Beselidhja e Re1 e Timoteut: Parakallëzimi i apostazisë
- 1 Shpirti Shenjt shpall botërisht se në kohën e fundit disa njerëz do t`i bien mohit fesë dhe do t`u besojnë shpirtrave të rrejshëm dhe mësimeve të frymëzuara nga djajtë,
- 2 të ngashnjyer nga hipokrizia e rrenacakëve me ndërgjegje të shënuar me hekur të skuqur,
- 3 të cilët ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të mos hahen ushqimet që Hyji i ka krijuar për t`i ngrënë me falënderim besimtarët që e njohin të vërtetën.
- 4 Sepse gjithçka Hyji krijoi është e mirë dhe asgjë s`është për t`u përçmuar, nëse merret me falënderim,
- 5 sepse e shenjtëron fjala e Hyjit dhe lutja.
Shërbëtori i mirë i Krishtit - 6 Në qoftë se ua mëson vëllezërve këto të vërteta do të jesh mbarështues i mirë i Krishtit Jezus, i ushqyer mirë me fjalë feje dhe me mësimin e mirë që vazhdimisht e ndjek.
- 7 Hiqju përrallave të shekullit e të plakave! Më mirë ushtrohu në përshpirtëri!
- 8 Vërtet, ushtrimi trupor pak ka vlerë, kurse përshpirtëria është e dobishme për gjithçka, sepse sjell me vete premtimin e jetës së tashme dhe të asaj të ardhshmes.
- 9 Kjo fjalë është e denjë të besohet dhe të pranohet prej të gjithëve:
- 10 prandaj vuajmë dhe luftojmë pse shpresojmë në Hyjin e gjallë që është Shëlbuesi i të gjithëve, sidomos i besimtarëve.
- 11 Këto gjëra urdhëroj dhe mësoj!
- 12 Askush të mos e përbuzë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në fe, në pastërti!
- 13 Derisa të vij kushtohu Leximit, këshillimit dhe mësimit.
- 14 Mos e lër pas dore hirin që është në ty, i cili të qe dhënë në saje të profecive dhe me vënien e duarve të kolegjit të pleqve.
- 15 Kujdesohu për këto, jepu tërësisht pas tyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë.
- 16 Vërja mendjen vetes dhe mësimit! Të jesh i qëndrueshëm në këto gjëra! Sepse, duke vepruar kështu, do të shëlbosh veten dhe ata që të dëgjojnë.