Beselidhja e VjeterLigji i Përtërirë: Të cekur historik
- 1 Moisiu bashkoi mbarë Izraelin dhe u tha:Ju patë vetë gjithçka u bëri Zoti në praninë tuaj në tokën e Egjiptit faraonit, nëpunësve të tij dhe mbarë vendit të tij:
- 2 provat e mëdha që i panë sytë e tu, shenjat e mrekullitë e mëdha.
- 3 Megjithatë, deri më sot, Zoti nuk ju dha mendje për të marrë vesh, sy për të parë e veshë për të dëgjuar.
- 4 Ju priva për dyzet vjet nëpër shkretëtirë. Nuk u shqyen petkat tuaja as s`u shtorën sandalet tuaja.
- 5 Bukë nuk hëngrët, verë as pije dehëse nuk pitë që ta dinit se unë jam Zoti, Hyji juaj.
- 6 Atëherë arritët në këtë vend. Rrugës na dolën para për të luftuar me ne Sehoni, mbreti i Hesebonit, dhe Ogu, mbreti i Basanit, e ne i shpartalluam.
- 7 E pushtuam tokën e tyre dhe ua dhamë për trashëgim Rubenit, Gadit e gjysmës së fisit të Manaseut.
- 8 Mbani, pra, fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe vini në zbatim që të dilni me faqe të bardhë në gjithçka të ndërmeri.Besëlidhja në Moab
- 9 Ju të gjithë po qëndroni sot para Zotit, Hyjit tuaj: krerët tuaj, fiset, pleqtë e mbikëqyrësit, çdo burrë izraelas,
- 10 fëmijët, gratë tuaja dhe ardhacaku yt që me ty banon në zemërimië, prej druprerësve deri tek ata që nxjerrin ujë për ty,
- 11 për të hyrë në besëlidhje të Zotit, Hyjit tënd, të përforcuar me përbetim, të cilën sot Zoti, Hyji yt, po e lidh me ty,
- 12 me qëllim që të të bëjë sot popull të vetin e që Ai të jetë Hyji yt, siç të ka thënë ty e siç u është përbetuar etërve të tu Abrahamit, Izakut e Jakobit.
- 13 E këtë bësëlidhje të përforcuar me përbetim nëmësjellës unë nuk po e lidh vetëm me ju,
- 14 por edhe me të gjithë të pranishmit këtu me ne para Zotit, Hyjit tonë, e me të gjithë ata që sot nuk janë këtu me ne.
- 15 Sepse e dini mirë se kemi jetuar në tokën e Egjiptit dhe se kaluam nëpër popuj, dhe duke i përshkuar ata,
- 16 i patë poshtërsitë dhe idhujt e tyre që i adhuronin: dru, gur, argjend e ar.
- 17 Të mos gjendet në mesin tuaj kurrsesi asnjë njeri, grua, familje, fis që ta ketë zemrën e tij sot të shkëputur prej Zotit, Hyjit tonë, e të shkojë t`u shërbejë zotave të atyre popujve; të mos gjendet kurrsesi ndër ju asnjë rrënjë që prodhon helm e pelin!
- 18 Askush, pasi t`i ketë dëgjuar fjalët e këtij përbetimi nëmësjellës, të mos llastohet në zemrën e vet e të thotë: `S`do të më mungojë asgjë edhe pse jetoj sipas mendjes sime. Le të shkojë e njoma nëpër të thatën!`
- 19 Zoti atë s`do ta falë! Madje, atëherë edhe më tepër do të turfëllojë zemërimi i tij e zilia kundër atij njeriu, mbi të do të bien të gjitha mallkimet që janë të shkruara në këtë libër dhe Zoti do ta shlyejë emrin e tij për nën qiell!
- 20 Zoti do ta ndajë, për të keqen e tij, prej të gjitha fiseve të Izraelit, në përkim me të gjitha nëmët e besëlidhjes të shkruara në këtë libër të Ligjit.Synimet e mërgimit
- 21 Dhe, ja, ç`do të thotë breznia e ardhshme, fëmijët tuaj, që do të vijnë pas jush, dhe i huaji që do të vijë prej së largu, kur të shohin plagët e kësaj toke dhe sëmundjet me të cilat do ta ndëshkojë Zoti:
- 22 `Mbarë toka s`qenka tjetër veçse sulfur e kripë! Krejtësisht e djegur! S`paska pse të mbillet! Pa blerim! S`u rritka asnjë pemë porsi në Sodomë e në Gomorrë, si në Adamë e në Seboim, që Zoti në zemërimin e vet i rroposi!`
- 23 Mbarë popujt do të pyesin: `Përse Zoti ia bëri kështu këtij vendi? Përse u ndez flakë gjithë ky zemërim?`
- 24 Atëherë do të përgjigjen:`Sepse e prishën besëlidhjen e Zotit, Hyjit të etërve të tyre, që e lidhi me ta, kur i nxori nga toka e Egjiptit,
- 25 dhe u shërbyen hyjnive të huaja dhe i ardhuruan ato:;hyjni që nuk i njihnin e që Zoti nuk ua kishte caktuar.
- 26 Prandaj u zbraz hidhërimi i Zotit mbi këtë vend dhe ia çoi të gjitha mallkimet që janë të shkruara në këtë libër.
- 27 Zoti në hidhërimin e madh, në zemërim dhe me zemërim i shpëguli prej vendit të tyre dhe i flaku në dhe të huaj, siç është edhe sot.`
- 28 Fshehtësitë i takojnë Zotit, Hyjit tonë, kurse gjërat e zbuluara janë për ne e për fëmijët tanë që të vihen në zbatim të gjitha fjalët e këtij ligji.