Beselidhja e ReVeprat e Apostujve: Pali në Jerusalem
- 1 Si u ndamë prej tyre, hymë në barkë. Duke lundruar drejt, arritëm në Kos, të nesërmen në Rod, e prej andej në Patarë.
- 2 Pasi gjetëm një barkë që udhëtonte për Fenici, hipëm në të dhe morëm shpinën e detit.
- 3 Kur dolëm përballë Qipros, e lamë në krahun e majtë e vazhduam për Siri. Zumë vend në Tir, se anijes i duhej të shkarkonte mallrat.
- 4 Pasi i gjetëm nxënësit, u ndalëm aty shtatë ditë. Ata, të nxitur prej Shpirtit Shenjt, i thoshin Palit të mos ngjitej në Jerusalem.
- 5 Porse, kur kaluan ditët, vazhduam udhën. Na përcollën të gjithë me gra e me fëmijë, deri jashtë qytetit. Në breg të detit u ulëm në gjunjë dhe u lutëm.
- 6 U përshëndetëm, hipëm në barkë e ata u kthyen në shtëpitë e veta.
- 7 Kështu i dhamë fund lundrimit: prej Tirit arritëm në Ptolemaidë. I përshëndetëm vëllezërit dhe zumë vend një ditë me ta.
- 8 Të nesërmen u nisëm për rrugë dhe mbërritëm në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filipit ungjilltar, që ishte një nga të Shtatët, dhe zumë vend tek ai.
- 9 Ky kishte katër vajza virgjëresha, të cilat kishin dhuratën e profecisë.
- 10 Gjatë qëndrimit tonë shumëditor aty, prej Judeje zbriti një profet që quhet Agab.
- 11 Ky erdhi ndër ne, mori brezin e Palit, lidhi këmbët e duart e veta dhe tha: Kështu thotë Shpirti Shenjt: njeriun, brezi i të cilit është ky, çifutët po kështu do ta lidhin në Jerusalem dhe do t`ua dorëzojnë paganëve.
- 12 Kur i dëgjuam këto fjalë, si ne ashtu edhe vendasit, filluam t`i lutemi Palit që të mos shkojë në Jerusalem.
- 13 Pali u përgjigj: Pse po qani e po ma copëtoni zemrën? Unë jam gati, jo vetëm që të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për shkak të Emrit të Jezusit Zot.
- 14 E pasi s`mundëm t`ia mbushnim mendjen, s`iu vumë më gjatë e thamë: U bëftë vullneti i Zotit.
- 15 Pas këtyre ditëve, u bëmë gati dhe po ngjiteshim në Jerusalem.
- 16 Bashkë me ne erdhën edhe disa nxënës nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e një farë Mnasoni, nga Qiproja, nxënës i vjetër, që të banojmë tek ai.Pali i bën vizitë Jakobit
- 17 Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim.
- 18 Të nesërmen Pali, bashkë me ne shkoi te Jakobi, ku u mblodhën të gjithë udhëheqësit.
- 19 Pasi i përshëndeti, filloi t`u tregojë një nga një gjithçka kishte bërë Hyji me shërbesën e tij ndër paganë.
- 20 Ata, kur dëgjuan, i dhanë lavdërim Hyjit. Atëherë i thanë Palit: Ti po sheh, o vëlla, se me mijëra hebrenj e kanë pranuar fenë e të gjithë janë ithtarë të flaktë të Ligjit.
- 21 Ata kanë dëgjuar për ty se ti i mëson hebrenjtë që jetojnë ndër paganë t`i bien mohit Moisiut dhe se ti thua se s`duhet t`i rrethpresin fëmijët as t`i mbajnë traditat e të parëve.
- 22 Pra, çka të bëjmë? Me siguri do të dëgjojnë se ke ardhur.
- 23 Bëj, pra, ç`po të themi! Këtu ndër ne janë katër vetë që janë kushtuar.
- 24 Merri me vete e bashkë me ta kryeje ritin e pastrimit. Paguaj ti çka lypet për qethjen e kresë. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se çka dëgjuan për ty s`është e vërtetë, por përkundrazi, se edhe ti je në të drejtën dhe se e mban Ligjin.
- 25 E, për sa u përket paganëve të kthyer në fe, ne ua patëm dërguar çka vendosëm: të ruhen nga mishi i kushtuar idhujve, prej gjakut e prej mishit të bagëtive të furura e të mbytura në ujë dhe prej fëlligështisë.
- 26 Të nesërmen Pali i mori me vete ata njerëz, kreu bashkë me ta ritin e pastrimit, hyri në Tempull, caktoi ditën e fundit të pastrimit, kur për secilin prej tyre do të kushtohej flia.Palin e arrestojnë në Tempull
- 27 Kur këto shtatë ditë po merin fund, disa hebrenj prej Azisë e hetuan Palin në Tempull, çuan peshë mbarë dhe e kapën
- 28 duke bërtitur: Kushtrim, izraelitë! Ja, njeriu që gjithkund mëson gjithkënd kundër popullit tonë, kundër Ligjit dhe kundër këtij Vendi. Për më tepër i ka futur edhe grekët në Tempull dhe e ka dhunuar këtë Vend të shenjtë!
- 29 Sepse e kishin parë bashkë me të në qytet Trofimin prej Efesit dhe mendonin se Pali do ta kishte futur në Tempull.
- 30 Mbarë qyteti u përzie dhe populli ngarendi prej çdo ane. E kapën Palin, e hodhën jashtë Tempullit dhe menjëherë i mbyllën dyert.
- 31 Ndërsa ata po donin ta vrisnin, shkoi lajmi te tribuni i kohortës se mbarë Jerusalemi është ngritur në kryengritje.
- 32 Tribuni menjëherë mori ushtarët dhe centurionët e shkoi tek kryengritësit. Këta, kur e panë tribunin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin.
- 33 Atëherë iu afrua tribuni e kapi dhe urdhëroi të lidhet me dy palë hekura. Pastaj nisi të pyesë kush është dhe çka ka bërë.
- 34 Prej turmës dikush bërtiste një gjë, dikush një tjetër. E pasi prej zhurmës s`mund të merrte vesh gjë të sigurt, dha urdhër të çohej në kështjellë.
- 35 Kur Pali ngjiti shkallët, u desh që ushtarët ta mbartnin para duarsh për shkak të shtyrjes së popullit;
- 36 sepse turma e popullit i shkonte pas dhe bërtiste: Vritie!Pali mbron vetveten
- 37 Në atë çast kur po e shtinin në kështjellë, Pali iu drejtua tribunit: A kam leje të të them diçka?Po a di ti greqisht?;iu përgjigj tribuni
- 38 Pse, a s`je ti ai egjiptiani, që para disa ditësh çoi në kryengritje e mori pas vetes në shkretëtirë ata katër mijë thikëtarë?
- 39 Pali iu përgjigj:Unë jam hebre nga Tarsi i Cilicisë qytetar i qytetit të përmendur. Po të lutem më lejo t`ia them këtij populli dy fjalë.
- 40 Kur ai i dha leje, Pali, prej shkallëve, me dorë i dha shenjë popullit e, kur u bë heshtje e plotë, foli hebraisht: