Beselidhja e Re2 e Korintasve: Visari në enë argjile
- 1 E pasi Hyji, prej mirësisë së vet, na pajisi me këtë shërbesë hyjnore, këndej edhe nuk na lëshon zemra.
- 2 Përkundrazi, duke mos përdorur mënyra shtiarake turpëruese, duke mos jetuar me dinakëri, ne nuk e shtrembërojmë fjalën e Hyjit, por, përkundrazi, duke shfaqur të vërtetën, i porositemi çdo ndërgjegjeje të njerëzve para Hyjit.
- 3 E nëse, megjithatë, Ungjilli ynë mbetet i mbuluar, është i mbuluar vetëm për ata që dënohen,
- 4 për ata që nuk besojnë, të cilëve hyji i kësaj bote ua mori mendtë që të mos i ndriçojë drita e Ungjillit të lavdisë së Krishtit që është figura e Hyjit.
- 5 Sepse ne nuk predikojmë vetveten, por Jezu Krishtin Zot, ndërsa vetveten e shpallim shërbëtorët tuaj për dashuri të Jezusit.
- 6 Sepse, Hyji që tha: Prej errësirës le të shndrisë drita!, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit.
- 7 Por ne e mbajmë këtë visar në enë argjile, që kjo fuqi e pakrahasueshme të shihet se është e Hyjit e jo prej nesh.
- 8 Po, nga çdo anë jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar,
- 9 të salvuar po, por jo të lënë, të hedhur andej-këndej po, por jo të rrëzuar,
- 10 gjithmonë i mbartim në trupin tonë grahmat e vdekjes së Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë.
- 11 Sepse, gjithmonë të gjallë, jemi gati të vdesim për dashurinë e Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm.
- 12 Kështu në ne vepron vdekja, kurse në ju jeta.
- 13 E pasi kemi të njëjtin shpirt feje, siç është në Shkrimin e shenjtë: `Besova, prandaj edhe fola`, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim,
- 14 sepse e dimë se Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes.
- 15 E të gjitha këto ngjajnë për ju: që hiri;i shumëzuar;të bëjë sa më të begatshëm falënderimin e bashkësisë së shtuar, në lavdi të Hyjit.Jeta me fe
- 16 Prandaj, nuk e humbim guximin, por, edhe nëse njeriu ynë i jashtëm shkon duke u shkatërruar, njeriu i brendshëm dita-ditës përtërihet.
- 17 Sepse vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme na sjell një lavdi të përjetshme, pa krahasim më të madhe.
- 18 Ne nuk kemi për qëllim të fitojmë gjërat e dukshme, por ato që nuk shihen; sepse gjërat e dukshme janë të përkohshme, kurse gjërat që nuk shihen janë të përjetshme.