Beselidhja e VjeterGjyqtarët: Jefteu dhe gjyqtarët e vegjël
- 1 Pas Abimelekut u ngrit si prijës për të shpëtuar Izraelin Tola, biri i Fua Dodos, burrë prej fisit të Isaharit, i cili jetonte në Samir, në Malësinë e Efraimit.
- 2 Për njëzet e tri vjet qe gjyqtar i Izraelit, pastaj vdiq e qe varrosur në Samir.7. JAIRI
- 3 Pas tij u ngrit Jairi Galaadaj. Ky qe gjyqtar në Izrael për njëzet e dy vjet.
- 4 Kishte tridhjetë djem, të cilët kalëronin mbi tridhjetë gomarë. Kishin tridhjetë qytete që u quajtën Havot Jair /d. m. th. Stanet e Jairit/ e që deri në ditën e sotme janë në tokën e Galaadit.
- 5 Vdiq edhe Jairi dhe u varros në Kamon.8. JEFTEUAmonitët ndrydhin Izraelin
- 6 Por bijtë e Izraelit, mëkateve të vjetra u shtuan edhe mëkate të reja dhe bënë të keqen ndër sy të Zotit. U shërbyen Baalëve dhe Astarotëve, hyjnive të Sirisë, Sidonit, Moabit e të bijve të Amonit e të filistenjve. E lanë Zotin dhe nuk e nderonin atë.
- 7 Zoti u hidhërua kundër tyre dhe i lëshoi në duar të filistenjve e të bijve të Amonit.
- 8 Dhe qenë poshtëruar e munduar tmerrësisht për tetëmbëdhjetë vjet të gjithë bijtë e Izraelit që jetonin përtej Jordanit në tokën e amorrenjve në Galaad.
- 9 Aq sa bijtë e Amonit e kalonin Jordanin për të luftuar edhe kundër Judës, Beniaminit e shtëpisë së Efraimit: Izraeli hiqte vuajtjet e gjarprit nën gur.
- 10 Atëherë bërtitën bijtë e Izraelit drejt Zotit e thanë: Mëkatuam kundrejt teje, sepse e lamë Zotin tonë e u shërbyem Baalëve.
- 11 E Zoti u tha: Po a nuk ju patën ndrydhur egjiptianët, amorrenjtë, bijtë e Amonit e të Filisteut,
- 12 sidonët, amalekët dhe madianët; më lëshuat kushtrimin dhe a nuk ju shpëtova unë prej dorës së tyre?!
- 13 E prapëseprapë më latë mua e u shërbyet zotëve të huaj, prandaj nuk do t`ju çliroj më!
- 14 Shkoni e jepuni kushtrimin zotëve që i zgjodhët: ata le t`ju çlirojnë në ditën e vështirë!
- 15 Por bijtë e Izraelit vijuan të luten: Mëkatuam! Bëj me ne gjithë si të të pëlqejë ty, por na shpëto edhe kësaj here!
- 16 Si thanë kështu, hodhën jashtë kufinjve të vet të gjithë idhujt e zotëve të huaj e i shërbyen Zotit. Zoti pati dhembshuri për shkak të mjerimeve të Izraelit.
- 17 U bashkuan bijtë e Amonit dhe ngulën fushimin në Galaad. U bashkuan kundër tyre edhe bijtë e Izraelit dhe u fushuan në Masfë.
- 18 Atëherë populli dhe prijësit e Galaadit i thanë njëri;tjetrit: Kush është burrë që prin në luftë kundër bijve të Amonit? Ai le të jetë prijësi i të gjithë banorëve të Galaadit!