Beselidhja e Re1 e Pjetrit: Guri i gjallë dhe populli i shenjtë
- 1 Flakni, pra, larg jush, çdo lloj të keqeje, çdo tradhti dhe hipokrizi, smirë dhe shpifje!
- 2 Porsi foshnjat posa të lindura dëshironi qumështin shpirtëror të pastër, që me anë të tij të rriteni në shëlbim
- 3 në qoftë se vërtet >>e keni sprovuar se Zoti është i mirë<<.
- 4 Afrohuni Atij - Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit,
- 5 që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.
- 6 Këndej thuhet në Shkrimin e shenjtë: >>Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në Të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!<<
- 7 Për ju, pra, që besoni - nder; kurse për ata që nuk besojnë - guri që përbuzën ndërtuesit, dhe Ai u bë gur i këndit<<.
- 8 E: >>Gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa<<. Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar.
- 9 Porse ju jeni: >>Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull të cilin Hyji e fitoi për vete, për t`i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.
- 10 Ju që dikur nuk ishit Popull e tani jeni Popull i Hyjit, ju që dikur ishit të përjashtuar nga mëshira, e që tani e keni fituar mëshirën.Jeta e shërbëtorëve të Hyjit
- 11 Fort të dashur, ju lutem që, si të huaj dhe si shtegtarë t`u ruheni lakmimeve të mishit dhe të gjakut, të cilat bëjnë luftë kundër shpirtit.
- 12 Sjellja juaj mes paganëve të jetë shembullore që, pikërisht për ato gjëra në të cilat ju shpifen si të ishit keqbërës, kur t`i shohin veprat tuaja të mira, t`i japin lavdi Hyjit në Ditën e Ardhjes së tij.
- 13 Nënshtrohuni çdo pushteti njerëzor për arsye të Zotit: qoftë mbretit - porsi sundimtarit më të epërm -
- 14 qoftë edhe qeveritarëve, si të dërguarve të tij për të ndëshkuar keqbërësit e për të lavdëruar ata që bëjnë mirë.
- 15 Sepse ky është vullneti i Hyjit: duke bërë mirë t`ia mbyllni gojën padijes së njerëzve të pamendë.
- 16 Porsi njerëz të lirë - por jo si ata që lirinë e kanë si mbulesë të veprave të këqija, por si shërbëtorë të Hyjit -
- 17 nderojeni çdokënd, duajeni vëllazërinë, duajeni Hyjin, nderojeni mbretin!Shembulli i Krishtit pësues
- 18 Shërbëtorë, nënshtrohuni me plot frikë zotërinjve tuaj, jo vetëm të mirëve e të butëve, por edhe të mbrapshtëve.
- 19 Sepse vërtet është hir, kur ndokush për shkak të ndërgjegjes - për dashuri të Hyjit pëson vështirësi duke vuajtur padrejtësisht.
- 20 Por, çfarë lumturie veç, në qoftë se të ndëshkuar pse mëkatuat, jeni të durueshëm? Porse, është krejtësisht ndryshe, nëse, duke bërë mirë pësoni dhe me duresë i mbartni të vështirat: kjo është hir para Hyjit.
- 21 Pëjëmend për këtë edhe qetë thirrur; sepse edhe Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t`i ndiqni gjurmët e tij:
- 22 Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tij nuk u gjet gënjim,
- 23 Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe, i salvuar, nuk kërcënohej, por ia linte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi.
- 24 Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, që, të vdekur për mëkate, të jetojmë për drejtësi: me plagat e të cilit jeni shëruar.
- 25 Ishit po, si delet e humbura, por tani u kthyet te Bariu e Rojësi i shpritrave tuaj.