Beselidhja e ReRomakëve: Shpirti i Hyjit jep jetën
- 1 Nuk ka, pra, tani kurrfarë dënimi për ata që janë në Jezu Krishtin.
- 2 Sepse, Ligji i Shpirtit Shenjt që më jep jetën në Jezu Krishtin, më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.
- 3 Vërtet, çka ishte e pamundur për Ligjin;sepse natyra e njeriut e bënte të paaftë;e bëri Hyji: Ai dërgoi Birin e vet në gjendjen e trupit të mëkatit, si fli për mëkatin dhe e dënoi mëkatin në trup,
- 4 në mënyrë që drejtësia, që kërkon Ligji, të plotësohet në ne që nuk jetojmë nën ndikimin e trupit, por të Shpirtit Shenjt.
- 5 E në të vërtetë: ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, jepen pas gjërave të trupit, e ata që jetojnë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, jepen pas gjërave shpirtërore:
- 6 të bësh çka dëshiron trupi, sjell vdekjen e të bësh çka dëshiron Shpirti Shenjt, sjell jetën e paqen.
- 7 Sepse, prirja e trupit është kundër Hyjit: nuk i bindet Ligjit të Hyjit, madje as nuk mundet.
- 8 Ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t`i pëlqejnë Hyjit.
- 9 Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij.
- 10 E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë.
- 11 Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t`i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
- 12 Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit:
- 13 sepse, në qoftë se jetoni sipas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni.
- 14 Sepse bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit.
- 15 Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë!
- 16 Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit.
- 17 E nëse jemi fëmijë;atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të.Lumturia do të vijë
- 18 Në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne.
- 19 E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit:
- 20 krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë;jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi;porse njëmend në shpresë.
- 21 Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit.
- 22 Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani.
- 23 Dhe jo vetëm ajo! por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin;shpërblimin e trupit tonë.
- 24 Vërtet, kemi qenë shëlbuar, por në shpresë. Porse shpresa që shihet, nuk është shpresë. Sepse, çka dikush e sheh, si mund ta shpresojë?
- 25 Nëse, pra, shpresojmë çka nuk shohim, atë gjë e presim me qëndresë.
- 26 Kështu, pra, edhe Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshamë të patregueshme.
- 27 E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt;se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji.
- 28 Ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur.
- 29 Sepse, ata të cilët i ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve.
- 30 Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.Dashuria e Hyjit
- 31 Çka, pra, të themi tjetër lidhur me këtë? Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh?
- 32 Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë ne, e si atëherë, bashkë me Të, nuk do të na japë çdo gjë?
- 33 Kush do t`i padisë të zgjedhurit e Hyjit? Hyji shfajëson!
- 34 Kush do të dënojë? Krishti [Jezus] vdiq, për më tepër edhe u ngjall! Ai qëndron në të djathtën e Hyjit,;Ai ndërmjetëson për ne!
- 35 Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata?
- 36 Siç është në Shkrimin e shenjtë: `Për shkak tënd na vrasin si një ditë për ditë, na çmojnë porsi dele të caktuara për t`u prerë.`
- 37 E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur.
- 38 Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë,
- 39 as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë.