Beselidhja e ReRomakëve: Krahasim me martesë
- 1 Apo ndoshta nuk e dini, o vëllezër,;po flas me njerëz që e njohin Ligjin;se Ligji e detyron njeriun derisa ai është në jetë?
- 2 Kështu gruaja e martuar është e lidhur me burrin prej ligjit derisa ai është gjallë; por, po i vdiq burri, është e lirë prej ligjit që e lidhte me burrin.
- 3 Pra, derisa ta ketë burrin gjallë, po shkoi me ndonjë tjetër, do të quhet kurorëthyese. Por, po qe se i vdes burri, është e lirë prej ligjit dhe nuk është kurorëthyese, nëse martohet me një burrë tjetër.
- 4 Kështu, vëllezërit e mi, edhe ju, në saje të trupit të Krishtit, vdiqët kundrejt Ligjit, që t`i përkitni një tjetri;Atij që u ngjall nga të vdekurit;që të japim fryte për Hyjin.
- 5 E njëmend, kur ne ishim ende nën sundimin e mishit, prirjet e mëkateve, të ngacmuara nga Ligji, vepronin në gjymtyrët tona që të jepnim fryte për vdekje.
- 6 E tani u liruam nga pushteti i Ligjit, pasi vdiqëm për natyrën e vjetër që na mbante në robëri, kështu që ne shërbejmë në një jetë të re të Shpirtit Shenjt, e jo më në jetën e vjetër të shkronjës.Roli i Ligjit
- 7 Çka të themi atëherë? Se Ligji është mëkat? Mos, o Zot! Porse: për mëkatin nuk dita përveçse me anë të Ligjit, sepse nuk do të dija për prirje të keqe po të mos kishte thënë Ligji: Mos lakmo!
- 8 E mëkati, duke marrë rastin me anë të urdhrit, lindi në mua çdo lloj lakmimi. Sepse, pa Ligj, mëkati është i vdekur.
- 9 Po, unë dikur jetoja pa Ligj, por, kur erdhi urdhri, u ngjall mëkati,
- 10 e unë vdiqa. Kështu u pa se urdhri që duhej të më sillte jetën, më solli vdekjen,
- 11 sepse mëkati gjeti rastin që, me anë të urdhrit të më gënjejë dhe me anë të tij më vrau.
- 12 Kështu, pra, Ligji është i shenjtë, edhe urdhri është i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.
- 13 Po si atëherë një gjë e mirë për mua u bë vdekje? Kurrsesi! Porse, mëkati, duke u shërbyer me një gjë të mirë, për t`u treguar mëkat, më shkaktoi vdekjen;që mëkati të bëhet me anë të urdhrit, mëkatar më i madh.
- 14 Dhe e dimë: Ligji është shpirtëror, kurse unë jam qenie trupore e shitur mëkatit si skllav.
- 15 Dhe, vërtet, nuk di çfarë veproj, sepse nuk bëj çka dëshiroj, por, përkundrazi, bëj çka urrej.
- 16 Tashti, nëse bëj çka nuk kisha dashur, jam në përkim me Ligjin dhe pranoj se është i mirë.
- 17 Atëherë, nuk jam unë ai që vepron ashtu, por mëkati që është në mua.
- 18 Dhe e di se e mira nuk banon në mua;d. m. th. në natyrën time trupore: sepse ta dua të mirën jam i zoti, por jo edhe të veproj të mirën,
- 19 pasi nuk bëj të mirën që dua, por të keqen që nuk e dëshiroj, atë bëj.
- 20 Në qoftë, pra, se bëj atë që [unë] nuk do të dëshiroja ta bëja, kurrsesi nuk jam ai që e bëj atë, por mëkati që banon në mua.
- 21 Gjej, pra, se është ky ligj: kur dua të bëj të mirën, më vjen përdoresh e keqja.
- 22 Në qenien time të brendshme me kënaqje të plotë përkoj me Ligjin e Hyjit,
- 23 porse hetoj në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, i cili lufton kundër ligjit të arsyes sime dhe më robëron me ligjin e mëkatit, që banon në gjymtyrët e mia.
- 24 Oh sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që i përket vdekjes?
- 25 Lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë! Prandaj: unë me mendje i shërbej Ligjit të Hyjit, kurse me trup ligjit të mëkatit.