Beselidhja e VjeterJozuehu: Qytetet strehim
- 1 Zoti foli me Jozuehun dhe i tha: Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:
- 2 Caktoni për vete qytetet strehim, për të cilat ju kam folur me anë të Moisiut,
- 3 që të gjejë strehim kushdo të vrasë me padashje ndonjë njeri, që të mund t`i shpëtojë hidhërimit të të afërmit, që i takon të marrë gjakun.
- 4 Pasi të jetë strehuar brenda cilitdo prej këtyre qyteteve, le të paraqitet te dera e qytetit dhe le t`u tregojë pleqve të qytetit arsyet që e vërtetojnë se është i pafajshëm. Kështu ata do ta pranojnë dhe do t`i caktojnë vendin për të banuar.
- 5 Nëse hakmarrësi i gjakut e kërkon, të mos ia dorëzojnë , sepse e vrau me padije të afërmin e vet, dhe nuk mund të vërtetohet se më parë ka qenë armik me të.
- 6 Le të banojë në atë qytet derisa të dalë para kuvendit të dheut për t`u bërë gjykimi duke përligjur shkakun e ngjarjes së vet, ose derisa të vdesë kryeprifti që është asokohe në shërbim. Atëherë vrasësi le të kthehet e le të hyjë në qytetin e vet e në shtëpinë e vet, prej nga kishte ikur.
- 7 Caktuan Cedesin në Galile, në malin e Neftaliut; Sikemin në malin e Efraimit; Kariatarbenë;që është Hebroni;në malin e Judës.
- 8 Në anën përtej Jordanit, në lindje të Jerikut, caktuan Bosorin, që është në shkretëtirë në rrafshin e fisit të Rubenit, Ramotin në Galaad prej fisit Gad dhe Gaulonin në Basan prej fisit të Manaseut.
- 9 Këto qytete u caktuan për të gjithë bijtë e Izraelit dhe për ardhacakë që banojnë ndër ta, që, kushdo të ketë vrarë ndokënd padashje, të strehohet në to, që të mos vdesë prej dorës së të afërmit që dëshiron të hakmerret për gjakun e derdhur, derisa të dalë para popullit për ta sqaruar çështjen e vet.