Beselidhja e VjeterJozuehu: Lëshimi i fiseve përtejjordanase
- 1 Atëherë Jozuehu grishi rubenasit e gadasit dhe gjysmën e fisit të Manaseut
- 2 e u tha: Bëtë gjithçka ju ka urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit. Edhe mua më dëgjuat gjithçka ju urdhërova.
- 3 Dhe gjatë këtyre ditëve të shumta deri më sot nuk i latë vëllezërit tuaj: e mbajtët urdhërimin e Zotit, Hyjit tuaj!
- 4 E, pasi Zoti, Hyji juaj, ua dha vëllezërve tuaj qetësinë dhe paqen, ashtu sikurse edhe ua pat premtuar, tani kthehuni e shkoni në tendat tuaja e në pronën tuaj që jua dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, përtej Jordanit.
- 5 Porse kini kujdes të madh që t`i ruani e t`i zbatoni urdhërimet dhe Ligjin që jua urdhëroi Moisiu, shërbëtori i Zotit: duani Zotin, Hyjin tuaj, dhe ecni në të gjitha udhët e tija. Mbani urdhërimet e tija. Qëndroni Atij besnikë dhe shërbejini me gjithë zemër e me gjithë shpirt!
- 6 Atëherë Jozuehu i bekoi dhe i la të shkonin. Ata u kthyen në tendat e tyre.
- 7 Edhe gjysmës së fisit të Manaseut Moisiu ua kishte dhënë pronën në Basan. Prandaj gjysmës tjetër Jozuehu i dha me short pjesën e trashëgimit në mes të vëllezërve të tyre përtej Jordanit, në anën e tij të perëndimit. Duke i përcjellë që të shkonin në tendat e tyre, Jozuehu i bekoi
- 8 dhe u tha: Me pasuri të shumta po ktheheni në shtëpitë tuaja: me argjend, me ar, me bronz e me hekur dhe me petka të llojllojshme: ndajeni me vëllezërit tuaj prenë që ua rrëmbyet armiqëve.Ngritja e një lteri në bregun e Jordanit
- 9 Bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit e gjysma e fisit të Manaseut u kthyen dhe u nisën prej bijve të Izraelit nga Siloja, në tokën e Kanaanit, për t`u kthyer në Galaad, në tokën e pronës së vet, që e kishin marrë sipas urdhrit të Zotit nëpër dorë të Moisiut.
- 10 Kur arritën në Leqet e Jordanit, në tokën e Kanaanit, në brigjet e Jordanit ndërtuan një lter të madh që shihej së largu.
- 11 Kur dëgjuan bijtë e Izraelit se rubenasit, gadasit dhe gjysma e fisit të Manaseut kishin ndërtuar një lter nga krahina e tokës së Kanaanit te Leqet e Jordanit përballë bijve të Izraelit,
- 12 u bashkuan të gjithë në Silo për të shkuar e për të luftuar kundër tyre.Qortime drejtuar fiseve përtej Jordanit
- 13 Ndërkaq dërguan tek ata në tokën e Galaadit Fineesin, birin e Eleazarit prift.
- 14 Me të dërguan edhe dhjetë prijës, prej secilit fis nga një. Secili ishte kryetar i vëllazërive të Izraelit.
- 15 Këta shkuan te bijtë e Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut në tokën Galaad dhe u thanë:
- 16 Ja ç`ju thotë mbarë bashkësia e Zotit: Ç`do të thotë kjo shmangie juaj? Pse e latë Zotin, Hyjin e Izraelit, e ndërtuat një lter shenjtdhunim dhe u larguat nga adhurimi i Tij?
- 17 A ju duket pak mëkati i Fegorit, dënga e së cilës emnesë ende mbetet në ne, i cili solli vdekjen në bashkësinë e Zotit?
- 18 E ju sot prapë e latë Zotin dhe u çuat kundër Zotit. Nesër zemërimi i tij do të ndizet flakë kundër mbarë bashkësisë së Izraelit.
- 19 Në qoftë se jua merr mendja se toka e trashëgimit tuaj është e papastër, atëherë kaloni në tokën e pronës së Zotit, ku është Banesa e Zotit, dhe banoni ndër ne! Mjaft që të mos ngrini kokë kundër Zotit dhe të mos na bëni edhe ne të çohemi kundër Zotit duke ndërtuar lter tjetër përveç lterit të Zotit, Hyjit tonë.
