Beselidhja e ReJakobi: Feja dhe urtia
- 1 Jakobi, shërbëtori i Hyjit dhe i Jezu Krishtit Zot: dymbëdhjetë fiseve të shpëdara anë e kënd nëpër botë: shëndet.Feja dhe urtia
- 2 Çmoni për gëzim të vërtetë, vëllezërit e mi, kur t`iu ndodhë të sprovoni çdo lloj vështirësie,
- 3 duke e ditur se prova e fesë suaj lind qëndrueshmërinë.
- 4 Por qëndresa le të ushtrohet me përpikëri që të jeni të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete.
- 5 Në qoftë se ndokujt prej jush i mungon urtia, le t`ia lypë Hyjit, i cili gjithkujt i jep me ëndje e pa fjalë, dhe do t`i jepet.
- 6 Por le ta kërkojë me fe të gjallë, pa farë dyshimi; sepse ai që dyshoni përngjan valës së detit që e çon peshë era dhe e përplas.
- 7 Njeriu i tillë të mos mendojë se do të marrë gjë prej Zotit
- 8 njeriu me dy mendje, i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e veta.Varfëria dhe pasuria
- 9 Vëllai me prejardhje të ulët le të mburret me lartësimin e tij,
- 10 kurse pasaniku për përvujtërimin e tij, sepse do të mbarojë porsi lulja e barit.
- 11 Lindi dielli me vapën e vet, e thau barin dhe lulja e tij u vyshk: hijeshia e fytyrës u zhduk. Kështu do të thahet edhe pasaniku në ndërmarrjet e veta.Prova dhe tundimi
- 12 Lum ai njeri që pëson tundim, sepse, pasi t`i qëndrojë provës, do të fitojë kurorën e jetës të premtuar atyre që e duan Hyjin.
- 13 Askush që është i tunduar të mos thotë: >>Hyji më tundon<<, sepse Hyji nuk mund të jetë i tunduar për të keq dhe Ai nuk tundon askënd.
- 14 Por secili tundohet nga lakmimi i vet, i prirur dhe i ngashnjyer.
- 15 Lakmimi pastaj i mbarsur, lind mëkatin, dhe mëkati, si të kryhet, lind vdekjen.
- 16 Mos u tradhtoni, vëllezërit e mi të dashur:
- 17 Çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije dyshimi.
- 18 Ai na lindi në saje të vullnetit të vet nëpër fjalën e së vërtetës, që ne të jemi një farë fryti i parë i krijesave të tij.Të dëgjohet dhe të zbatohet fjala
- 19 Dijeni mirë, vëllezërit e mi të dashur, këtë gjë: çdo njeri le të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur dhe i ngadalshëm për zemërim.
- 20 Sepse zemërimi i njeriut nuk e kryen drejtësinë e Hyjit.
- 21 Prandaj, flakni tej çdo ndyrësi dhe çdo të keqe tjetër e me plot butësi pranoni fjalën e mbjellë në ju, e cila është e aftë t`i shpëtojë shpritrat tuaj.
- 22 Bëhuni zbatues të fjalës e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten.
- 23 Sepse, në qoftë se dikush e dëgjon fjalën, por nuk e zbaton, ai i përngjan njeriut që e shikon fytyrën e vet në pasqyrë:
- 24 e pa veten, shkoi e menjëherë harroi se si qe.
- 25 Ndërsa ai që e vëren ligjin e përsosur - atë të lirisë e, në qoftë se i përvishet jo thjesht si dëgjues i habitur, por si zbatues i veprës, ky do ta gjejë lumturinë e vet në ushtrimin e tij.
- 26 Në qoftë se ndokush e mban veten për besimtar e nuk i vë fre gjuhës së vet, por e gënjen zemrën e vet, besimi i tij është i kotë.
- 27 Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për bonjakë dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë.