Beselidhja e VjeterGjyqtarët: Martesa e Samsonit
- 1 Samsoni zbriti në Tamnë dhe atje ndër vajzat e filistenjve pa një grua.
- 2 Ktheu në shtëpi e u tha babait e nënës së vet: Pashë një vajzë ndër bijat e filistenjve dhe po ju bëj lutje të ma meri për grua.
- 3 I ati dhe e ëma i thanë: Po a thua nuk ka gra ndër vajzat e vëllezërve të tu e në mbarë popullin tim që do të marrësh për grua një bijë filistenjsh që janë parrethprerë? Por Samsoni iu përgjigj t`et: Ma merr atë, se ajo më pëlqen.
- 4 Prindërit e tij nuk e dinin se kjo gjë bëhej prej Zotit, i cili kërkonte shkas ngatërrese me filistenj. Asokohe filistenjtë zotëronin mbi Izraelin.
- 5 Kështu, pra, Samsoni po zbriste në Tamnë bashkë me t`atin e t`emën. Kur mbërritën te vreshtat e qytetit, u doli para zogu i luanit duke ulëritur dhe e sulmoi atë.
- 6 Por shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin dhe e copëtoi luanin si të shqyente në copa një edh. E pra, asgjë s`pati në dorë. Për këtë gjë s`deshi t`u tregojë babait e nënës.
- 7 Zbriti dhe bisedoi me gruan që kishte pëlqyer.
- 8 Pas disa ditësh u kthye për ta marrë. Zbriti nën rrugë për të parë kufomën e luanit, kur ja, shema e bletës në trupin e luanit dhe fasholli me mjaltë!
- 9 E mori në dorë dhe po hante rrugës. Kur erdhi tek i ati e tek e ëma, u dha edhe atyre dhe hëngrën. Por nuk deshi t`u tregojë se mjaltin e kishte marrë nga kufoma e luanit.
- 10 Zbriti pra, i ati tek gruaja, e Samsoni bëri aty një gosti. Kështu e kishin zakon të bënin të rinjtë.
- 11 Kur e panë banorët e atij qyteti, i dhanë për shokë tridhjetë vetë që të qëndronin me të.Gjëegjëza e Samsonit
- 12 Samsoni u tha: Po ju tregoj një gjëegjëzë dhe, nëse ma zbërtheni brenda shtatë ditëve të gostisë do t`ju jap tridhjetë zhguna dhe tridhjetë petka ndërrimi;
- 13 por në qoftë se nuk do të mund ta shtjelloni, atëherë do të më jepni ju tridhjetë zhguna e po aq petka ndërrimi. Ata iu përgjigjën: Tregoje gjëzën ta dëgjojmë.
- 14 E ai u tha:Prej atij që ha, doli ç`hahet; prej të fortit doli ëmbëlsira.Për tri ditë nuk ia dolën ta zbërthenin gjëzën.
- 15 Të katërtën ditë i thanë gruas së Samsonit: Ngashnjeje tënd shoq dhe mbushja mendjen të ta kallëzojë ty gjëzën: e në qoftë se s`do të bësh kështu, do të të djegim ty dhe shtëpinë e babait tënd. Pse, a na keni ftuar në dasëm për të na plaçkitur?
- 16 Atëherë gruaja po derdhte lot para Samsonit dhe ankohej duke thënë: Ti më urren e nuk më do, prandaj as që do të ma shpjegosh gjëegjëzën që ua parashtrove bijve të popullit tim. Por ai iu përgjigj: Unë nuk ua dëftova as babait as nënës sime, e si mund të ta shpjegoj ty?
- 17 Kështu pra, për shtatë ditët e dasmës ajo qau para tij. Në fund, të shtatën ditë, pasi e mërziti, ia shtjelloi. Ajo ua dëftoi menjëherë qytetarëve të vet.
- 18 Ata të shtatën ditë para perëndimit të diellit, i thanë:Ç` është më e ëmbël se mjaltie ç` është më i fortë se luani?Ai atëherë u tha:Po të mos kishit lëvruar me mëshqerrën time, rngjëegjëzën time nuk do ta kishit gjetur.
- 19 Shpirti i Zotit e pushtoi, zbriti në Askalon, i vrau tridhjetë burra aty, ua hoqi petkat dhe ua dha atyre që zbërthyen gjëzën. I hidhëruar shumë shkoi në shtëpinë e t`et.
- 20 Gruaja e tij mori për burrë njërin prej djelmoshave që e shoqëroi për ta nderuar në dasëm.