Beselidhja e ReLuka: Thirrja e nxënësve të parë
- 1 Jezusi një ditë ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit,
- 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat.
- 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave;në atë që ishte e Simonit;dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.
- 4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit:Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.
- 5 Simoni i tha:Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t`i hedh rrjetat.
- 6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish;gati po u shqyheshin rrjetat.
- 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t`u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.
- 8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha:Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!
- 9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të;
- 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit:Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.
- 11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.Shërimi i të gërbulurit(Mt 8, 1-4; Mk 1, 40-45)
- 12 Ndërsa Jezusi po gjendej në një qytet, dhe ja, ia behu një njeri plot gërbulë! Kur e pa Jezusin, ra me fytyrë përdhe e iu lut:Zotëri, nëse do, ti mund të më pastrosh!
- 13 Jezusi shtriu dorën, e preku dhe tha:Dua, pastrohu!Dhe gërbula iu zhduk aty për aty.
- 14 Jezusi e porositi të mos i tregojë askujt, por:Shko;i tha;paraqitju priftit, ço flinë për shërimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu, që ta kenë për dëshmi.
- 15 Ndërkaq përhapej për të zëri përherë e më tepër e populli lëshohej me shumicë për ta dëgjuar e për t`u shëruar nga sëmundjet e veta.
- 16 E Jezusi tërhiqej në vende të vetmuara e lutej.Shërimi i të paralizuarit(Mt 9, 1-8; Mk 2, 1-12)
- 17 Një ditë Jezusi ishte duke mësuar. Ndër dëgjues kishte edhe farisenj e mësues të Ligjit, që kishin ardhur prej të gjitha fshatrave të Galilesë, të Judesë dhe prej Jerusalemit. Atë fuqia e Zotit e shtynte të shërojë.
- 18 Kur, ja disa njerëz po mbartnin në vig një njeri që ishte i paralizuar. Ata kërkonin ta shtienin brenda për ta vënë para tij.
- 19 Por nuk gjetën kah ta shtienin brenda prej turmës së popullit. Atëherë u ngjitën në pullaz, hoqën tjegullat dhe e lëshuan me gjithë vig mes njerëzve;para Jezusit.
- 20 Jezusi, duke parë fenë e tyre, tha:O njeri, të janë falur mëkatet!
- 21 Mësuesit e Ligjit e farisenjtë filluan të mendojnë:Kush është ky që po flet blasfemi? Kush mund t`i falë mëkatet, përveç një Hyji të vetëm?
- 22 Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:Çka po mendoni në zemrat tuaja?
- 23 Çka është më lehtë, të thuhet: `Të janë falur mëkatet`, apo të thuhet:`Çohu e ec?`
- 24 Mirë, pra, unë dua t`jua vërtetoj se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë;atëherë i tha të paralizuarit;Po të urdhëroj: çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!
- 25 I paralizuari, aty për aty, para syve të tyre, u ngrit në këmbë, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke e lavdëruar Hyjin.
- 26 Të gjithë i rrëmbeu habi e madhe, lëvdonin Hyjin dhe, plot frikë, thoshin:Sot pamë mrekulli të mëdha!Thirrja e Levit(Mt 9, 9-13; Mk 2, 13-17)
- 27 Pastaj Jezusi doli dhe në vendin e tatimit pa duke ndenjur një tagrambledhës, që quhej Levi. I tha: Eja pas meje!
- 28 Ai la gjithçka, u ngrit e shkoi pas tij.
- 29 Pastaj Levi i bëri gati në shtëpinë e vet një gosti të madhe. Bashkë me Jezusin rrinin në tryezë shumë tagrambledhës e njerëz të tjerë.
- 30 Farisenjtë dhe skribët e sektit të tyre, murmurisnin dhe u thanë nxënësve të tij:Pse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?
- 31 Jezusi u përgjigj:Të shëndoshët nuk kanë nevojë për mjek, por të sëmurit.
- 32 Unë nuk erdha t`i thërras të kthehen të drejtët, por mëkatarët.Çështja e agjërimit(Mt 9, 14-17; Mk 2, 18-22)
- 33 Atëherë ata i thanë:Nxënësit e Gjonit agjërojnë shpesh dhe luten, po ashtu edhe ata të farisenjve;përkundrazi, të tutë hanë e pinë.
- 34 Jezusi u përgjigj:A mund t`i bëni dasmorët të agjërojnë derisa dhëndri është me ta?
- 35 Tani vijnë ditët kur do t`ua rrëmbejnë dhëndrin, atëherë, në ato ditë do të agjërojnë.
- 36 U tregoi edhe krahasimin:Askush nuk e pret një copë prej petkut të ri për t`ia vënë petkut të vjetër, pëdryshe shqyen petkun e ri, kurse copa prej petkut të ri nuk përkon me petkun e vjetër.
- 37 Askush nuk e shtie verën e re në rrëshiqa të vjetër, sepse vera e re i pëlcet rrëshiqat kështu që edhe vera derdhet edhe rrëshiqat prishen:
- 38 por vera e re duhet të hidhet në rrëshiqa të rinj.
- 39 Askush, duke pirë verë të vjetër, s`i lakmon verës së re, sepse thotë: E vjetra është më e mirë!