Beselidhja e VjeterLigji i Përtërirë: Thirrje për besnikëri
- 1 Këto janë urdhërimet, ligjet e rregulloret që Zoti, Hyji juaj, më urdhëroi t`jua mësoj që t`i zbatoni në vendin që po kaloni për ta bërë pronë,
- 2 me qëllim që ta druash Zotin, Hyjin tënd, e t`i zbatosh të gjitha urdhërimet e ligjet e tija që po t`i paraqes ty, bijve e nipave të tu gjatë gjithë jetës sate, që të jesh jetëgjatë.
- 3 Dëgjo, o Izrael, mbaj e zbatoji që të jesh mirë e që gjithnjë të shtohesh në vendin që rrjedh qumësht e mjaltë siç ta ka premtuar Zoti, Hyji i etërve të tu.
- 4 Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm!
- 5 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde!
- 6 Këto urdhërime që po t`i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde!
- 7 Ua përsërit fëmijëve të tu! Fol për to kur të jesh në shtëpi e kur të jesh duke udhëtuar; kur të biesh në shtrojë e kur të ngrihësh nga shtroja.
- 8 Lidhi në dorën tënde si shenjë dhe le të jenë si vjerrës ndërmjet syve të tu!
- 9 Shkruaji mbi ballëzinat e dyerve të tua dhe në dyer të tua!
- 10 E kur Zoti, Hyji yt, të të shtjerë në tokën për të cilën iu përbetua etërve të tu;Abrahamit, Izakut e Jakobit se do të ta japë ty,;në qytete të mëdha e të mira që t`i nuk i ndërtove,
- 11 në shtëpi plot me një mijë të mira që t`i nuk i solle; cisteat që t`i nuk i çele, vreshtat e ullishtat që ti nuk i mbolle, kur të hash e të ngopesh,
- 12 vërja mirë mendjen të mos e harrosh Zotin që të nxori nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë:
- 13 druaje Zotin, Hyjin tënd, vetëm atij shërbeji dhe përbetohu në emër të tij!Thirrje për besnikëri
- 14 Mos shkoni pas hyjnive të huaja, pas hyjnive të popujve që janë përreth jush,
- 15 sepse Zoti, Hyji yt, që është në mesin tënd, është Hyj ziliqar; që të mos ndizet zemërimi i Zotit, Hyjit tënd, kundër teje e të të shfarosë prej faqes së dheut.
- 16 Mos e vini në provë Zotin, Hyjin tuaj, siç e vutë në provë në Masë.
- 17 Ruani urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj, rregulloret e ligjet që t`i ka urdhëruar,
- 18 dhe bëj çka është e drejtë dhe e mirë para syve të Zotit që të jesh mirë e ta marrësh për pronë tokën e mirë, për të cilën Zoti iu përbetua etërve të tu
- 19 që t`i debojë prej saj të gjithë armiqtë e tu para teje, siç ka premtuar Zoti.
- 20 E kur nesër yt bir të të pyesë e të të thotë: `Ç`kuptim kanë këto rregullore, urdhërime e ligje që jua dha Zoti, Hyji ynë?`,
- 21 ti përgjigjju: `Ishim skllevër të faraonit në Egjipt, dhe Zoti na nxori me dorë të fuqishme prej Egjiptit
- 22 dhe bëri shenja të mëdha e mrekulli ndër sy tanë në Egjipt kundër faraonit dhe mbarë shtëpisë së tij.
- 23 Ne na nxori prej andej, që të na shpjerë e të na e japë tokën, të cilën me përbetim ua premtoi etërve tanë.
- 24 Asohere Zoti na urdhëroi t`i vëmë në zbatim të gjitha këto urdhërime e të druajmë Zotin, Hyjin tonë, që të jemi të lumtur gjatë gjithë jetës sonë siç jemi edhe sot.
- 25 Ne do të jemi të drejtë nëse do t`i zbatojmë të gjitha këto urdhërime në praninë e Zotit, Hyjit tonë, ashtu siç na ka urdhëruar.