Beselidhja e VjeterLigji i Përtërirë: Pabesnikëria e Feorit dhe urtia e vërtetë
- 1 E tani, o Izrael, dëgjo urdhërimet dhe rregulloret që po jua mësoj që, duke i kryer ato, të jetoni dhe të hyni e ta bëni pronë tokën që Zoti, Hyji i etërve tuaj, do t`jua japë.
- 2 Mos u shtoni asgjë urdhrave që po ju jap dhe mos u mungoni asgjë! Mbani urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj, që po jua jap unë.
- 3 Sytë tuaj panë gjithçka Zoti bëri kundër Beelfegorit, sesi i përfaroi të gjithë adhuruesit e tij prej mesit tuaj,
- 4 kurse ju që i qëndroni besnikë Zotit, Hyjit tuaj, jeni gjallë të gjithë deri në ditën e sotme.
- 5 Ja, po ju mësoj urdhërimet e rregulloret, si më urdhëroi Zoti, Hyji im, që t`i zbatoni në tokën që do ta meri pronë,
- 6 që t`i mbani e t`i vini në zbatim. Kjo do t`ju bëjë të dijshëm e të urtë në sytë e popujve. Kur t`i kenë dëgjuar të gjitha këto urdhërime, do të thonë:`Ja, një popull i dijshëm e i kuptueshëm! Ky qenka popull madhor!`
- 7 E njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërueshem, që t`i ketë hyjnitë e veta kaq afër vetes, siç është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?!
- 8 Dhe, ku ka një popull tjetër kaq të përmendur që të ketë urdhërime e rregullore të drejta, siç është i tërë ky Ligj, që unë sot po e shtroj para syve tuaj?!Zbulesa e Horebit dhe kërkesat e saj
- 9 Kujdes, pra, ki mendjen mirë të mos i harrosh assesi ngjarjet që i pe me sytë e tu e të mos zbehen askurrë gjatë krejt jetës sate! Mësojua fëmijëve e nipave të tu!
- 10 Ti ishe aty pranë në praninë e Zotit, Hyjit tënd, në Horeb, kur Zoti më urdhëroi:` Bashkoje popullin rreth meje! Dua t`i dëgjojnë urdhrat e mi e të mësojnë të më druan e të më nderojnë për sa kohë të jetojnë mbi tokë dhe t`i mësojnë fëmijët e vet. `
- 11 E ju u afruat e qëndruat në këmbë në rrëzë të malit, i cili digjej flakë deri në qiell. Ishte errësirë, re e terr i dendur!
- 12 Prej mesit të zjarrit ju foli Zoti: tingullin e fjalëve e dëgjuat, por trajtën e folësit nuk e patë.
- 13 Jua shpalli besëlidhjen e vet dhe ju urdhëroi ta zbatoni;Dhjetë Urdhërimet, që i shkroi në dy rrasat e gurta.
- 14 Asohere më urdhëroi edhe mua t`jua mësoj urdhërimet e rregullat që duhet t`i vini në veprim në tokën që do ta meri trashëgim.
- 15 T`ia vini mendjen mirë vetes: atë ditë, kur Zoti foli në Horeb prej mesit të zjarrit, ju nuk patë kurrfarë trajte të tij.
- 16 Kini kujdes që rastësisht të mos prisheni e të punoni për vete ndonjë idhull, ndonjë trajtë çfarëdo të ndonjë hyjnie, figurë njeriu a gruaje,
- 17 figurë, s`ka rëndësi, të së cilës bagëti që jeton mbi tokë, o të shpendëve që fluturojnë nën kupën qiellore,
- 18 ose të zvarranikëve që lëvizin mbi tokë, ose të peshqve që jetojnë në ujë nën tokë;
- 19 dhe që, duke ngritur sytë në qiell, të shikosh diellin, hënën e yjet;mbarë ushtrinë qiellore;dhe të mos tradhtohesh prej gabimit e t`i adhurosh e t`u shërbesh! Këto gjëra ua dha Zoti, Hyji yt, të gjithë popujve që janë nën qiell,
- 20 kurse ju Zoti ju nxori nga furrënalta e hekurit të Egjiptit, që t`ju ketë popull pronë, siç jeni edhe sot e kësaj dite.Synime ndëshkimi e kthimi
- 21 Porse, për shkak tuaj, u hidhërua kundër meje dhe u përbetua se nuk do ta kaloja Jordanin dhe se nuk do të hyja në të mirën tokë, të cilën Zoti, Hyji yt, do ta japë ty trashëgim.
- 22 Ja, do të vdes në këtë vend e nuk do ta kapërcej Jordanin; ju do të kaloni dhe do ta trashëgoni këtë tokë të bekuar.
- 23 Ruajuni fort, të mos e harroni kurrsesi besëlidhjen e Zotit, Hyjit tuaj, që e lidhi me ju e të gaboni e të punoni trajta të gdhendura të çfarëdo kafshe që Zoti, Hyji juaj, i ndaloi të bëhen.
- 24 Sepse Zoti, Hyji yt, është zjarr përpijës, Perëndi ziliqar.
