Beselidhja e VjeterNumrat: Ligji mbi kushte
- 1 Moisiu u tregoi izraelitëve gjithçka i kishte urdhëruar Zoti.Ligji mbi kushte
- 2 Atëherë Moisiu u tha prijësve të fiseve të izraelitëve: Ja çka urdhëroi Zoti:
- 3 Nëse ndokush ia bën Zotit ndonjë kusht, ose me përbetim zotohet të heqë dorë nga diçka, mos ta hajë fjalën e vet, por gjithçka premtoi le ta çojë në vend.
- 4 Gruaja, nëse i kushton çkado Zotit, ose zotohet me përbetim se do të heqë dorë nga diçka: nëse është në shtëpinë e t`et dhe ende në moshën e rinisë,
- 5 e i ati i saj e merr vesh se ka bërë atë kusht ose përbetim e nuk bën zë, atëherë janë të vlefshme të gjitha kushtet e saja e çfarëdo përbetimi që merr mbi vete.
- 6 Kurse, porsa dëgjon i ati, i kundërshton, si kushti si zotimi me betim i saj, janë të pavlefshëm, Zoti do ta falë, sepse i kundërshton i ati.
- 7 Nëse bën ndonjë kusht ose e lidh veten me mendjelehtësi me përbetim e zotim se do të përmbahet, po pastaj martohet:
- 8 atë ditë që burri i saj e merr vesh për këtë gjë e nuk i kundërshton, kushti është i vlefshëm dhe ajo duhet të kryejë, çkado që premtoi.
- 9 Kurse, kur i shoqi e merr vesh, i kundërshton bëhen të pavlefshme si kushti e premtimet e saja dhe me të cilat është lidhur: Zoti do t`ia falë.
- 10 Vejusha dhe e lëshuara çkado të kushtojnë, detyrohen ta plotësojnë.
- 11 Gruaja në shtëpinë e burrit, nëse lidhet me ndonjë kusht ose me përbetim merr ndonjë zotim,
- 12 nëse burri i saj merr vesh e hesht dhe nuk i kundërshton premtimit me kusht, duhet të kryejë çkado që premtoi.
- 13 Por, nëse burri, posa merr vesh, i kundërshton, nuk do të vlejë premtimi, sepse burri i kundërshton: dhe Zoti do t`ia falë.
- 14 Nëse u kushtua ose edhe lidhet me përbetim të bëjë pendesë me njënesë, burrit i përket ta pranojë ose ta mohojë kushtin.
- 15 Por, nëse i shoqi e merr vesh e hesht dhe e shtyn të vendosë prej ditës në ditë: çfarëdo që kushtoi ose premtoi, le ta çojë në vend, sepse, prej ditës që dëgjoi, heshti.
- 16 Por, nëse kundërshtoi, dikur vonë, përgjegjësinë e merr mbi vete për gabimin e gruas.
- 17 Këto janë ligjet që Zoti ia dha Moisiut lidhur me burrin e gruan, lidhur me babanë dhe të bijën ende të re që gjendet ende në shtëpinë e t`et.