Beselidhja e ReZbulesa: Ai e çeli grykën e pusit të Humnerës
- 1 Edhe engjëlli i pestë i ra trumbetës: pashë një yll duke rënë mbi tokë! Atij iu dorëzua çelësi i pusit të Humnerës.
- 2 Ai e çeli grykën e pusit të Humnerës, nga pusi doli tym porsi tym i një furre të madhe. Prej tymit të pusit u errësua dielli, gjthashtu edhe ajri.
- 3 Nga tymi dolën mbi tokë karkaleca, dhe u qe dhënë atyre zotësia si e kanë akrepët e tokës.
- 4 U qe ndaluar t`i bëjnë farë dëmi barit të tokës, gjelbërimeve e lëndëve , por të dëmtojnë njerëzit që nuk e kanë në ballë vulën e Hyjit.
- 5 U qe lejuar, jo t`i vrasin, por t`i mundojnë për pesë muaj; mundimi është porsi mundimi që jep akrepi kur e ha njeriun.
- 6 Në ato ditë njerëzit do ta lypin vdekjen e nuk do ta gjejnë.Dhe të dëshirojnë të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.
- 7 Karkalecat ishin në ngjasim të kuajve të përgatitur për luftim: në kokë kishin si kurorë ari dhe fytyrat i kishin si njerëzit,
- 8 flokët porsi flokët e grave, dhëmbët porsi të luanëve.
- 9 Ishin të ngjeshur pothuajse me hekur, ushtima e krahëve të tyre si ushtima e karrocave të luftës me shumë kuaj kur sulen në luftim.
- 10 Bishti i tyre në ngjasim të akrepëve, me thimtha; në bisht kishin fuqinë për të munduar njerëzit gjatë pesë muajve.
- 11 Për mbret kishin engjëllin e Humnerës që hebraisht quhet Abadon e greqisht Apolion.
- 12 >>Vaj-i<< i parë kaloi. Ja, po vijnë edhe dy >>Vaje<< të tjera!
- 13 Edhe engjëlli i gjashtë i ra trumbetës: atëherë dëgjova një zë që po vinte nga brirët e lterit të artë që është para Hyjit,
- 14 i cili i thoshte të gjashtit engjëll që kishte trumbetën: >>Zgjidhi katër engjëjt që janë të lidhur në Lumin e Madh, në Eufrat!<<
- 15 Dhe qenë zgjidhur katër engjëjt që ishin të gatshëm për atë moment e për atë ditë, për atë muaj e vit, për të vrarë një të tretën e njerëzve.
- 16 Numri i togave të kalorësve - ua dëgjova numrin - ishte dyqind milionë!
- 17 Në këtë vegim m`u paraqitën kuajt dhe kalorësit: pancirat i kishin ngjyrë zjarri, vjollce dhe sulfuri. Kokat e kuajve, koka luanësh, gojët e tyre villnin zjarr, tym dhe sulfur.
- 18 Nga këto tri plagë: zjarr, tym dhe sulfur, që dilnin nga goja e tyre, sharroi një e treta e njerëzve.
- 19 Sepse kuajt e kanë forcën e tyre në gojën e tyre dhe bishtin e tyre: bishti i tyre u ngjan gjarpërinjve: kanë kokë me të cilën dëmtojnë.
- 20 Megjithatë, njerëzit që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u kthyen nga veprat e duarve të veta; por vazhduan të adhurojnë djajtë, idhujt e artë, të argjendtë, të bronztë, të hekurt, të drunjtë, që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë as të ecin.
- 21 Nuk u kthyen nga vrasjet e veta, as nga shortitë e veta, as nga fëlligështitë e veta, as nga vjedhjet e veta.