Beselidhja e VjeterNumrat: Izraeli në Fegor
- 1 Izraeli nguli në Setim e populli filloi të bëjë fëlligështi me moabitet,
- 2 të cilat e grishnin popullin në flitë e kushtuara hyjnive të veta. Ata hanin dhe i adhuronin hyjnitë e tyre:
- 3 ranë kështu nën zgjedhën e Beelfegorit. Zoti u hidhërua dhe
- 4 i tha Moisiut: Merri të gjithë krerët e popullit dhe vari para Zotit në mundime me fytyrë kah dielli që të largohet hidhërimi im prej Izraelit.
- 5 Moisiu u tha gjykatësve të Izraelit: Le t`i vrasë gjithkush njerëzit e vet që ranë nën zgjedhën e Beelfegorit.
- 6 Dhe, ja, po atëherë, një izraelit e solli me vete ndër vëllezër një madianite ndër sy të Moisiut e të mbarë bashkësisë që po qante para derës së Tendës së takimit.
- 7 Kur e pa këtë gjë Fineesi, biri i Eleazarit, i biri i Aronit prift, u ngrit prej mbledhjes së bashkësisë, mori në dorë një heshtë,
- 8 hyri pas atij izraeliti në dhomë dhe i shporoi të dy, si trimin si gruan, në baqth. Kështu pushoi shfarosja e bijve të Izraelit.
- 9 E njëmend qenë vrarë njëzet e katër mijë vetë.
- 10 Atëherë Zoti i tha Moisiut:
- 11 Fineesi, biri i Eleazarit të Aronit prift, e largoi zemërimin tim prej bijve të Izraelit, sepse në mesin e tyre e pushtoi zelli im, kështu që unë nuk pata nevojë ta qes fare Izraelin.
- 12 Prandaj fol me të e thuaj: Unë po ia dhuroj besëlidhjen time të paqes,
- 13 që do të jetë si për të ashtu edhe për pasardhësit e tij. Kjo besëlidhje do t`u sigurojë priftërinë e përhershme, sepse u dëftua i zellshëm për Hyjin e vet dhe e kreu ritin e zgjidhjes mbi bijtë e Izraelit.
- 14 Emri i izraelitit, që u vra bashkë me madianiten, ishte Zambri, biri i Saluit, prijësi i një vëllazërie të fisit të Simonit;
- 15 kurse madianitja, që po ashtu qe vrarë, quhej Kozbi, bija e Surit, prijës i një fisi të Madianit.
- 16 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 17 Luftoni kundër madianitëve dhe goditni,
- 18 sepse ata vepruan me armiqësi kundër dhe ju tradhtuan me dredhi në rastin e Fegorit dhe të motrës së tyre Kozbisë, bijës së prijësit të Madianit, që u vra ditën e shfarosjes për shkak të Fegorit.