Beselidhja e VjeterNumrat: Dritëzat e shandanit
- 1 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 2 Fol me Aronin e thuaj: Kur t`i ndezësh dritëzat, shtatë dritëzat duhet të bëjnë dritë në anë para shandanit.
- 3 Aroni bëri kështu dhe i vuri dritëzat mbi shandan ashtu siç i urdhëroi Zoti Moisiut.
- 4 Shandani ishte i punuar kështu: prej arit të farkuar si kërcelli i mesëm ashtu edhe boçat e tij. Shandani qe punuar sipas gjedhes që Zoti ia dëftoi Moisiut.Levitët janë të kushtuar Zotit
- 5 Prapë Zoti foli me Moisiun e tha:
- 6 Veçoji levitët prej mesit të bijve të Izraelit dhe pastroji
- 7 sipas këtij riti. Le të stërpiken me ujin e pastrimit e le t`i rruajnë të gjitha qimet e trupit të vet, le t`i lajnë petkat e veta e do të jenë të pastër.
- 8 Le ta marrin një mëzat dhe flinë kushtimore bimore endsën e ngjeshur me vaj. Merre ti një mëzat tjetër për flinë për mëkat.
- 9 Afroji levitët pranë Tendës së takimit dhe bashkoje mbarë bashkësinë e bijve të Izraelit.
- 10 Kur levitët të jenë vënë në praninë e Zotit, bijtë e Izraelit le t`i vënë duart mbi ta,
- 11 dhe Aroni le t`i kushtojë levitët me ritin e tundjes para Zotit si dhuratë prej bijve të Izraelit, që të shërbejnë në shërbesën e tij.
- 12 Po edhe levitët le t`i vënë duart e veta përmbi kokat e qeve, prej të cilëve njërin kushtoje fli për mëkat e tjetrin fli shkrumbimi në nder të Zotit, për të kryer mbi ta ritin e zgjidhjes.
- 13 Atëherë vëri levitët para Aronit dhe bijve të tij dhe kushtoja Zotit me ritin e tundjes,
- 14 dhe veçoji prej mesit të bijve të Izraelit që të jenë të mitë.
- 15 Vetëm atëherë le të hyjnë për të shërbyer në Tendën e takimit.Kështu pastroji dhe kushtoji me ritin e tundjes,
- 16 sepse më janë dhuruar si dhuratë prej mesit të bijve të Izraelit; i mora ata në vend të të gjithë të parëlindurve që lindin të parët në Izrael.
- 17 Sepse mua më përkasin të gjithë të parëlindurit e izraelitëve qofshin njerëz qofshin bagëti. Që prej ditës kur i vrava të gjithë të parëlindurit në dheun e Egjiptit, i shenjtërova ata për mua.
- 18 Këndej i mora levitët në vend të të parëlindurve të bijve të Izraelit
- 19 dhe ia dhashë Aronit dhe bijve të tij prej mesit të bijve të Izraelit që të më shërbejnë mua në vend të izraelitëve në Tendën e takimit, që mbi ta të kryejnë ritin e zgjidhjes që të mos i gjejë ndonjë e keqe izraelitët pse i janë afruar Shenjtërores.
- 20 Moisiu, Aroni dhe mbarë bashkësia e izraelitëve bënë mbi levitët gjithçka i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.
- 21 U pastruan dhe i lanë petkat e veta, edhe Aroni e kreu mbi ta ritin e tundjes para Zotit dhe e kreu mbi ta ritin e zgjidhjes që, të pastruar,
- 22 të hyjnë në shërbim në Tendën e takimit në praninë e Aronit e bijve të tij. Gjithçka u bë mbi levitët ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.Mosha e shërbimit
- 23 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 24 Ja një rregullore lidhur me levitët: njëzet e pesë vjeç e përpjetë le ta marrin detyrën për të shërbyer në Tendën e takimit
- 25 e kur t`i kenë plotësuar pesëdhjetë vjeç le të pushojnë nga shërbimi.
- 26 Por mund t`i ndihmojnë vëllezërve të vet në të kryer të shërbesave të tyre në Tendën e takimit, por nuk do të kenë më për detyrë të shërbejnë.Kështu vepro ndaj levitëve lidhur me detyrat e tyre.