Beselidhja e ReVeprat e Apostujve: Komploti i çifutëve kundër Palit
- 1 Pali ua nguli sytë anëtarëve të Këshillit të Lartë e tha:Vëllezër, deri në ditën e sotme kam jetuar para Hyjit me ndërgjegje të pastër.
- 2 Porse kryeprifti, Anania, urdhëroi t`i bien shputë gojës ata që qëndronin afër Palit.
- 3 Pali atëherë i tha:Do të të bjerë ty Hyji, he mur i zbardhuar! A ti rri në seli për të më gjykuar sipas Ligjit, e ti vetë kundër Ligjit urdhëron të më rrahin?!
- 4 Të pranishmit e përkujtuan:Si guxon ta nëmësh kryepriftin?
- 5 Nuk dita, vëllezër;u përgjigj Pali;se ky është kryeprifti. Sepse, vërtet, shkruan: `Kryetarin e popullit tënd mos e nëm!`
- 6 Pali e dinte se ata ishin një pjesë saducenj e një pjesë farisenj, prandaj tha me zë të lartë në Këshill: Vëllezër, unë jam farise dhe bir farisenjsh. Për shkak të shpresës në ngjalljen e të vdekurve jam këtu para gjyqit!
- 7 Posa Pali i tha këto fjalë, nisi grindja mes farisenjsh e saducenjsh dhe u bë përçarje në mbledhje.
- 8 Saducenjtë, në të vërtetë thonë se nuk ka ngjallje, s`ka engjëj, s`ka shpirt; kurse farisenjtë i besojnë të gjitha këto.
- 9 U bë zhurmë e madhe. Atëherë disa skribë të sektit të farisenjve, u ngritën dhe kundërshtuan me guxim: Ne nuk gjejmë;thanë;kurrfarë faji në këtë njeri. Çka atëherë, nëse i ka folur ndonjë shpirt ose ndonjë engjëll?
- 10 Pasi zhurma shkonte duke u rritur, tribuni nisi të frikësohej mos po e kapin Palin e po e copëtojnë, prandaj urdhëroi të ulet ushtria, ta marrë prej mesit të tyre e ta çojë në kështjellë.
- 11 Natën më pas Zoti iu dëftua Palit dhe i tha:Aspak mos u tremb! Si ke dëshmuar për mua në Jerusalem, po ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë.Komploti i çifutëve kundër Palit
- 12 Kur zbardhi drita, çifutët bënë komplot dhe u përbetuan se as s`do të hanë as nuk do të pinë pa e mbytur Palin.
- 13 Ata që e bënë këtë përbetim ishin më tepër se dyzet vetë.
- 14 Shkuan te kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit e u thanë: Me be jemi përbetuar të mos shijojmë asgjë me gojë para se ta mbysim Palin.
- 15 Prandaj ju, në marrëveshje me Këshillin, paraqitjani tribunit ta bjerë atë para jush gjasme dëshironi ta shqyrtoni më mirë çështjen e tij, e ne jemi gati ta mbysim para se ai të mbërrijë.
- 16 Por për pritën mori vesh i biri i motrës së Palit, shkoi e hyri në kështjellë dhe i tregoi Palit.
- 17 Pali thirri një centurion dhe i tha: Përcille këtë djalosh te tribuni! Ka diçka për t`i thënë:
- 18 Ky e mori, e çoi te tribuni dhe i tha: I burgosuri, Pali, më thirri e m`u lut ta përcjell këtë djalosh deri te ti se ka diçka për të të thënë.
- 19 Tribuni e mori djaloshin për dore, e ndau veçmas dhe e pyeti:Çfarë lajmi ke për të më dëftuar?
- 20 Ai i tha:Çifutët janë marrë vesh mes tyre të të bëjnë lutje t`ua çosh nesër Palin në Këshill, kinse duan ta hulumtojnë më imtësisht çështjen e tij.
- 21 Mos u beso, sepse i kanë vënë pritën më se dyzet vetë, të cilët janë përbetuar se as s`do të hanë as s`do të pinë para se ta mbysin Palin. Janë gati tani, veç presin pëlqimin tënd.
- 22 Atëherë tribuni e nisi djaloshin dhe i urdhëroi: Askujt mos i trego se ma ke sjellë këtë lajm.Pali dërgohet te Feliksi në Cezare
- 23 Atëherë tribuni grishi dy centurionë e tha: Bëni gati dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës e dyqind shigjetarë që pas orës së tretë të natës të nisen për Cezare.
- 24 Le të bëhet gati edhe shtaza, në të cilën të udhëtojë Pali e të çohet shëndoshë te Feliksi, qeveritari.
- 25 Shkroi edhe një letër me këtë përmbajtje:
- 26 Klaud LizjaShkëlqesisë së tij sundimtarit Feliks, shëndet!
- 27 Këtë njeri e kapën çifutët dhe, pak para se ta vrisnin, u lëshova me ushtri dhe ua nxora duarsh, pasi mora vesh se është nënshtetas romak.
- 28 Desha të di për çka e paditnin, prandaj e çova në Këshillin e tyre.
- 29 Mora vesh se e paditnin për çështje të diskutueshme me Ligjin e tyre dhe se nuk kishte kurrfarë faji që të meritojë vdekjen ose burgun.
- 30 Si mora vesh, pastaj, se kundër tij kanë bërë një komplot, e nisa te ti menjëherë e paditësit e tij i njoftova të të drejtohen ty për sa kanë kundër tij.
- 31 Ushtarët, pra, sipas urdhrit që patën, e morën Palin dhe natën e çuan në Antipatridë.
- 32 Të nesërmen i lanë kalorësit të vijojnë rrugën me të, kurse këmbësorët u kthyen në kështjellë.
- 33 Kur kalorësit arritën në Cezare, ia dorëzuan qeveritarit letrën dhe ia paraqitën Palin.
- 34 Pasi e lexoi letrën, e pyeti se prej cilës provincë ishte dhe, pasi mori vesh se ishte prej Cilicisë,
- 35 i tha: Do të dëgjoj kur të vijnë edhe paditësit e tu.Atëherë dha urdhër të ruhet në pallatin e Herodit.