Beselidhja e VjeterJozuehu: Prishja e mallkimit
- 1 Por bijtë e Izraelit shkelën urdhrin dhe shpërdoruan ngarkimin me mallkim: sepse Akan Karmi Zabdi Zareja, prej fisit të Judës, mori diçka që ishte e ngarkuar me mallkim. Zoti u hidhërua kundër bijve të Izraelit.Dështim para Hajit, ndëshkimi i shenjtdhunimit
- 2 Prej Jerikut Jozuehu i dërgoi disa vetë në Haj, që është afër Betavenit, në krahun e lindjes së Betelit. U tha: Shkoni e bëni hetime vendit. Ata shkuan dhe i bënë hetime Hajit.
- 3 Kur u kthyen, i thanë: S`është nevoja të ngjitet atje mbarë populli. Le të shkojnë dy ose tri mijë luftëtarë e ta pushtojnë qytetin. Mos e mundo mbarë popullin kundër një pakice armiqsh.
- 4 Shkuan, pra, rreth tri mijë luftëtarë, por këta menjëherë u vunë në të ikur prej luftëtarëve të Hajit,
- 5 të cilët edhe i vranë rreth tridhjetë e gjashtë prej tyre dhe i dëbuan prej derës së qytetit deri në Sabarim, dhe i goditën në të zbritur. Atëherë popullin e lëshoi zemra, si t`u ishte bërë gjaku ujë.Lutja e Jozuehut
- 6 Atëherë Jozuehu i shqeu petkat e veta, ra me fytyrë përdhe para Arkës së Zotit e qëndroi ashtu deri në mbrëmje, ai e të gjithë krerët e Izraelit, duke qitur hi në krye.
- 7 Jozuehu tha: Eheu, o Zot Hyj, pse deshe ta kalosh këtë popull përtej lumit Jordan? A mos për të na lëshuar në duar të Amorreut e për të na e humbur farën? Oh sikur të kishim zënë vend përtej Jordanit!
- 8 Të lutem, o Zot, çfarë mund të them kur po shoh se Izraeli ia ka kthyer shpinën armikut?
- 9 Do të dëgjojnë kananenjtë dhe mbarë banorët e vendit e do të bashkohen, do të na rrethojnë e do ta zhdukin emrin tonë prej tokës. E çfarë do të bësh atëherë ti, për nder të emrit tënd?!Përgjigjja e Zotit
- 10 Zoti iu përgjigj Jozuehut: Ngrihu! Përse rri përmbys me fytyrë përdhe?
- 11 Izraeli ka mëkatuar: e ka shkelur besëlidhjen time që ua urdhërova: morën nga ato që qenë ngarkuar me mallkim, rrejtën, vodhën dhe i fshehën në enë të veta!
- 12 E bijtë e Izraelit as që do të mund të qëndrojnë para armiqëve të vet dhe do të ikin prej tyre, sepse edhe ata janë bërë mallkim. As vetë nuk do të jem më me ju derisa të mos e hiqni prej mesit tuaj mallkimin.
- 13 Në këmbë! Shenjtëroje popullin! Thuaju: Shenjtërohuni për ditën e nesërme, sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Në mesin tënd, o Izrael, është mallkimi! Nuk do të mund të qëndrosh përballë armikut përderisa ta hiqni mallkimin prej mesit tuaj.
- 14 Afrohuni nesër secili sipas fisit të vet. Fisi që ta ketë shënuar Zoti, le të afrohet sipas vëllazërive të veta; vëllazëria që ta ketë shënuar Zoti, le të afrohet sipas familjeve të veta e familja sipas meshkujve të vet:
- 15 e cilido që të gjendet se e ka bërë këtë të keqe, le të digjet në zjarr me gjithçka ka, sepse e ka thyer besën e Zotit dhe e ka bërë këtë shëmtim në Izrael.Zbulimi dhe ndëshkimi i fajtorit
- 16 Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe e grishi Izraelin të afrohej sipas fiseve. Shorti ra mbi fisin e Judës.
- 17 E kur u afrua ky fis sipas familjeve të tija, shorti ra mbi familjen e Zaresë. Bëri të afrohen shtëpitë e Zaresë, shorti ra mbi shtëpinë e Zabdiut.
- 18 Kur i ndau meshkujt e kësaj shtëpie, shorti ra mbi Akanin, birin e Karmi, Zabdi Zaresë, i fisit të Judës.
- 19 Atëherë Jozuehu i tha Akanit: Biri im, jepi lavdi Zotit, Hyjit të Izraelit, dhe prano e më trego çfarë ke bërë! Mos fsheh gjë!
- 20 E Akani iu përgjigj Jozuehut dhe i tha: Vërtetë unë mëkatova kundër Zotit, Hyjit të Izraelit, dhe ja çfarë bëra:
- 21 Pashë në pre një mantel shumë të bukur Senaari, edhe dyqind sikla argjendi dhe një shufër ari pesëdhjetë siklash. I shtyrë prej lakmimit, i mora dhe i fsheha në dhe, në mes të çadrës sime; argjendin e futa nën të.
- 22 Atëherë Jozuehu i dërgoi lajmëtarët, të cilët duke vrapuar, shkuan në tendën e tij dhe i gjetën të gjitha ato të fshehura në të njëjtin vend së bashku me argjendin.
- 23 I morën prej tendës dhe i sollën te Jozuehu e te të gjithë bijtë e Izraelit. I shtruan të gjitha para Zotit.
- 24 Atëherë Jozuehu e mori Akanin, birin e Zaresë, argjendin, petkun dhe shufrën e arit, bijtë e bijat e tija, lopë e gomarë e dele, çadrën e tij e me gjithçka kishte të tijën;mbarë Izraeli ishte me të;dhe i çuan në luginën Akor.
- 25 Aty Jozuehu i tha: Si na e solle të mbrapshtën ti neve, ashtu sot edhe ty Zoti ta sjelltë të mbrapshtën!Mbarë Izraeli e mbyti me gurë. Po edhe gjithçka ja e tij, e përpiu zjarri.
- 26 Atëherë hodhën mbi të një grumbull të madh gurësh, që mbetet deri në ditën e sotme. Kështu u largua hidhërimi i madh i Zotit prej tyre. Ai vend u quajt deri në ditën e sotme: Lugina e Akorit.