Beselidhja e ReHebrenjve: Premtimi i sigurt i Hyjit
- 1 Prandaj, po e lëmë njëherë mësimin fillestar mbi Krishtin dhe të kalojmë në atë që është për të rritur duke mos e vënë përsëri themelin: kthimin nga veprat e vdekura dhe besimin në Hyjin;
- 2 mësimin mbi pagëzimet dhe mbi vënien e duarve, ngjalljen nga të vdekurit dhe gjyqin e amshuar.
- 3 Edhe këtë do ta bëjmë në dashtë Hyji.
- 4 Vërtet, është e pamundur që ata njerëz, të cilët qenë njëherë të shndritur, që e shijuan dhuratën qiellore, që u bënë pjesëtarë të Shpirtit Shenjt,
- 5 që e shijuan të bukurën Fjalë të Hyjit dhe fuqitë e jetës së ardhshme,
- 6 dhe megjithatë e borën fenë, të përtërihen rishtas me kthim, kur ata vetë përsëri e kryqëzojnë Birin e Hyjit dhe botërisht e poshtërojnë.
- 7 Dhe njëmend, një tokë e ngirë me shi që bie shpesh në të dhe prodhon bimë të dobishme për atë që e punon, merr bekimin prej Hyjit,
- 8 ndërsa ajo që qe murriza dhe ferra, është pa kurrfarë vlere dhe është afër mallkimit dhe fundi i saj është: >>Në zjarr!<<
- 9 Por, për sa ju përket juve, o të dashur, edhe pse flasim kështu, jemi plotësisht të bindur se ju jeni në gjendje të mirë dhe në rrugën e shëlbimit.
- 10 Sepse, Hyji nuk është i padrejtë që ta harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat ndaj Emrit të tij, duke u shërbyer dhe duke vazhduar t`u shërbeni shenjtërve.
- 11 Dëshirojmë veç, që secili prej jush ta tregojë të njëjtin kujdes që shpresa të plotësohet deri në fund,
- 12 që të mos ju pakësohet zelli, por t`u përngjani atyre që, në saje të fesë dhe të duresës, trashëgojnë të mirat e premtuara.Premtimi i sigurt i Hyjit
- 13 Dhe njëmend, kur Hyji i jepte Abrahamit premtimin, pasi nuk kishte se me kë më të madh t`i përbetohej, iu përbetua me vetveten
- 14 duke thënë: >>Vërtet do të të mbuloj me bekime dhe do të të jap trashëgimtarë të panumërueshëm<<.
- 15 Kështu Abrahami duke pritur me duresë i fitoi premtimet.
- 16 Njerëzit, veç, përbetohen me dikënd që është më i madh se ata dhe beja për ta është një garanci që i jep fund çdo mosmarrëveshjeje.
- 17 Kështu edhe Hyji: duke dashur t`ua vërtetojë në mënyrë më të plotë trashëgimtarëve të premtimeve palëkundshmërinë e vendimit të vullnetit të vet, u bë dorëzanë me përbetim.
- 18 Në këtë mënyë, në fuqi të dy veprimeve të pandërrueshme - në të cilat është e pamundur që Hyji të gënjejë - ne, që u strehuam në Hyjin, jemi shumë të nxitur të mbështetemi në shpresën që na u parashtrua.
- 19 Atë e kemi spirancë të sigurt dhe të fortë të shpirtit >>që hyn në brendinë përmbas Tisit<<,
- 20 atje, ku për ne, si pararendës depërtoi Jezusi, pasi u bë Kryeprift i amshuar në mënyrën e Melkizedekut.