Beselidhja e ReRomakëve: Gjyqi i drejtë i Hyjit
- 1 Prandaj, nuk do të kesh si të arsyetohesh, o njeri;kushdo të jesh;që gjykon tjetrin! Sepse duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, pasi ti që gjykon i bën të njëjtat gjëra.
- 2 Dhe ne mirë e dimë: gjykimi i Hyjit zbatohet sipas të vërtetës kundër atyre që bëjnë vepra të tilla.
- 3 A të thotë mendja, o njeri, ti që gjykon ata që bëjnë vepra të tilla, se do t`i shpëtosh gjyqit të Hyjit, ndërsa edhe ti bën të njëjtat veprime?
- 4 Apo ndoshta e bën në asgjë begatinë e mirësisë, të durimit e të bujarisë së Hyjit, duke mos u kujtuar se mirësia e tij të thërret e të nxit për kthim?
- 5 Me kryeneçësinë tënde dhe me zemër që nuk mendon të kthehet, ti grumbullon kundër vetes hidhërim për Ditën e zemërimit dhe për Ditën e dëftimit të Gjyqit të drejtë të Hyjit,
- 6 i cili do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij:
- 7 me jetën e pasosur ata që, me qëndresë në vepra të mira, kërkojnë lumturinë, nderin dhe pashkatërrueshmërinë;
- 8 ndërsa do të ketë zemërim e përbuzje për ata që me kryeneçësi i kundërshtojnë të vërtetës e i binden paudhësisë.
- 9 Çdo njeri që vepron të keqen do ta mbulojnë vuajtje e vështirësi: më parë judeun e pastaj grekun;
- 10 ndërsa, secili që vepron të mirën: më parë judeu e pastaj greku, do të ketë lumturi, nder e paqe!
- 11 Sepse Hyji nuk i mban kujt krah.
- 12 E njëmend, ata që pa Ligj mëkatuan, pa Ligj edhe do të birren; e ata që mëkatuan nën Ligj, do të gjykohen sipas Ligjit,
- 13 sepse, para Ligjit nuk janë të drejtë ata që e dëgjojnë Ligjin, por ata që e mbajnë Ligjin do të jenë të shfajësuar...
- 14 Sepse, paganët që nuk e kanë Ligjin, nëse e mbajnë Ligjin, të drejtuar prej natyrës, ata, edhe duke mos pasur Ligj, janë vetë Ligj për vetvete:
- 15 tregojnë se çka urdhëron Ligji është e shkruar në zemrat e tyre. Për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja e tyre, por edhe mendimet e brendshme, të cilat tani i padisin e tani i mbrojnë.
- 16 Kjo do të dalë në dritë atë Ditë, kur, sipas Ungjillit tim, Hyji do të gjykojë me anë të Jezu Krishtit gjithçka është e fshehtë në njerëz.Hebrenjtë dhe Ligji
- 17 Nëse, pra, ti që quhesh jude, që pushon i qetë në Ligjin e që mburresh me Hyjin,
- 18 ti që ia njeh Vullnetin, ti që, i mësuar me anë të Ligjit, di të dallosh çka është më e mirë,
- 19 ti që ia ke mbushur mendjen vetes se je udhëheqës i të verbërve, dritë për ata që janë në errësirë,
- 20 edukator i të padijshëmve, mësues i të vegjëlve, sepse në Ligj ke rregullën e dijes së vërtetë...
- 21 E mirë, ti që mëson tjetrin, veten pse nuk e mëson? Ti që predikon të mos vidhet, vetë pse vjedh?
- 22 Ti që ndalon kurorëthyerjen, vetë pse bën kurorëthyerje? Ti që urren idhujt, pse plaçkit tempujt?
- 23 Ti që mburresh me Ligjin, pse, duke shkelur Ligjin, fyen Hyjin?
- 24 Për të vërtetë: `Ju jeni;siç është në Shkrimin e shenjtë;shkaku që Emri im të shahet ndër paganë.`
- 25 Rrethprerja, s`po them se s`është e dobishme në qoftë se e mban Ligjin, por, në qoftë se e shkel Ligjin, rrethprerja jote bëhet parrethprerje.
- 26 Këndej, në qoftë se i parrethpreri e mban Ligjin, a thua parrethprerja e tij nuk vlerësohet rrethprerje?
- 27 Kështu, pra, ai që fizikisht është i parrethprerë, por që e zbaton Ligjin, do të të gjykojë ty, që, edhe pse e ke germën e Ligjit dhe je i rrethprerë, u bëre shkelës i Ligjit.
- 28 Sepse judeu i vërtetë nuk është ai që shitet përjashta si i tillë, si edhe rrethprerja e vërtetë nuk është ajo, shenja e pashme në mish,
- 29 por judeu i vërtetë është në brendinë, edhe rrethprerja e vërtetë është në zemër, sipas shpirtit e jo sipas germës së Ligjit.Lavdia e hebreut të vërtetë nuk vjen nga njerëzit, por prej Hyjit.