Moisiu në hyrje të Tendës së takimit e atëherë zuri vend vdekja.Shkopi i Aronit
- 16 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 17 Fol me bijtë e Izraelit dhe merre për çdo fis nga një shkop, prej çdo kryeprijësi të fisit nga një shkop: dymbëdhjetë shkopinj dhe në shkopin e secilit shkruaje emrin e pronarit.
- 18 Emrin e Aronit shkruaje në shkopin e Levit, pasi për çdo fis do të jetë nga një shkop.
- 19 Shkopinjtë shtjeri në Tendën e takimit pranë Dëshmisë, atje ku ju takoj.
- 20 Atij që prej këtyre ta zgjedh, shkopi i tij do të bulëzojë. Kështu do t`i largoj prej meje ankimet e bijve të Izraelit që i bëjnë kundër jush.
- 21 Moisiu u tregoi izraelitëve dhe të gjithë kryeprijësit e çdo fisi i dhanë shkopinjtë. Ishin dymbëdhjetë shkopinj e ndër ta edhe shkopi i Aronit.
- 22 Pasi Moisiu i vendosi në praninë e Zotit në Tendën e Dëshmisë,
- 23 kur u kthye të nesërmen, pa se shkopi i Aronit, prej fisit të Levit, kishte bulëzuar: kishte bulëzuar, kishte qitur lulet, përhapur gjethet e pjekur bajamet!
- 24 Atëherë Moisiu i nxori prej pranisë së Zotit të gjithë shkopinjtë para izraelitëve: i panë dhe secili e mori shkopin e vet.
- 25 Zoti i tha Moisiut: Ktheje shkopin e Aronit pranë Dëshmisë. Aty le të ruhet si shenjë për bijtë e Izraelit kryengritës, që të marrin fund ankimet e tyre kundër meje e të mos vdesin.
- 26 Moisiu bëri siç i kishte urdhëruar Zoti.Roli shpërblyes i priftërisë
- 27 Bijtë e Izraelit i thanë Moisiut: Ja, na humbi fara! Mbaruam! Të gjithë sharruam!
- 28 Kushdo t`i afrohet Banesës së Zotit, vdes! A thua do të zhdukemi derisa të na shuhet fara?