Beselidhja e ReHebrenjve: Qortim rreth apostazisë
- 1 Sepse, çdo Kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhëniet e tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve.
- 2 Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi.
- 3 Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkatet si për popull ashtu edhe për vete.
- 4 Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit tamam si Aroni.
- 5 Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha: >>Ti je im Bir, unë sot të linda<<;
- 6 sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu: >>Ti je prift për amshim në mënyrën e Melkizedekut<<.
- 7 Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi lutja dhe lutje me ofshama të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet.
- 8 Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm
- 9 dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar,
- 10 i shpallur prej Hyjit Kryeprift >>në mënyrën e Melkizedekut<<.Qortim rreth apostazisë
- 11 Lidhur me këtë çështje kemi shumë për të thënë, të vështira për t`u shtjelluar me fjalë, sepse jeni bërë të ngadalshëm për të kuptuar.
- 12 E pra, për kah koha, duhej që të ishit tashmë mësues, kurse kështu keni nevojë t`iu mësojë dikush elementet e para të fjalëve të Hyjit. Keni arritur deri në atë gjendje sa të keni nevojë për qumësht dhe jo për ushqime të forta.
- 13 Dhe njëmend, kush ende ushqehet vetëm me qumësht, nuk është i aftë të ndjekë një shtjellim mbi drejtësinë - sepse është ende foshnjë.
- 14 Përkundrazi, ushqimi i fortë është për të rritur, për ata që i kanë shqisat e stërvitura për të dalluar të mirën e të keqen.