- 25 Kur t`ju lindin fëmijë e nipa e të keni banuar gjatë në atë vend dhe, nëse prisheni e punoni çfarëdo idhulli, e kështu veproni keq para Zotit, Hyjit tënd, duke e ngacmuar të hidhërohet,
- 26 pasha qiellin e pasha tokën, që po jua bëj unë sot, do të zhdukeni shpejt prej tokës që do ta trashëgoni pasi të kaloni Jordanin. Nuk do të jetoni gjatë në të, por do t`ju shfarosë Zoti
- 27 dhe do t`ju shpëdajë ndër popuj, dhe pak prej jush do të mbesin gjallë nëpër kombe, ndër të cilat to t`ju tresë Zoti.
- 28 Atje do t`u shërbeni hyjnive që i punoi dora e njeriut, prej drurit dhe gurit, që nuk shohin as s`dëgjojnë, që s`hanë as marrin erë.
- 29 Atëherë prej atje do ta kërkosh Zotin, Hyjin tënd; do ta gjesh nëse do ta kërkosh me gjithë zemër e me gjithë shpirt.
- 30 Pasi në vështirësinë tënde të kanë ndodhur të gjitha këto që janë parathënë, dikur do të kthehesh te Zoti, Hyji yt, dhe atëherë do ta dëgjosh zërin e tij,
- 31 sepse Zoti, Hyji yt, është Hyj i mëshirshëm. Ai nuk do të heqë dorë prej teje, as nuk do të të shfarosë krejtësisht, as nuk do ta qesë në harresë besëlidhjen, në të cilën iu përbetua etërve të tu.Madhëria e zgjedhjes hyjnore
- 32 Shqyrtoji kohët e lashta që qenë para teje, që prej ditës kur Zoti e krijoi njeriun përmbi tokë, shqyrto prej një skaji të rruzullit në tjetrin: A ka ndodhur ndonjë gjë kaq e madhe? A është dëgjuar një gjë e tillë?
- 33 A ka ndokund ndonjë popull që e ka dëgjuar Hyjin duke folur prej mesit të zjarrit, siç e dëgjove ti dhe të ketë mbetur gjallë?
- 34 Ose, a ka sprovuar ndonjë herë Hyji të hyjë e të marrë për vete një komb në mes të një populli tjetër me provë, me shenja e me mrekulli, me luftë, me dorë të fortë, me krah të ngritur e me tmerr të madh siç i bëri të gjitha këto ndër sytë tuaj për ju Zoti, Hyji juaj, në Egjipt?!
- 35 Kjo t`u dëftua ty që ta dish se Zoti është vetë Hyji dhe se nuk ka tjetër përveç atij.
- 36 Prej qiellit bëri ta dëgjosh zërin e tij që të mësonte; përmbi tokë ta ka dëftuar zjarrin e vet të madh dhe i dëgjove fjalët e tija prej mesit të zjarrit,
- 37 sepse i deshi etërit e tu dhe i zgjodhi për vete pasardhësit e tyre. Ai të nxori me fuqinë e vet prej Egjiptit dhe me një forcë të madhe,
- 38 për të dëbuar para teje, në hyrjen tënde, popuj më të mëdhenj e më të fortë se ti, për të të futur ty në vendin e tyre e për ta dhënë ty tokën e tyre për pronë siç po sheh se po ndodh sot.
- 39 Mirë, pra, dije sot dhe thadroje thellë në zemrën tënde se Zoti është Hyj lart në qiell e poshtë mbi tokë;e tjetër nuk ka!
- 40 Mbaji urdhërimet e tija dhe ligjet e tija që unë po t`i jap sot, që të jesh mirë ti dhe bijtë e tu pas teje e të qëndrosh për një kohë të gjatë mbi tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë. `Qytetet strehim
- 41 Asohere Moisiu i ndau tri qytete përtej Jordanit, në krahun e lindjes,
- 42 që të strehohet në to ai që e vret gand të afërmin e vet, me të cilin më parë nuk ka pasur kurrfarë armiqësie: që duke u strehuar në njërin ndër këto qytete, ta shpëtojë jetën.
- 43 Qytetet ishin: Bosori, në shkretëtirë, që është në rrafshnaltën, për fisin e Rubenit, Ramoti në Galaad, për fisin e Gadit dhe Golani në Basan, për fisin e Manaseut.FJALIMI I DYTË I MOISIUT
- 44 Ky është Ligji që e shpalli Moisiu para bijve të Izraelit.
- 45 Këto janë dëshmitë, urdhërimet e rregulloret, për të cilat u foli bijve të Jordanit, në luginën përballë Betfegorit, në tokën e Sehonit, mbretit të amorrenjve, që banonte në Hesebon, të cilin e goditën Moisiu dhe bijtë e Izraelit kur dolën prej Egjiptit.
- 47 Ata e pushtuan tokën e tij dhe tokën e Ogut, mbretit të Basanit, dy mbretërve amorrenj, që ishin përtej Jordanit, në krahun ku lind dielli,
- 48 prej Aroerit, që është mbi bregun e përroit Aon, deri te mali Sion, që është Hermoni,
- 49 mbarë Arabën, përtej Jordanit, në krahun e lindjes e deri në detin e Arabës, deri në rrëzë të malit Fazgë.