- 20 A nuk qe vetëm Akani, biri i Zaresë, që shkeli urdhrin e Zotit lidhur me mallkimin, e hidhërimi i Zotit rëndoi mbi mbarë bashkësinë e Izraelit? Ai s`qe një njeri i vetëm; oh, sikur të kishte mbaruar vetëm ai për fajin e vet!Përligjja i fiseve përtej jordanase
- 21 Bijtë e Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut iu përgjigjën prijësve të dërgatës së Izraelit:
- 22 Zoti, Hyji i gjithëpushtetshëm, Hyji i gjithëpushtetshëm Zot e di mirë, por le ta marrë vesh edhe Izraeli: nëse e ndërtuam këtë lter me shpirt kryengritjeje dhe kundërshtimi ndaj Zotit, le të mos na ndihmojë, por të na ndëshkojë tani;
- 23 e nëse e bëmë me mendim që të largohemi prej Zotit për të kushtuar fli shkrumbimi, fli kushtimore bimore ose fli pajtimi mbi këtë lter: le të shohë vetë Zoti e le të gjykojë.
- 24 Në të vërtetë ne e bëmë këtë gjë prej shqetësimit dhe mendimit që na ka mbërthyer, sepse nesër fëmijët tuaj do t`u thonë fëmijëve tanë: `Çfarë keni së bashku ju me Zotin, Hyjin e Izraelit?
- 25 Zoti vuri kufi ndërmjet nesh e jush, o bijtë e Rubenit e bijtë e Gadit, lumin Jordan! Prandaj ju s`keni pjesë më Zotin!` Kështu bijtë tuaj do t`i bënin bijtë tanë të largohen e të mos e kenë frikë Zotin. Këndej edhe menduam se është më mirë
- 26 e thamë: Të ndërtojmë një lter, jo për fli shkrumbimi e fli theroreje,
- 27 por për dëshmi ndërmjet nesh e jush, ndërmjet bamit tonë e bamit tuaj, dhe se kemi të drejtë të kushtojmë fli shkrumbimi, therore e fli pajtimi që assesi të mos u thonë bijtë tuaj bijve tanë në të ardhmen: `Ju nuk keni pjesë më Zotin`!
- 28 E nëse do t`u thonë, le t`iu përgjigjen: `Ja, trajta e lterit të Zotit që e punuan etërit tanë, jo për fli shkrumbimi e therore, por për dëshmi ndërmjet nesh e jush`!
- 29 Larg nesh mendimi se duam të çohemi kundër Zotit e t`i kthejmë atij shpinën duke ndërtuar lter për fli shkrumbimi, therore e fli kushtimi, përveç lterit të Zotit, Hyjit tonë, që është pranë Banesës së tij.Përkimi i rivendosur
- 30 Kur i dëgjuan këto fjalë prifti Finees dhe prijësit e dërgatës së izraelitëve që ishin me të, u qetësuan dhe fjalët e bijve të Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut i pranuan me shumë kënaqësi.
- 31 Fineesi prift, biri i Eleazarit, u tha: Tani po e marrim vesh se Zoti është me ne, sepse nuk e paskeni bërë këtë shëmtim dhe i paskeni çliruar bijtë e Izraelit prej dorës së Zotit.
- 32 Fineesi bashkë me prijësit u kthye prej bijve të Rubenit e të Gadit prej tokës së Galaadit në tokën e Kanaanit te bijtë e Izraelit dhe u treguan gjithçka.
- 33 Të gjithë dëgjuesve u pëlqeu përgjigjja dhe bijtë e Izraelit i dhanë lavdi Hyjit, dhe hoqën nga mendja që t`i sulmojnë e ta shkretojnë me luftë vendin në të cilin banonin bijtë e Rubenit e të Gadit.
- 34 Bijtë e Rubenit e bijtë e Gadit lterit që kishin ndërtuar, ia ngjitën emrin: Dëshmitar. Sepse thanë: Është Dëshmitar ndër ne se Zoti është Hyj.